Kryemadhi: Beteja me sistemin monist të Edi Ramës

500
Sigal

Monika Kryemadhi: Një xhep nuk mund të nxërë dot qindra miliona euro koncesione korruptive të qeverisë

Jo betejë personale me Ramën, por me sistemin monist

Dy fjalë Edi Ramës. Mos e kthe në çështje personale këtë gjë. Përmbaji “taborët” e tu të portaleve dhe komentuesve anonimë, që paguhen nga taksat e shqiptarëve. Në vend, që këto para të shkojnë në shërbim ndaj tyre. Ti i shpenzon për këtë lukuni anonimësh, që sulmojnë me shpifje, sharje dhe ofendime. Kjo për arsyen e vetme, se nuk ke guxim t’i thuash vetë. Si i paburrë që je urdhëron me SMS portalet e hijes tënde, të shpërndajnë shpifje nga më monstruozet, edhe jo vetëm në këtë rast. Edi, kjo betejë nuk është personale me ty, por me sistemin monist, që kërkon të instalosh Ti në Shqipëri. Kjo betejë është për Shqipërinë e së ardhmes. Kjo betejë është për të rinjtë edhe fëmijët e Shqipërisë. Është për demokracinë, për të cilën kam luftuar edhe në vitet ’90, megjithëse isha një vajzë e re. Pa përkrahje. Me prindër, që nuk vinin nga kasta e diktaturës.. Kam luftuar në ato vite të mbrapshta, në Tiranë edhe në gjithë Shqipërinë, kur Ti fshiheshe poshtë urave në Paris.

Se një prind, që do fëmijët e tij, nuk mund të urdhërojë helmimin e dhjetëra fëmijëve, që ishin në protestë me prindërit e tyre dhe të mos artikulojë asnjë ndjesë.

Se një prind, që do fëmijët e tij, nuk mund të urdhërojë policinë të nxjerrë jashtë banesave të tyre me qindra fëmijë në mes qiellit të hapur, si në rastin e Unazës së Re dhe Bregut të Lumit, pa i dëmshpërblyer prindërit e tyre për mundin, sakrificën dhe kursimet e një jete. T’i helmojë ata me gaz në pesë të mëngjesit, për t’i flakur nga krevatet e tyre nën qiellin me shi.

Se një prind, që do fëmijët e tij, nuk mund të gënjejë fëmijët e shkollave 9-vjeçare për t’i dhënë librat falas. Të mos i krijosh kushte mësimore të denja dhe ngrohje në dimër, për të mësuar si gjithë bashkëmoshatarët e tyre në Evropë…se i ke këto angazhime politike dhe qeverisëse. Të shkruara dhe të miratuara në Parlament.

Si ka mundësi, që si një prind, që i do fëmijët e tij, të mos u japësh dot, fëmijëve të tjerë me sëmundje gjaku, ilaçet e nevojshme për të përballuar sfidën e tyre për të mposhtur sëmundjen dhe për të fituar jetën.

Si ka mundësi, që si një prind, që do fëmijët e tij, të mos bësh, thuajse asgjë, në luftën kundër shitësve të drogës, që janë më të shumtë pranë shkollave, se ata të farave të lulediellit.

Nuk e di si një prind, që do fëmijët e tij, të mos gjejë mundësinë, që si Kryeministër, të thotë një fjalë të vetme për ata fëmijë të fshatrave Floq, Qafzez dhe Vidohovë, që po kalojnë netët në çadra ushtrie mes këtij rrebeshi shiu.

Radha e mashtrimeve të tua është shumë e gjatë, më e gjatë se Rruga e Qumështit!

Si ka mundësi, që një prind që do fëmijët e tij, në vend që të shpallë Gjendjen e Jashtëzakonshme, mban fjalime shterpë nga dy orë në ditë për “Ata”, armiqtë e tij.

Kështu, Edi, kështu…

Të kam thënë, mos merr drogë, por bëj palestër! E ke lënë veten të të ndryshojë realitetin dhe nuk po kupton më asgjë.

 

Kryemadhi: Edi, fut në xhep koncesionet

Edi më solle humorin me shprehjen tënde: “Jam arrogant, por nuk i kam futur dorën në xhep askujt.”

Eh, more Edi, si mund të futen në një xhep njeriu koncesionet e rrugëve si ajo e Balldren-Milot apo Orikum-Dukat ku vlerat e tyre kalojnë qindra milionë euro?!

Si mund të zërë një xhep, diferencën nga 102 milionë euro, që ishte projekti i qeverisë tënde, në 260 milionë, që e dhe me koncesion?!

Si mund të zërë një xhep, 70 milionë euro, një zgjerim rruge me 3 metra gjerësi dhe gjatësi 14 kilometra?!

Si mund të zërë një xhep, tenderët korruptivë me letra false të Unazës së Re. Plot 40 milionë euro?!

Si mund të zërë një xhep tenderin e 13 milionë eurove tek OST me firmën fantazmë me letra false?!

Si mund të zërë një xhep 300 milionë eurot e koncesioneve në shëndetësi?! Ku vetëm në njërin prej tyre, paguhet për punë të pa kryer, aq sa i jep në një vit subvencion fermerëve.

Si mund të zërë një xhep 218 tenderë “sekretë” të qeverisë tënde?!

Si mund të zërë një xhep të ardhurat nga laboratorët e drogës apo ato nga kanabizimi i vendit?!

Eh, Edi, nuk ka xhep palltoje sa do e madhe të jetë apo pantallonash sa do të gjëra të jenë, si ato të tuat, t’i zërë.

Kryemadhi: Protesta e opozitës madhështore, dha forcë dhe shpresë

Protesta madhështore e mbrëmjes të së dielës, vendosmëria e qindra mijëra shqiptarëve të mbledhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, që ndriçoi natën e errët, më dha forcë dhe shpresë. Kjo nuk është protesta e Lulit dhe Monës, siç mundohet ta quajë Edi, por e shqiptarëve që e duan Shqipërinë dhe duan ta ndërtojnë të ardhmen e familjeve, e fëmijëve, të tyren, këtu në Shqipëri. Dhe e them me bindjen time të plotë, që nuk do të ketë forcë që mund t’i ndalë. Ata nuk po kërkojnë asgjë më shumë se atë që çdo evropian e gëzon prej dhjetëra vitesh. Të drejtën e tyre, që të vendosin me votë të lirë nga kush duan të qeverisen. Kjo protestë nuk është për të zëvendësuar dikë me dikë tjetër, por për të ndryshuar sistemin. Për t’i dhënë fund tranzicionit 30-vjeçar. Prandaj shqiptarët janë kaq të vendosur në protestën e tyre, që dita ditës bëhet edhe më e madhe, se ajo që ishte një ditë më parë. Besoj, se edhe miqtë e Shqipërisë, po e kuptojnë këtë. Kjo është një betejë e shqiptarëve për liri dhe demokraci. Për një Shqipëri si gjithë Evropa. Nga protesta e djeshme doja të ndaja me ju dhe dy aspekte të veçanta, që më impresionuan shumë. E para, pjesëmarrja e Klajda Gjoshës në protestë, megjithëse në muajin e tetë të shtatzënisë dhe mesazhi i saj: “Nuk trembemi nga asgjë dhe askush! Njësoj si unë janë me dhjetëra nëna të tjera shtatzëna dhe me fëmijë për dore. Momenti i dytë që më emocionoi shumë ishte fotoja e një grupi studentësh që kishin shkruar në duart e tyre fjalët: Our future, in our hands. Po, e ardhmja juaj, është në duart tuaja. Askush nuk mund t’ua tjetërsojë ëndrrat, shpresat ashtu si e dëshironi ju, si qytetarë të denjë të Evropës. Askush nuk mund t’ua mposhtë vullnetin, bindjen dhe përkushtimin tuaj për ta ndërtuar jetën tuaj, këtu në Shqipëri. Ndaj në 8 qershor të gjithë së bashku në vazhdimin e betejës sonë për të ardhmen e Shqipërisë, për të ardhmen tuaj.

boks

Kryemadhi zbulon: Kam kryer një operacion të vështirë, por me sukses

Nëpërmjet këtij mesazhi do të doja fillimisht të falënderoja të gjithë ata mijëra qytetarë, që më kanë shkruar dhe janë interesuar për shëndetin tim. Në pamundësi fizike dhe kohore për t’ju kthyer përgjigje një e nga një, dua t’ju uroj shëndet dhe gëzime paçi gjithmonë. Zoti ju bekoftë dhe mbroftë familjet dhe të dashurit tuaj! Sot është dita e shtatë, pas një operacioni të vështirë që kam kryer. Ishte një ndërhyrje urgjente që duhej ta kryeja pas insistimit të mjekëve. Sot mora edhe konfirmimin e tyre që rreziku që kisha është tejkaluar, operacioni ka mbaruar me sukses. Këtë problem mjekësor doja ta përballoja vetë, pa shqetësuar askënd tjetër. Mes këtyre rreshtave desha të falënderoj një shoqen time mjeke, e cila bëri të mundur kryerjen e këtij operacioni. Ajo ka shumë vite që jeton, punon dhe shërben si mjeke dhe profesoreshë në Itali. Shumë nga miqtë edhe “armiqtë” e mi e njohin shumë mirë.