Sokol Hazizaj: Kushtetuta dhe Konventa Evropiane, janë garanci për Fjalën e Lirë

577
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Qeveria përgatit paketën ligjore “Antishpifje”. Përplasen me akuza të ndërsjella kryeministri Rama dhe Basha

Përditë dalin akuza dhe denoncime për inkriminimin e zyrtarëve të lartë, deputetëve dhe korrupsionin e ministrave dhe drejtuesve të lartë të qeverisë. Prokuroria deri tani, edhe kur njofton se ka filluar hetimet, nuk ka çuar asnjë dosje, asnjë padi të hetuar në gjykatë. Kryeministri Rama, duke u ndodhur përballë akuzave të forta, ka bërë edhe rolin e kryeprokurorit dhe kryegjykatësit, si në rastin e fundit të nënkomisarit Nuhu, duke e quajtur “Horr” dhe u betua si kryepolic, se do ta ndiqte këmba këmbës.

Kryeministri Rama: Gati paketa ligjore “Antishpifje”

Dje, kryeministri Rama, edhe pse në mënyrë të tërthortë, zbardhi një paketë ligjore, që e quajti “Antishpifje”. Sipas kryeministrit kjo paketë “Antishpifje” bëhet nga qeveria për t’u dhënë fund karagjozllëkut të madh politik e mediatik. Pyetja që lind është: Qeveria, me kë e ka konsultuar këtë paketë ligjore? E ka hartuar vetë dhe kërkon që ta miratojë në parlament, edhe sikur të mungojë opozita, për shkak të bojkotit? Nëse është nismë ligjore, qeveria duhet ta kishte parashtruar për diskutim dhe debat në publik, ku të gjithë grupet e interesuara të japin mendime. Kjo paketë ligjore “Antishpifje” nuk është e përmasave të VKM, që të jetë thjesht një nismë ekskluzive e qeverisë, as një ligj i thjeshtë, që kërkon vetëm votim të thjeshtë në parlament. Paketa ligjore “Antishpifje” është nismë kushtetuese, dhe si e tillë, së pari, kërkon debat të gjerë, përpara se të hartohet si projektligj. Pyetje e dytë është: A kemi mangësi kushtetuese, ligjore për të ndërmarrë tani një nismë të tillë? Qeveria e kryeministrit Rama edhe më përpara është përpjekur të kalojë në parlament një projektligj analog, i cili u cilësua nga Shoqëria Civile dhe opozita si “ligji i Agjitacionit dhe Propagandës: dhe natyrisht nuk mundi të kalonte për miratim në Parlament. A duhet një paketë ligjore për të sanksionuar qeveria kufijtë e lirisë së fjalës, (kupto, kufijtë e kritikës ndaj qeverisë)? Neni 3 i Kushtetutës së Shqipërisë sanksionon ndër të tjera se “……dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore….janë bazat e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë”. Për përgjigjen e kësaj pyetjeje, iu drejtuam konstitucionalistit Sokol Hazizaj.

Konstitucionalisti Sokol Hazizaj: Merak kam fuqinë prapavepruese të ligjit

Konstitucionalisti Sokol Hazizaj në një prononcim ekskluziv për gazetën “Telegraf” prezanton edhe Konvertën Evropiane të të Drejtave të Njeriut të cilat sanksionojnë Lirinë e Fjalës, si edhe nenet e Kushtetutës së Shqipërisë dhe pohon se kuadri ligjor është i plotësuar dhe Liria e Fjalës në Shqipëri është e garantuar. Duke u shprehur për nismën e paketës ligjore të qeverisë “ Antishpifje” konstitucionalisti Sokol Hazizaj shpreh qartë shqetësimin e vet, se nga ky ligj (nëse miratohet) ka merakun e fuqisë prapavepruese, që do të thotë zbatim të selektuar të ligjit në shërbim të politikave dhe interesave të caktuara, duke cenuar Lirinë e Fjalës.

