Mblidhet Konferenca e Kryetarëve, nuk miratohet kërkesa e PD për ngritjen e komisionit hetimor lidhur me trafikun e drogës

440
Sigal

Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta,  ku ishin të pranishëm nënkryetarët e Kuvendit, kryetarët  e grupeve parlamentare, kryetarët  e komisioneve të përhershme, u mblodh sot Konferenca e Kryetarëve dhe miratoi Draft Kalendarin e Punimeve të Kuvendit (26 maj -13 qershor 2014), si dhe Draft Programin e Punimeve të Kuvendit ( 26 maj -04 korrik 2014).

 Fillimisht, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta njohu anëtarët e pranishëm me projektligjet e parashikuara si dhe me axhendën e punimeve të Kuvendit për ditët në vijim.

 Z. Ilir Meta sqaroi se në mbështetje të nenit 26 të Rregullores në projektprogram janë përfshirë të gjitha çështjet që janë depozituar për shqyrtim dhe miratim, si dhe ato të mbartura nga programi aktual në projektkalendar  edhe ato nisma që plotësojnë afatin dy javor të depozitimit në Kuvend të parashikuar në projektprogram.

 Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike z. Edi Paloka kërkoi që të rishihet edhe një herë vendimi për komisionin hetimor lidhur me trafikun e drogës. Gjithashtu , z. Paloka kërkoi  përfshirjen në kalendar edhe të raportit të komisionit hetimor për policinë.

 Në përgjigje të kërkesës së Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike lidhur me këtë çështje, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta sqaroi se kjo është një çështje me të cilën po merren organet e drejtësisë.

 Kryetari i komisionit të Edukimit dhe Medias,  z. Genc Pollo kërkoi  mospërfshirjen  e projektvendimit  për publikim e shpalljes së vendit vakant të kryetarit të AMA-S, në rendin e ditës të seancës plenare të ditës së enjtes .