Kryebashkiaku Erion Veliaj: Hapet sezoni i ri i mbjelljes së pemëve në Tiranë. 2021-i, viti i rimëkëmbjes dhe i shkollave të reja

250
Sigal

Kopshti Zoologjik, shkollat e reja, Kisha e Shën Prokopit dhe lagjet e reja në Kombinat dhe te “5 Maji” janë disa nga projektet që do të marrin jetë në vitin 2021 në Tiranë. Kryebashkiaku Erion Veliaj mbolli pemë në Parkun e Liqenit, së bashku me kryetaren e Këshillit Bashkiak, Romina Kuko dhe nënkryetaren, Katerina Marku, me të cilat nënvizoi rëndësinë që ka për qytetin shtimi i gjelbërimit dhe krijimi i hapësirave çlodhëse. Ai vuri në dukje se në pesë vjet Parkut të Liqenit i janë shtuar 30 mijë pemë, ndërkohë që në 1 qershor, fëmijët e kryeqytetit do të marrin si dhuratë Kopshtin e ri Zoologjik. “Kemi dyfishuar sipërfaqen e Liqenit të Tiranës: sot aty kemi Amfiteatrin, një bizhu e qytetit, ndërkohë po punojmë te Kopshti Zoologjik, ku jemi në 30% të punimeve. Me t’u hapur koha do ta shtojmë ritmin që të kapim 1 qershorin, si dhuratë për fëmijët e Tiranës. Por, të mos harrojmë se i kemi kthyer Kishës Orthodokse edhe pronën e Kishës së Shën Prokopit, që do të ndërtohet siç ka qenë”, tha kryebashkiaku Veliaj dhe vlerësoi se ky vit i ri nis me lajme të mira për rreth 1 mijë familje të reja, të cilat do të kenë mundësi të blejnë një banesë, falë programit të strehimit me kreditë e buta. Ai siguroi familjet e prekura nga tërmeti se do të vijojnë ta marrin bonusin e qirasë, deri sa të futen në banesën e tyre të re. “Kemi marrë disa vendime të shkëlqyera, duke nisur me rreth 1000 kredi të buta për çiftet e reja. Sapo kanë filluar jetën në Tiranë, ndaj meritojnë të përqafohen, e jo të trajtohen me cinizëm. Vendimi tjetër lidhet me vazhdimin e bonusit të qirasë për të gjithë ata që e kanë marrë në 2020 – do ta marrin edhe në 2021, derisa të marrin në dorë çelësin dhe hipotekën e apartamentit të ri, qoftë në Kombinat, Kinostudio apo kudo tjetër ku kemi kantiere të hapura”, – sqaroi Kryebashkiaku Veliaj dhe nënvizoi se 2021, do të jetë jo vetëm viti i vaksinimit dhe i rimëkëmbjes ekonomike, por edhe i hapjes së shkollave të reja.