Krijimi i SPAK ka dy pengesa ligjore dhe një logjistike

604
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Kostitucionalisti Sokol Hazizaj: Vullneti politik kërkon të mbajë prokurore të përkohshme, nuk është mobile mbi korrupsionin e qeveritarëve

Reforma në drejtësi, edhe pse në dukje po merr trajtë, në të vërtetë, forma e saj është e njëanshme nga ana politike. Është vetëm forca e kartonëve të mazhorancës që dikton çdo hap të saj, derisa mazhoranca po përjashton opozitën nga çdo bashkëpunim dhe konsensus politik për të miratuar së bashku ligjet dhe institucionet e reja të drejtësisë. Shembulli më i qartë i kësaj është që Shqipëria ka më shumë se 1 vit që ka ende prokurore të Përgjithshme të Përkohshme, sepse mazhoranca nuk ka mundësi, që me shumicë votash të zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm siç e kërkon edhe Kushtetuta. Kryeprokurorja e Përkohshme u zgjodh në parlament me shumicë të thjeshtë, por asokohe, u theksua se koha e saj nuk do të jetë më shumë se 3 muaj dhe nuk do të ketë kompetenca të emërimeve dhe shkarkimeve në Prokurori. Mirëpo, deri tani kryeprokurorja e Përkohshme po emëron, po shkarkon, sikurse edhe propozoi kandidatët prokurorë për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Kostitucionalisti Sokol Hazizaj, shpjegon se vullneti politik kërkon të mbajë prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme.

Kostitucionalisti Sokol Hazizaj: “Vullneti politik kërkon të mbajë këtë prokurore. Më mirë në karakter të përkohshëm, të saj dhe nuk është mobile mbi korrupsionin e qeveritarëve ose ish, sesa një prokuror tjetër që realizon në të gjitha vështrimet pavarësinë e tij parashikuar në ligj që do të godasë me pavarësinë e tij dhe forcën e brendshme të ligjit mbi çdo prokuror për të goditur korrupsionin dhe fenomenet kriminale.”

Nuk do të mjaftojë koha të ndërtohet SPAK deri në qershor

Një nga kushtet e BE-së ndaj Shqipërisë për hapjen e negociatave për anëtarësim, është që Shqipëria të ketë SPAK-un, prokurorinë dhe gjykatën speciale kundër korrupsionit, deri në qershorin e 2019-s. Mirëpo, për shkak se mazhoranca kërkon që në çdo segment të reformës në drejtësi të imponojë vullnetin e saj politik, është tejkaluar edhe afati kushtetues i ndërtimit të SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Arsyeja e vërtetë është se qeveria i trembet SPAK-ut, që të hetojë korrupsionin, prandaj mundohet jo vetëm të zvarritë afatin kushtetues të ndërtimit të SPAK, por edhe të përzgjedhë ata gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët do të mbyllin sytë dhe veshët përballë korrupsionit galopant të qeverisë, sidomos me koncesionet e tenderët e përfolur. Kostitucionalisti Sokol Hazizaj e analizon nga ana juridike, pse koha deri në qershorin e 2019-s është e pamjaftueshme që të ndërtohet SPAK.

Konstitucionalisti Sokol Hazizaj: “Së paku, kandidatët për në Prokurorinë e Posaçme dhe gjykatat gjithashtu do ti nënshtrohen vettingut. Pra do të jenë prioritarë në KPK. Kalimi i saj, se është detyrim ligjor, do t’i çojë në SPAK dhe në Gjykatë, por së paku do 2-3 muaj, që ti kalojë në radhë prioritare dhe të bëhet seanca dëgjimore në KPK. Do minimalisht 120 ditë që komisioni i krijuar mes Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës së Posaçme të verifikojnë kërkesat e parashikuara në ligj për prokurorët dhe gjyqtarët. Tani përfytyroni, 2-3 muaj duan këto edhe 120 ditë, llogaritë bëjini ju. Shto dhe atë që me të drejtë tha zoti Ibrahimi, ka një mungesë vullneti të qeverisë për ti pajisur me zyra, ata kanë vetëm një faqe interneti. Nuk kanë zyra, nuk kanë logjistikë nuk kanë asnjë gjë. Janë tre pengesa themelore, 2 ligjore dhe një pengesë logjistike.”