Kreu i Inspektoriatit të lartë të drejtësisë, z. Artur Metani në vijim të takimeve me drejtues të lartë të Fakulteve të Drejtësisë Publike u ndal të premten në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Ai u prit në takim nga Rektorja, znj Rajmonda Këcira, Dekani i Fakultetit të drejtësisë, z. Gasper Kokaj. Në përfundim të takimit informues u nënshkrua dhe një memorandum bashkpunimi mes institucioneve që përfaqësojnë, ku parashikohet mundësi e realizimit të praktikës për studentët e Departamentit të së Drejtës, pranë Zyrës së I LD-së.
Gjatë takimit z. Metani u shpreh se: “Unë mendoj thellësisht që reforma në drejtësi nuk mund të ketë sukses nëqoftëse nuk është kontributi i të gjithë shoqërisë dhe të gjithë aktorëve që marrin pjesë në drejtimin shoqëror, ekonomik, social, por edhe të drejtësisë në Shqipëri, siç është edhe Fakulteti i Drejtësisë së Shkodrës, pjesë e profesionistëve të ardhshëm të sistemit në Shqipëri.”
Nga ana tjetër z.Kokaj shprehu vlerësimin për zyrtarizimin e bashkëpunimit me ILD-në. “Më vjen mirë që një Institucion kaq i rëndësishëm në shtetin shqiptar, mbi të gjitha në pjesën e drejtësisë në kuadër të reformës, merr iniciativën dhe na fton për të bërë një marrëveshje të tillë.”Më pas z. Metani zhvilloi një leksion të hapur me studentë të Fakultetit të Drejtësisë mbi rolin e ILD-së në arkitekturën e re të sistemit të Drejtësisë