Kryebashkiaku Veliaj: Rrugët që lidhin periferinë me qendrën e Tiranës do të jenë në fokusin e Bashkisë për këtë mandate

20
Sigal

Në këtë mandat të tretë, duket se fokusi i Erion Veliajt do të jetë  investimi në të gjitha akset lidhëse të periferisë me Unazën e Madhe të Tiranës. Bashkia e Tiranës ka nisur punën për rehabilitimin e bllokut të banimit në Rr. “Nikollë Mekjashi” në Njësinë 1. “E kemi bërë shumë të qartë: Në këtë mandat fokusi do të jetë te rrugët, që lidhin periferinë me qendrën e Tiranës, përfshirë të gjitha zonat kufitare ku kalon Unaza e Madhe, në Astir, Farkë apo Shkozë. Këtu jemi në ‘lagjen e korçarëve’ dhe sa herë binte shi, këtu bëhej një rrëke e jashtëzakonshme. Më vjen mirë që, pasi kanë ndodhur legalizimet nga qeveria qendrore, tani vazhdon urbanizimi nga bashkia”, tha Veliaj. Veliaj u shprehu mirënjohjen e tij banorëve, që janë treguar të gatshëm të bashkëpunojnë për realizimin e punimeve, të cilat do t’i rrisin vlerën pronës së tyre.  “Kemi marrë një dakordësi të jashtëzakonshme nga komuniteti këtu, për t’u tërhequr nga gardhi. E kuptoj se kur tërhiqesh një metër, oborri të del më i ngushtë, por ama ke fituar një trotuar dhe ajo vajza e vogël që do të shkojë te shkolla ‘1 Maji’, do ecë në një hapësirë më të sigurt se sa kur dilte menjëherë në rrugë. Ndaj, besoj se vendimi i qytetarëve për t’iu bashkuar bashkisë, është një shembull për të gjithë të tjerët. Ku vjen bashkia, vjen civilizimi, vjen urbanizimi. Të gjitha këto shtëpi do të vlejnë më shumë kur të mbarojë rrethimi, kur të vendosen kangjellat e bukura e ku vërtet mund të thuash që jeton në Tiranë, jo vetëm si adresë, por edhe si cilësi e investimit”, tha Veliaj. Në projekt është parashikuar edhe ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit, si dhe linjat e telefonisë, internetit dhe të energjisë elektrike.