Shkarkimet selektive nga Vettingu/ Një tjetër gjyqtare fiton në Strasburg

Një ndër vendimet e marra në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, është ai që i hap rrugë pagesave për llogari të ish-anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Antoneta Sevdari. Ish-prokurorja u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit më 28 shkurt 2019, por ia doli të triumfojë në Gjykatën e Strasburgut, ku vetting-u doli ngelës. Më 13 dhjetor të vitit të shkuar ‘Strasburgu’ doli në konkluzionin se ka pasur shkelje gjatë procesit të vlerësimit ndaj ish-anëtares së KLP-së, Drejtësia europiane vendosi që shteti shqiptar të dëmshpërblejë të gjitha shpenzimet e kryera gjatë procesit nga ana e prokurores së shkarkuar. Sipas përllogaritjeve për llogari të Sevdarit do të shkojnë 19.600 euro që lidhen me dëmin pasuror dhe jopasuror, si dhe 5.000 euro për kostot dhe shpenzimet. Për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është caktuar përgjegjëse Ministria e Financave. Vendimi i Këshillit të Ministrave me titull: “Për ekzekutimin e Vendimit të Gjykatës Evropiane Për të Drejtat e Njeriut, datë 13.12.2022 për çështjen “Sevdari kundër Shqipërisë” (për kërkesën nr.40662/19)”, ka vendosur në pikën e parë, Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 13.12.2022, për çështjen “Sevdari kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.40662/19, përfundimtar në datën 13.3.2023, në shumën 19 600 (nëntëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind) euro, në lidhje me dëmin pasuror dhe jopasuror, si dhe në shumën 5 000 (pesë mijë) euro, në lidhje me kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme. Në pikën e dytë të këtij vendimi thuhet: Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku depozitohet shuma në datën e kryerjes së pagesës.Ndërsa sipas pikës tre vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkueses Antoneta Sevdari, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 13.12.2022, “Sevdari kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.40662/19. Pagimi i shumës të depozituar, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të kërkueses Antoneta Sevdari, bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita kur vendimi i gjykatës është bërë përfundimtar. Mbi shumën e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, duke filluar nga data 13.6.2023 deri në datën e ekzekutimit të këtij vendimi, paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me kursin margjinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus 3 (tre) %. Pika e radhës e këtij vendimi përcakton efektet financiare, të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për vitin 2023 dhe për këtë vendim ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Sigal