Për LSI start-ups një prioritet për t’i dhënë mundësi të rinjve të jenë inovativ

179
Sigal

Nga Klajda Gjosha, ish-deputete e LSI-së

Për shumë vite, startup-et në të gjithë globin kanë provuar se nxisin produktivitetin dhe mund të ndikojnë në rimëkëmbjen ekonomike. Në Shqipëri, në shumicën e rasteve, startup-et ngecin në ‘fazën e idesë’, për shkak të problematikave dhe mungesës të politikave stimuluese për të rinjtë, në këtë sektor.

Problemet kryesorë që hasin startup-et në Shqipëri janë financimi, mungesa e lehtësive ligjore, mungesa e edukimit, njohjes ose interesit për to. Për sipërmarrje të reja dhe inovative është shumë i rëndësishëm vizioni dhe për të krijuar një vizion është mëse i nevojshëm edukimi.

Pjesa më e madhe e vendeve anëtare të BE-së bashkëpunojnë me institucionet e arsimit të lartë për krijimin dhe mbështetjen e startup-eve. Edukimi në këtë sektor arrihet edhe nëpërmjet krijimit të shkollave dhe akademive, laboratorëve, trajnimeve, forumeve, workshopeve dhe konkurseve që i stimulojnë të rinjtë.

Politika të tjera për startup-et në vendet anëtare të BE-sëpërfshijnë uljen e taksave dhe ndihmën e drejtpërdrejtë financiare për startup-et inovative; rritjen e numrit të vendeve të punës në sektor; rritjen e bashkëpunimit midis institucioneve arsimore, shkencës dhe subjekteve të biznesit.

Modele suksesi nga vende të tjera kanë treguar që nëse ndiqen hapat dhe politikat e duhura stimuluese, edhe një vend i vogël, si Shqipëria, do të ishte një mundësi e mirë për të rinjtë për të shfrytëzuar potencialet dhe idetë e tyre sepse të qënit një treg ivogël, e bën më të lehtë për sipërmarrësit e rinj, studimin e tregut dhe përcaktimin e nevojave të tregut të synuar. Për LSI start-ups do të jenë një prioritet i rëndësishëm për t’i dhënë mundësi qytetarëve dhe kryesisht të rinjve të jenë inovativ dhe të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri!