Krerët e shteteve deklaruan se është koha të përshpejtojmë anëtarësimin në BE. Presidentët Begaj, Osmani dhe Pendarovski inaguruan bustin e Nënë Terezës në ambasadën e Kosovës në Shkup

12
Sigal

Presidenti Begaj merr pjesë në inaugurimin e bustit të Nënë Terezës në Ambasadën e Kosovës në Shkup

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Prof.Dr. Bajram Begaj, së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, si dhe me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Sh.T.Z. Stevo Pendarovski, morën pjesën në inaugurimin e bustit të Nënë Terezës në oborrin e Ambasadës së Kosovës në Shkup. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Presidenti Begaj përgëzoi Ambasadën e Kosovës për iniciativën. “Kurrë mos u shqetëso për numrat – na mësonte Nënë Tereza, por – ndihmo dikë, duke filluar me ata që ke pranë”. E ku më mirë se mes nesh, e këtu në rajonin tonë, ka vlerë ky mesazh solidariteti dhe bashkëpunimi, sa njerëzor aq edhe institucional” – u shpreh në fjalën e tij Presidenti Begaj. Sipas Presidentit Begaj, devotshmëria e Nënë Terezës në ndihmë të njerëzve në nevojë, dhembshuria dhe përpjekjet e saj për t’ju dhënë shpresë atyre në mjerim, na motivon çdo ditë në jetën dhe punën tonë, për të qenë pranë njerëzve e për të jetuar me shqetësimet e tyre. Kreut i Shtetit theksoi gjithashtu: “Jemi krenarë që jemi pjesë e trashëgimisë së saj etnike e kulturore, por kjo nuk mjafton! Duhet që me përulësi e mirënjohje ta ruajmë atë trashëgimi vlerash të larta morale që ajo na la e të jemi gjithmonë pranë njerëzve, veçanërisht pranë atyre që kanë më shumë nevojë”.

Presidenti Begaj në Samitin e Brdo Brijuni. Krerët e shteteve zotohen për përshpejtim të procesit të anëtarësimit në BE

Samiti i rëndësishëm i Brdo Brijuni, që u zhvillua në Shkup u mbyll të hënën me një deklaratë të rëndësishme ku krerët e shteteve anëtare u zotuan për të njohur dhe theksuar rëndësinë kritike të përshpejtimit të procesit të integrimit të vendeve perëndimore në BE. Në këtë takim mes krerëve të shtetit ishte edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë prof. dr. Bajram Begaj. Në deklaratën e këtij samiti të përvitshëm krerët e shteteve thanë edhe se e njohim rëndësinë kritike të edukimit dhe mbajtjes së të rinjve brenda Ballkanit Perëndimor dhe se besojnë fuqimisht se shfrytëzimi i potencialit të të rinjve është thelbësor për avancimin e shoqërive tona dhe nxitjen e prosperitetit afatgjatë. Në deklaratën përmbyllëse thuhet edhe se “Ne mirëpresim Paketën e Mbështetjes së Energjisë prej 1 miliard € për Ballkanin Perëndimor, me të cilën BE-ja zgjeroi të njëjtat masa solidariteti, që ishin marrë brenda BE-së pas agresionit të Federatës Ruse kundër Ukrainës, si mbështetja e familjeve të cënueshme dhe ndërtimi i infrastrukturës së re energjetike”.

Presidenti i Shqipërisë takon Presidentin e Maqedonisë së Veriut

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Prof.Dr. Bajram Begaj gjatë vizitës që po kryen në Shkup në pjesëmarrjen në Procesin e Brdo Brijuni ka kryer edhe disa takime të rëndësishme. Një prej tyre edhe ai më Presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut Pendarovski. “Së bashku me mikun tim, Presidentin Stevo Pendarovski, vlerësuam marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilat janë një shembull i bashkëpunimit konstruktiv, në interes jo vetëm të përparimit të të dy vendeve, por të gjithë rajonit.” – tha Presidenti Begaj në një reagim mbi takimin.

Presidenti i Shqipërisë takon Presidentin e Malit të Zi

Përmes një reagimi Presidenti i Republikës së Shqipërisë Prof.Dr. Bajram Begaj ndau momente gjatë qëndrimit që po kryen në Shkup  ku po merr pjesë takimin e rëndësishëm për krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në Procesin e Brdo Brijuni. Presidenti Begaj u takua edhe me Presidentin e Republikës së Malit të Zi Milatovic. “Forcimi i bashkëpunimit me Malin e Zi dhe interesi i përbashkët për avancimin e axhendës evropiane ishin në fokus të takimit tim me Presidentin Jakov Milatovic. Dy vendet tona kanë rol të rëndësishëm në kuadër të stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit.” – tha Begaj.