Kryebashkiaku Erion Veliaj: Investimet në urbanizimin e Njësisë 7 rritën vlerën e pronës. Në mandatin e dytë do kryejmë ndryshimin e duhur

458
Sigal

Veliaj në Njësinë 7: Investimet kanë rritur vlerën e pronës

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u ndal sot në Njësinë 7, për të biseduar me banorë të zonës mbi projektet transformuese të nisura në kryeqytet dhe investimet që do të vijojnë gjatë mandatit të dytë.

Ai theksoi se edhe kjo njësi, ashtu si e gjithë Tirana, ka pasur në këto 4 vite një vëmendje të shtuar në investime, çka ka sjellë më shumë rrugë të asfaltuara, më shumë kënde lojërash, më shumë hapësira rekreative dhe gjelbërim. Veliaj siguroi se edhe projektet e nisura më parë do të mbyllen gjatë muajve të verës, duke shfrytëzuar motin e mirë të verës.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur sot që, me hapjen e motit, na u hap edhe fronti i punës. Tani do të shfrytëzojmë korrikun, gushtin, por edhe qershorin, që të kapim maksimumin, pa bërë pushime në verë, që zonat e kthyera në objekte kantieri në Bashkinë e Tiranës të përfundojnë, dhe kur njerëzit të kthehen nga pushimet në shtator, zona të ketë dalë në dritë”, tha kandidati i PS, njëherësh kryebashkiak i Tiranës, Erion Veliaj.

Nga ana e tyre, banorët shprehën mirënjohjen për vëmendjen e treguar nga bashkia në këto 4 vite, qoftë sa i përket realizimit të disa prej projekteve madhore, si sheshi “Skëndërbej”, Pazari i Ri, Bulevardi i Ri, por edhe për punët e vogla në çdo lagje, duke filluar nga këndet e lojërave për fëmijë, hapësirat e dedikuara për më të rriturit, si dhe infrastruktura urbane, rrugë, trotuare, ndriçim, ujësjellës.

“Unë jam banor këtu. Gjithë ky investim që po bëhet është shumë i bukur dhe shumë i mirë”, tha nga banorët e lagjes.

“Jam i lumtur që falë kësaj rrugës, shtëpia ime ka marrë një vlerë mbi 100 mijë euro. 100 mijë euro plus, vetëm nga investimi i rrugës”, tha një banor tjetër.

Më tej, Veliaj u shpreh se pikërisht falë bashkëpunimit me banorët, e gjithë lagjja mes Rr. “Kel Kodheli” dhe “Skënder Shtylla” po pëson një transformim tërësor, duke u sistemuar me rrugë të asfaltuara, trotuare, ndriçim, e gjithë aksesorët e tjerë urbanë. “Ka qenë një zonë komplet informale, një labirint, ‘ku rafsha mos u vrafsha’, ndërkohë që sot kemi trotuare dhe një bashkëpunim të jashtëzakonshëm nga banorët. Unë e di, asnjë nuk do të japë një copë nga e vetja, ama duke kontribuar me një metër nga avllia e vet, na ka dhënë një mundësi të jashtëzakonshme për trotuare. Ndonjëherë, njerëzit mendojnë se gjëja më e rëndësishme është vila ose shtëpia që kanë bërë, por në fakt është trotuari. Në trotuar, si i pasuri, si i varfri, janë njësoj; si i majti, si i djathti, janë njësoj; si fëmija, si i rrituri, janë njësoj. Është i vetmi vend demokratik në qytet”, tha Veliaj.

Kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës nënvizoi se investimet e kryera në urbanizimin e zonës kanë sjellë një përfitim indirekt te banorët, edhe duke i rritur vlerën pronës së tyre. “Në momentin që mbaron infrastruktura, do jetë pastaj më kollaj për çështjen e legalizimeve, se edhe ALUIZNI do shohë që ka mbaruar rrjeti i rrugëve, ka mbaruar rrjeti i ujësjellësit, i ndriçimit, do të thotë që edhe pengesat e mëhershme për investimet e munguara, për mungesë urbanizimi, zhbllokohen. Ndaj, rendi i gjërave është: Fillimisht urbanizim, më pas legalizim i atyre pak pikave që kanë mbetur, por siç e dëgjuat nga banorët, dikujt i është rritur vlera e shtëpisë, nga një shtëpi informale, sot e quan vilë. Kur jam takuar herën e fundit thoshte shtëpia quhet vilë sot, sepse ka ulur avllinë, ka bërë trotuar, i ka dalë në dritë dhe sot vlerësohet mbi 100 mijë euro”, tha Veliaj.

Ai theksoi se ashtu siç është punuar në këto 4 vite, do të punohet edhe në mandatin e dytë, për të vijuar transformimin që ka nisur në çdo cep të Shqipërisë.