Kreu i Shtetit shqiptar mikpret në Tiranë Presidentin e Austrisë, Heinz Fischer

429
Sigal

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mikpriti sot paradite me një ceremoni zyrtare Presidentin e Republikës së Austrisë, Heinz Fischer dhe delegacionin zyrtar që e shoqëron gjatë kësaj vizite shtetërore në vendin tonë, me ftesë tëKryetarit të Shtetit shqiptar.

Pas ceremonisë së mirëseardhjes dhe ekzekutimit të dy himneve kombëtare respektive, Presidenti Nishani dhe Presidenti austriak Fischer zhvilluan një takim kokë më kokë, dhe më pas kryesuan takimin dypalësh të delegacioneve zyrtarepërkatëse.

Në përfundim të takimit dypalësh, Kreu i Shtetit shqiptar dhe Presidenti austriak dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve të pranishëm.

Deklarata për shtyp e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani:

“Mirëdita të gjithëve!

Sapo kemi përfunduar një takim shumë tëmirë e të përzemërt me mikun tim, mikun e Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve, Presidentin e Austrisë Fischer.

Biseduam për një gamë të gjerë çështjesh që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet vendeve tona në planin dy dhe shumëpalësh, integrimin evropian, situatën në rajon dhe zhvillimet e fundit ndërkombëtare.

Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Austrisë janë tradicionalisht të shkëlqyera dhe datojnë herët në histori. Austria, përkrahësja e vendosur e pavarësisë së Shqipërisë, është sot avokate e interesave tona strategjike.

Austria ka ndihmuar dhe investuar shumë në Shqipëri dhe mbetet mbështetëse e rëndësishme e përpjekjeve shqiptare për ndërtimin e një demokracie të qëndrueshme funksionale, konsolidimin e shtetit ligjor dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Përcolla falënderimet dhe mirënjohjen e popullit shqiptar për qeveritë dhe popullin austriak.

Synojmë të mbështesim rritjen e bashkëpunimit të gjithanshëm, të intensifikojmë dialogun politik nëpërmjet shkëmbimeve të rregullta dhe vizitave në të gjitha nivelet dhe, veçanërisht, ato të nivelit të lartë,

Austria është një nga tre vendet më të rëndësishme për investime direkte në Shqipëri, në sektorët e: sigurimeve, bankave, hidrocentraleve, minierave, industrisë përpunuese, studiove ligjore, hotelerisë dhe një partner i rëndësishëm tregtar. Shoqërimi nga një grup i fuqishëm biznesi dhe përfshirja e Forumit të Biznesit Austri-Shqipëri në agjendën e kësaj vizite është shprehje e besimit dhe interesit në rritje të sipërmarrësve austriakë për Shqipërinë, në  ndjekje të eksperiencave të suksesshme.

Gjithashtu, projektet e rëndësishme si TAP dhe Projekti Adriatiko-Jonian ofrojnë mundësi të shumta edhe për kompanitë austriake.

E sigurova homologun tim se biznesi austriak do të vazhdojë të gjejë këtu një ambient miqësor dhe se qeveria dhe institucionet shqiptare do të jenë krah tij nëpërmjet një infrastrukture ligjore favorizuese, reformave në administratë, luftën kundër informalitetit dhe korrupsionit, aftësimit të mëtejshëm të fuqisë punëtore sipas standardeve të BE-së, etj.

Vura në dukje dhe gjeta mirëkuptimin se marrja e statusit të vendit kandidat, nga ana e Shqipërisë, këtë qershor, bazuar në meritë, është ndalesa e radhës në itinerarin e saj evropian. Ajo është njohje e arritjeve të deritashme dhe stimul shumë inkurajues përtë ardhmen. Shpreha vendosmërinë tonë për të vazhduar reformat në përgjithësi, me fokus të veçantë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe reformimin e plotë të drejtësisë nëpërmjet një procesi transparent, bazuar në profesionalizëm, meritë dhe duke e ruajtur nga ndikimet politike dhe grupet e interesit.

Ndamë mendimin se Shqipëria dhe shqiptarët po luajnë një rol të rëndësishëm për stabilitetin, sigurinë, bashkëpunimin, krijimin e një imazhi të ri dhe integrimi në rajon. Kësaj klime i shërbejnë edhe bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Komisioneres Ashton.

Austria është aktor i rëndësishëm në rajon dhe shpreh bindjen se ajo mund të luajë një rol të madh në integrimin e tij në Bashkimin Evropian, në përfshirjen e Kosovës në nismat rajonale dhe më gjerë.

Duke vazhduar të jetë në linjë me aleatët tanë të NATO-s dhe BE-së. Shqipëria mbështet fort unitetin, pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe ka dënuar aneksimin e Krimesë dhe Sevastopolit, si shkelje e të drejtës ndërkombëtare, si një precedent kërcënues për stabilitetin afatgjatë në hapësirën evropiane dhe rreth saj. Të vetmet zgjedhje, që do të njihen nga ana jonë, janë zgjedhjet presidenciale të 25 majit, zhvillimi i të cilave te lira dhe te suksesshme është shumë i rëndësishëm për të ardhmen Ukrainës.

Krahasimi me Kosovën është një përpjekje e dobët për t’u justifikuar me anë të precedentit.

Unë i uroj edhe një herë mirëseardhjen Presidentit Fischer, këtij personaliteti të shquar me merita të veçanta në zhvillimin e marrëdhënieve shqiptaro-austriake, dhe bashkë me delegacionin që e shoqëron, qëndrim të këndshëm në Shqipëri. Ju faleminderit!”