Thellohet skandali i ndërhyrjes në sistemin TIMS, ekipi i ri pa certifikatë sigurie

32
Sigal

 

Vërtetohet zyrtarisht se Ervin Muço, Drejtuesi i Lartë i Policisë së Shtetit i akuzuar për sulmin/ndërhyrjen ndaj sistemit TIMS, nuk ka pasur kurrë një certifikatë të sigurisë së personelit.

Gazetari i njohur Ferdinand Dervishi denoncoi përmes një shkrimi një fakt ulëritës, atë të figurave të larta, që punojnë në institucione të rëndësishme sigurie por që nuk kanë certifikatë sigurie. Ferdinand Dervishi shkruan: “Vërtetohet zyrtarisht se Ervin Muço, Drejtuesi i Lartë i Policisë së Shtetit i akuzuar për sulmin/ndërhyrjen ndaj sistemit TIMS, nuk ka pasur kurrë një certifikatë të sigurisë së personelit. Si të ishte një UFO ai ka punuar pa certifikatë sigurie edhe përpara korrikut 2023, kur ka qenë Drejtor i madh në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Lajmin e konfirmon zyrtarisht Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (AKSIK) që shkruan: “Z. Ervin Muça nuk është i pajisur me CSP (certifikatë të sigurisë së personelit) dhe për rrjedhojë nuk ka asnjë kërkesë për konfirmim të vlefshmërisë”. Pra, e zezë mbi të bardhë, në shkresën zyrtare të AKSIK shkruhet se Ervin Muça, i emëruar me shpejtësinë e dritës në postin e Drejtorit të Departamentit të IT në Policinë e Shtetit, vijon të ushtrojë detyrën në kundërshtim flagrant me ligjin, edhe pse se ky vend pune ka si detyrim ligjor pajisjen me certifikatën e nivelit më të lartë të sigurisë, të tipit “tepër sekret”. Për më keq, Drejtuesi i Lartë, Ervin Muço, as që ka marrë mundimin të nisë procedurat për pajisjen me certifikatë sigurie edhe pse tashmë incidenti i datës 2 gusht 2023 është kthyer në një çështje mediatike, edhe pse Ambasada e SHBA ka bërë disa herë publik shqetësimin edhe pse Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin, edhe pse është firmosur një komision hetimor parlamentar.

Drejtoresha e re e Antikrimit Kibernetik ka filluar të ushtrojë detyrën e saj që në fillim të muajit gusht 2023 e papajisur me certifikatë sigurie dhe kjo në tejkalim të çdo procedure ligjore.

Po si ka mundësi që ky zyrtar i paguar me taksat e shqiptarëve nuk merr as mundimin të bëjë kërkesë për pajisje me certifikatë sigurie? Supozimet mund të jenë disa. Së pari sepse mund të ketë frikën e zbulimit të ndonjë mëkati penal jashtë vendit ose vlerësimin e një të ngjashmi brenda vendit. Së dyti, dhe kjo ka të ngjarë të jetë e vërtetë, sepse atij nuk ja ka ndierë dhe nuk ja ndien fare për ligjet e shtetit dhe kjo shkon në një linjë me vazhdën e së njëjtës shpërfillje që përshfaqin edhe drejtuesit më të lartë të Policisë, edhe Ministri i Brendshëm T.Balla, i cili e ka quajtur z.Muço pjesëtar të një “ekipi të ri” të mbrojtjes nga sulmet kibernetike. Por, nga buron fuqia e këtij njeriu të hetuar e përfolur edhe për skandale të tjera të ngjashme përgjatë një karriere fantastike në administratën shtetërore? Kush e ka mbuluar dhe vijon ta mbulojë me imunitet përtejligjor? Kush janë këta njerëz të gjithëfuqishëm që e kanë tredhur shtetin tonë në këtë farë feje? Si ka mundësi që Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Drejtori i Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku, nuk luajnë as gishtin përpara një fakti të tillë?” – tha gazetari i njohur në vend Ferdinand Derivishi, i cili më tej tha: “AKSIK konfirmon se edhe Ervina Gjana, prej datës 2 gusht 2023 në krye të Drejtorisë së Antikrimit Kibernetik, nuk ka certifikatë të përshtatshme sigurie për vendin e punës. Edhe kjo zonjë, emëruar me urgjencë në krye të Antikrimit Kibernetik, në fillim të muajit gusht 2023, është pjesë e “ekipit të ri” të Ministrit Balla. Sipas AKSIK: “Znj. Ervina B. GJANA, lindur më 29.04.1998, është e pajisur me Certifikatën e Sigurisë së Personelit (CSP) në nivelin “Sekret” më datë 5.07.2019, e vlefshme deri më datë 4.07.2024… AKSIK ka pranuar një kërkesë nga struktura përkatëse e ngarkuar në MB, përmes së cilës kërkohet “…konfirmimi i vlefshmërisë dhe përshtatja e CSP me vendin aktual të punës…”. Kjo kërkesë është protokolluar në AKSIK me nr. 5648, datë 30.08.2023. Sqarojmë se, kjo kërkesë është duke u shqyrtuar.” Pra, Drejtoresha e re e Antikrimit Kibernetik ka filluar të ushtrojë detyrën e saj që në fillim të muajit gusht 2023 e papajisur me certifikatë sigurie dhe kjo në tejkalim të çdo procedure ligjore.”- tha në reagimin e tij gazetari, i cili tha më tej se: “Sot, kemi një situatë që për mendjet e ftohta do të ishte jo vetëm anormale, por tepër e rrezikshme për sigurinë kombëtare dhe për ne të gjithë:
1- Drejtues i Lartë Ervin Muça i papajisur kurrë me certifikatë sigurie të personelit në një kohë që prej shumë kohësh duhet ta kishte një të tillë. Për më keq, sot jo vetëm nuk aplikon, por edhe vazhdon punën normalisht në paligjshmëri të plotë.
2- Drejtuese e Parë Ervina Gjana ka marrë një certifikatë sigurie të nivelit “sekret” në kundërshtim me çdo procedurë të verifikimit të personelit dhe kjo për shkak se institucionet nuk kanë informuar AKSIK mbi faktet në ngarkim të saj. Kështu që edhe Znj. Gjana sot nuk disponon certifikatën e sigurisë për nivelin e detyrës që ka dhe vazhdon punën normalisht në paligjshmëri të plotë.

Kaq vetëm për certifikatat e sigurisë së personelit për dy “gjeneralët” e rinj të Policisë së Shtetit që do na mbrojnë sigurinë e brendshme dhe atë kombëtare me veprimet e tyre nga paligjshmëria në paligjshmërinë e radhës! Vijon…… P.S. Në foto (në rreth) Drejtuesi i Parë, E. Muça, gjatë një takimi pune me drejtuesit më të lartë të policisë.