Neni 120 i Kodit Penal parashikon “Përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër, duke e ditur se janë te rremë, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë. Po kjo vepër, kur kryhet botërisht përben kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë….”

Neni 10 te Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut:

“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe liritë për të marrë, ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marre parasysh kufijtë. Ky nen nuk i ndalon shtetet, që të kërkojnë licencimin e ndërmarrjeve të transmetimit kinematografike, ose televizive.

Neni 10/2 i Konventës lë pak hapësirë për kufizime ndaj fjalimeve politike, apo për debate për çështje të një interesi publik. Për më tepër, kufijtë e kritikës së pranueshme janë më të gjerë për një politikan, sesa për një individ privat. Në ndryshim nga ky i fundit, i pari në mënyrë të paevitueshme dhe me dijeni bëhet objekt i një vëzhgimi të afërt të fjalëve dhe veprave….dhe në vijim ai duhet të tregojë një shkallë më të madhe tolerance..

Nga ana tjetër, nenet 22 dhe 23 te Kushtetutës se Republikës së Shqipërisë garantojnë lirinë e shprehjes dhe të drejtën e informimit. Në të njëjtën kohë neni 3 i Kushtetutës sanksionon ndër të tjera se “…dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore…janë bazat e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë”.

Merak kam fuqinë prapavepruese të ligjit, duke filluar nga ai dhe shpifjet prej tij që janë bërë në politikë.

Deputeti Bylykbashi: Qeveria u jep mbështetje kriminelëve

Dje Komisioni i Ligjeve dhe Këshilli i Legjislacionit zhvilluan seancën e dytë për të shqyrtuar ndryshimet Kushtetuese të vettingut në politike. Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi deklaroi gjatë seancës se vettingu i politikës nuk pengon reformën në Drejtësi, kjo është një nismë që plotëson ligjin e dekriminalizimit. Bylykbashi: Vettingu është një proces krejtësisht i shkëputur dhe i pavarur nga vettingu në drejtësi. Ai nuk ka asnjë lidhje dhe apo ndikim negativ apo pengesë për vettingun në drejtësi. Vettingu i politikanëve nuk përjashton dhe nuk ka asnjë ndikim për hetimet penale të politikanëve dhe njerëzve të lidhur me ta, nga çdo lloj institucioni hetimi qoftë nga prokuroritë e rretheve qoftë nga prokuroria e sotme e krimeve të rënda apo SPAK dhe BKH kur ato të krijohen. Përkundrazi, ky proces u jep burime dhe raste hetimi këtyre institucioneve. Opozita nuk do të pranojë dhe as tolerojë asnjë vonesë në miratimin e vettingut të politikanëve. I gjithë procesi në këtë komision ka pikërisht këtë qëllim. Të vonojë, shtyjë dhe hedhë poshtë vettingun e politikanëve. Shqiptarët e mbështesin vettingun e politikanëve. Edi Rama ka deklaruar publikisht se është kundër. Sa më gjatë të kemi politikanë të lidhur me krimin në Kuvend, qeveri, bashki, etj, aq më keq për shqiptarët që dhunohen, grabiten dhe përdhunohen çdo ditë nga krimi. Ngjarja e fundit provon se krimi ka kapur shtetin me ndihmën e pushtetarëve të lidhur me krimin. Bashkëqeverisja me krimin e ka sjelle vendin në një emergjencë kombëtare. Ju po bëni dhe do të bëni gjithçka për ta zvarritur, por nuk do ta ndalni dot vetingun e politikanëve. Siç nuk ndalet dot dekriminalizimin. Kuvendi dhe qeveria që sot janë në duar te krimit, do t’i kthehen popullit. Me çdo kusht dhe me çdo çmim. Në këtë vend nuk do të ketë as zgjedhje, as demokraci, as parlament, as drejtësi, as ekonomi, pa ndarë politikën nga krimi.