Rama në Konispol: Të lëmë pas politikën e përçarjes

479
Kryeministri Edi Rama është ndalur të dielën paradite në Konispol, në pikën më jugore të vendit, për të zhvilluar një takim elektoral me banorët e kësaj zonë.
Kryeministri Rama i shoqëruar nga deputeti i Vlorës Koço Kokëdhima shprehën mbështetjen për kandidatin e majtë për këtë bashki, Shuaip Beqiri.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë përcolli mesazhin e harmonisë etnike e fetare në vendin tonë, duke u kërkuar qytetarëve të Konispolit të lënë pas politikat përçarëse.
“Në këtë tokë nuk mund të lejojmë askënd që të vërë mina e të vrasë shpresat e kësaj toke. Se kush jemi ne dhe si e kuptojmë bashkëpjetesën mjafton të shikoni mirë reformën. Tre bashki janë krijuar mbi bazën e vetëdijes patriotike për t’u bërë shembull ië respektit dhe bashkëjetesës: Edhe Finiqi, Dropulli e Pusteci janë tregues, se ne nuk jemi europianë me llafe, por me vepra”.
Ndërsa përshëndeti kandidimin e grave në këtë fushatë, si dhe praninë e një numri gjithnjë e më të madh të tyre në takimet elektorale, Rama tha se do të ketë më shumë mundësi e një hapësirë gjithnjë e më të madhe për to.
“Pushteti vendor deri dje ishte peng i burrave të dehur. Por transformimi do të prekë bashkitë pas 21 qershorit. Politika ishte bërë monopol i burrave, por tashmë gratë kanë më shumë hapësirë, dhe do t’u jepet gjithmonë e më shumë mundësi. Ne do të bëjmë shtet modern pavarësisht vështirësive, dhe këtë e kemi treguar në këto 18 muaj, duke çuar vendin në drejtimin e duhur”, tha Rama.
“Konispoli nuk është arenë përplasen politike, etnike e fetare. Qeveritë shkojnë e vijnë, ajo që mbetet është toka juaj dhe respektit ndaj njëri-tjetrit. T’i japim fund politikave të përçarjes primitive e barbare”, tha Rama.
Deputeti Koço Kokëdhima duke deklaruar se Shuaip Beqiri është drejtimi i duhur për bashkinë e Konispolit, tha se fitorja e së majtës do te ndihmojë opozitën të bëjë katarsisin.
Sigal