Kryebashkiaku Xhelal Mziu: Mëkatet e qeverisë Rama ndaj banorëve të Kamzës janë të shumta. 0 investime

491
Sigal

Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, reagon ndaj vizitës së ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, në Shkollën Profesionale Kamëz, duke dënuar ashpër propagandën e tij, si dhe duke i kujtuar nevojat në arsim dhe mëkatet e kësaj qeverie ndaj banorëve të Kamzës.
Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, thotë: “Qeveritarët e sotëm janë të paskrupullt në propagandën e tyre dhe guxojnë ta bëjnë atë edhe aty ku nuk mund të ngjisë fare, por e kanë pafytyrësinë për ta bërë. Dje ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ishte si hajn te Shkolla Profesionale Kamëz në kuadër të propagandës “rilindëse”, shkollë e cila ndodhet në njësinë administrative më të diskriminuar në vend nga qeveria Rama, dhe konkretisht nga institucioni që ai drejton! Kur Bashkia e 6-të më e madhe në vend për nga popullsia ka nevojë konkrete për ndërtimin e 6 shkollave të reja, rikonstruksionin e 9 të tjerave, ndërtimin e 7 kopshteve dhe rikonstruksionin e 6 të tjerave, kreu i Financave me bateritë e propagandës së blerë mburret sikur çfarë ka bërë në Kamëz me një rikonstruksion! Rikonstruksioni i një shkolle përballë nevojave konkrete nuk është asgjë. Prej vitit 2013 kjo qeveri as e ka vënë ujin në zjarr, pavarësisht kërkesave tona bazuar në projekte konkrete. I kujtojmë z. Ahmetaj që nën qeverisjen e PD-së, në Kamëz u ndërtuan mbi 18 shkolla dhe kopshte! Mëkatet e Ahmetajt dhe qeverisë Rama ndaj banorëve të Kamzës janë të shumta. I kujtojmë Ahmetajt se në sirtarët e qeverisë flenë mbi 135 projekte të Bashkisë Kamëz, përfshi edhe ato në arsim dhe nga qeveria e Rilindjes kemi zero financime. Kjo qeveri i ka hequr Kamzës 6 mijë familje nga skema e ndihmës ekonomike, i është hequr Zyra e Punës, duke kaluar në Tiranë, rast unikal në Shqipëri, duke mos ndodhur në asnjë njësi tjetër vendore”.