Krimi në Fier, Tahiri fajëson gjykatat: Urdhri i mbrojtjes nuk shkoi kurrë në polici. Hetim penal përgjegjësit

597
Sigal

Ministri
i Brendshëm Saimir Tahiri ka fajësuar sistemin e drejtësisë për vrasjen e
43-vjeçares Liliana Ruko në Fier, e cila u hodh nga kati i 4-t nga bashkëshorti
i saj.

Tahiri thotë se urdhri i mbrojtjes së Gjykatës nuk ka shkuar kurrë në polici
megjithëse sipas ligjit duhet të shkonte brenda 24 orësh tek të gjitha
institucionet.

Por ministri Tahiri e sheh dhunën
ndaj grave që parlament ku sipas tij etiketohen me fjalët më fyese gratë
deputete.

Ai kërkon sensibilizimin e
shoqërisë duke u shprehur se ata fqinj që sot tregojnë detaje të ngjarjes
makabre duhet të kishin sinjalizuar dhunën që në fillesën e saj.

Duke iu përgjigjur deputetes
Majlinda Bregu, e cila publikoi urdhrin mbrojtës të lëshuar nga gjykata për
Liliana Rukon, Tahiri sqaron se pas denoncimit të të ndjerës, Policia ka bërë
strehimin e saj në banesën e të vëllait të saj, dhe ka kërkuar menjëherë pranë
Gjykatës Fier lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, por ky urdhër nuk ka shkuar
kurrë në polici.

Ministri i quan dhunues
institucional ata që e kanë mbajtur të fshehur në sirtar këtë urdhër dhe kërkon
që përgjegjësi të hetohet penalisht.

DEKLARATA E TAHIRIT

Kur gratë në parlament dhunohen me tituj të tipit “ndrikulla”, “kurva” e
“lavire”, sigurisht injoranca do gjej frymëzim t’i dhunojë e t’i vrasë gratë e
fëmijët.

Dhe flitet për viktimat e dhunës në familje, kur makabritetet tmerrojnë të madh
e të vogël. Por pak flasim e pak bëjmë, për dhunën e heshtur, atë që nuk shohim
e dëgjojmë, por që nesër do sjellë viktima të tjera po nuk u shkundëm mire nga
themelet, individi, shoqëria dhe institucionet.

Nga 1 Janari deri 30 Nëntor, janë 3.758 raste të trajtuara nga policia për
dhunë në familje. 1.991 prej tyre me urdhër mbrojtje.

Por këto të dhëna janë, pa diskutim, vetëm një pjesë fare e vogël e së vërtetës.

Shoh më shumë komshinj e familjarë që tregojnë detaje pasi ndodh ngjarja
makabër, sesa komshinj e familjarë të gatshëm të sinjalizojnë menjëherë dhunën
në familje, që në fillesën e saj.

Me heshtjen tonë, shoqëria po i hap rrugë dhunuesve. Sepse janë fare fare pak
sinjalizimet e familjarëve, rrethit shoqëror, fqinjëve, e kujtdo tjetër që mund
të shpëtonin viktimat e dhunës në familje.

E janë shumë më pak akoma, veprimet aktive për të parandaluar dhunën.

Ka plot institucione që vetëm punën nuk bëjnë, e këta janë më dhunues se
dhunuesit. Dhunojnë me burokraci, me vonesë e mosveprim.

Deputetja Majlinda Bregu ka publikuar sot një urdhër mbrojtje për Liljana
Rukaj, viktimën e dhunës së bashkëshortit në Fier.

Pas denoncimit të të ndjerës, Policia ka bërë strehimin e saj në banesën e të
vëllait të saj, dhe ka kërkuar menjëherë pranë Gjykatës Fier lëshimin e urdhrit
të mbrojtjes.

Ligji e do që vendimi i gjykatës për urdhër mbrojtje të ishte dërguar brenda 24
orësh pranë disa institucioneve, një ndër tyre edhe Policia.

Ky urdhër mbrojtje, nuk është dërguar kurrë në Polici, e kam frikë në asnjë
institucion tjetër. Ndoshta do ketë mbetur në sekretaritë e gjykatës, a
gjithkund tjetër, por vetëm në Polici dhe institucione, nuk ka shkuar.

Kush e ka mbajtur këtë urdhër mbrojtjeje në sirtar, është dhunuesi
institucional, që i la rrugë të hapur dhunuesit që i mori jetën një njeriu.

Shpresoj të ketë hetim penal, për cilindo përgjegjës që nuk ka bërë detyrën, me
koston e madhe të një tjetër viktime të pafajshme nga dhuna në familje.

Shpresoj shoqëria të ndërgjegjësohet, e të sinjalizojë menjëherë shenjat më të
para të dhunës në familje, pa pritur gjatë deri në dhunë fizike.

Shpresoj media të luaj me fort rolin e saj. Duke mos raportuar detajet e këtyre
ngjarjeve, parandalojmë efektin domino të atyre që të nxitur nga lajmet,
ndjekin shembullin.

Na duhet të bëjmë të gjithë më shumë!!!