Hungaria do të udhëheqë Presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian për gjashtë muajt e ardhshëm. Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës organizoi dje në mbrëmje një ceremoni të posaçme, në bashkëpunim me Ambasadën e Hungarisë, ku mori pjesë kryebashkiaku Erion Veliaj, i ngarkuari me punë i Ambasadës Hungareze në Tiranë, Adam Lovassy, Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja, Majlinda Dhuka, etj.
Në fjalën e tij, Veliaj tha se Shqipëria dhe Tirana e mbështesin Hungarinë në drejtimin e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian dhe vuri në dukje marrëdhëniet e mira, ndër vite, mes dy vendeve tona.
“Në këto 9 vite si kryebashkiak kam pasur fatin të takoj dy Presidentë të Hungarisë, një herë për sheshin e vogël kushtuar Janosh Huniadit, e më pas për vendosjen e monumentit të Mbretëreshës Geraldinë. Më gëzon fakti kur shoh sot se si po lulëzojnë edhe marrëdhëniet e biznesit mes vendeve tona – një nga kompanitë kryesore ajrore “WizzAir”, theu murin e çmimeve të larta të fluturimeve dhe sot i ka hapur rrugën edhe kompanive të tjera low cost, duke e kthyer aeroportin e Tiranës në numrin një në Ballkanin Perëndimor; kur shikoj edhe kompanitë tona të telekomunikacionit, njëra në pronësi hungareze, kurse tjetra që drejtohet nga një hungarez, kuptoj se si janë forcuar marrëdhëniet e biznesit. Por, edhe një nga bankat kryesore në vend është gjithashtu, një investim hungarez”, -tha Veliaj.
Lidhur me integrimin e Shqipërisë në BE, kryebashkiaku i Tiranës tha se Shqipëria vitet e fundit po punon seriozisht për t’ia arritur këtij qëllimi dhe se anëtarësimi në BE do të jetë kurorëzimi i një pune të madhe.
Veliaj shtoi se është kollaj t’i prishësh gjërat, njësoj sikur shformon Kubin e Rubikut, por duhet shumë kohë për të rikuperuar dhe për t’i kthyer ngjyrat në vendet e tyre fillestare.




















