“KQZ-ja zbaton urdhrin e qeverisë për mandatet e deputetëve”

479
Sigal

INTERVISTA/Genc Gjoncaj, përfaqësuesi ligjor i PS-së: “Rishpërndarja e mandateve të deputetëve, me të dhënat e MB-së, është shkelje e ligjit”

Sot KQZ-ja do të shqyrtojë P/vendimin për rishpërndarjen e mandateve të deputetëve, në bazë të listës emërore që ka paraqitur ministria e Brendshme. PS-ja e ka kontestuar këtë p/vendim, i cili i heq Beratit e Korçës nga një mandat, për t’ja kaluar Kukësit. Përfaqësuesi i ligjor i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj, në intervistën për “Telegraf” argumenton përse rishpërndarja e mandateve të deputetëve me të dhënat e MB-së është shkelje e ligjit.

–  Zoti Gjonçaj, përse sipas jush, rishpërndarja e mandatit të deputetëve është shkelje e ligjit?

– Paraprakisht sqarojmë se ky proces, pra ai i  gjendjes aktuale të numrit të popullsisë për çdo njësi vendore, është monitoruar nga ana e PS-së dhe informacioni nga Ministria e Brendshme për gjendjen aktuale të numrit të popullsisë për çdo njësi vendore është vënë në dispozicion vetëm për muajin maj dhe qershor dhe se të gjitha kërkesave të tjera, për këtë informacion të grupit parlamentar të PS-së, për këtë çështje Ministria e Brendshme nuk i është përgjigjur, konkretisht për muajt korrik, shtator dhe tetor. Më duhet të theksojmë se, kjo është një kërkesë e ligjshme e bazuar në nenin 8 të ligjit për “Statusin e deputetit” dhe që përbën një shkelje të rëndë të këtij ligji. Më duhet të theksoj gjithashtu se, rekomandimet e OSBE/ODHIR-it  për zgjedhjet e vitit 2009  e vënë fuqimisht theksin e krijimit të klimës së besimit midis opozitës, shumicës parlamentare dhe qeverisë gjatë procesit të hartimit të regjistrit civil.

– A është konsultuar opozita dhe maxhoranca paraprakisht për çështjen e rishpërndarjes të mandateve të deputetëve?

–  Banka e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile duhet të pastrohet më tej dhe të përditësohet me qëllim që të përmirësohet cilësia e listave të zgjedhësve. Për këtë qëllim, rekomandohet që të forcohen dhe të ruhen kapacitetet e duhura administrative. Si shumica parlamentare, ashtu dhe opozita duhet të konsultohen në këtë proces, për të siguruar transparencë, për të trajtuar mangësitë që mbeten dhe për të parandaluar që regjistrimi civil dhe regjistrimi i zgjedhësve të bëhet përsëri një çështje politike dhe fushate. Kjo gjë nuk ka ndodhur dhe kjo është një përgjegjësi direkte e Ministrisë së Brendshme dhe qeverisë .

–  Ku është kontestimi juaj për të dhënat që sjell Ministria e Brendshme për lëvizjet e popullsisë nëpër qarqe?

– Nëse do të vëzhgonim të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, të vëna në dispozicion nga KQZ-ja, për periudhën qershor – nëntor ajo çfarë të binte shumë në sy është fakti i ritmeve të larta që ka shtimi i popullsisë në Qarkun e Kukësit jashtë çdo lloj trendi normal po ta krahasosh me pjesë të tjera të vendit.  Sipas formulës matematike  dhe të dhënave të vëna në dispozicion nga MB-ja për muajin maj 2012, Qarku i Kukësit duhej të kishte 3 deputetë dhe Qarku i Beratit duhej të kishte 8 deputetë, ndërkohë që sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga kjo ministri në muajin nëntor numri i popullsisë të Qarkut të Kukësit është i tillë që lejon llogaritjen e 4 mandateve për këtë qark. Bazuar në shifrat përkatëse të materialit të vënë në dispozicion nga KQZ, lehtësisht vihet  re se rritja e popullsisë për të 12 qarqet e vendit për periudhën qershor – nëntor 2012 është 0.39%. Ndërkohë që, rritja për të njëjtën periudhë për Qarkun e Kukësit është 0.63%, më e madhja në të gjitha Qarqet pas Tiranës me 0.75% dhe para Qarkut të Durrësit që vjen i treti me 0.51

– Ju këto të dhëna të popullsisë, të sjella  nga ministria e Brendshme, për të argumentuar rishpërndarjen e popullsisë, si i konsideroni?

– Gjithë konstatimet e mësipërme, por dhe shumë të tjera që cilat nuk po i paraqesim të detajuara, nuk janë tallje për banorët e Kukësit, por janë një denoncim për ata marifetçinj të MB-së që përpiqen të shtojë numra dhe atje ku realisht nuk janë reale. Ju kujtoj se një eksperiencë e njëjtë ndodhi dhe me zgjedhjet e vendore në Bashkinë e Tiranës ku nga kjo foletore kemi denoncuar me forcë shtimin e numrave në këtë Bashki nëpërmjet transferimeve të ndodhura në gjendjet civile të njësive bashkiake të kësaj bashkie. Më mirë se kushdo, këtë e dinë ata nëpunës të qeverisë, të cilët u urdhëruan për të bërë transferimet e gjendjes së tyre civile dhe të familjarëve të tyre pranë njësive të kësaj bashkie.

– Hetimi që ju kërkuat të bëjë KQZ-ja në cilat çështje i adresoni?

– Së pari, nga ana e KQZ- së duhet t’i kërkohen shpjegime të hollësishme MB-së për Qarkun e Kukësit, e  veçanërisht për Komunat Topojan, Shishtavec, Fierzë dhe Tropojë dhe që kanë të bëjnë me pyetjet: 1- Si është shtuar numri i popullsisë për muajt qershor – nëntor 2012 për Komunat Topojan, Shishtavec, Fierzë dhe Tropojë. 2- Kush janë këta persona si dhe cili është dokumentacioni shoqërues që ata kanë paraqitur pranë njësive përkatëse vendore sipas përcaktimeve të VKM se nr. 1243 datë 11.12.2009, e konkretisht: kërkesën me shkrim të tyre, dokumentacionin e pronësisë së banesës ose kontratat e qiramarrjes, fotokopje të letërnjoftimit të çdo personi madhor,  3- Nga cilat njësi të pushtetit vendor janë transferuar këta shtetas. Së dyti, kërkojmë gjithashtu, një raport të hollësishëm mbi të gjitha “pastrimet” në listat e zgjedhësve nga dublimet, të bëra këto nga ana e MB-së, prej vitit 2009, vit në të cilin janë mbajtur zgjedhjet e fundit parlamentare dhe deri në muajin nëntor 2012.

– Faleminderit!

LLOGARITJA E MANDATEVE TË DEPUTETËVE

Numri total i shtetasve 4,312,210 është pjesëtuar me numrin 140 të mandateve të Kuvendit, ku është përcaktuar numri 30,802, si numri mesatar i shtetasve që i takojnë çdo mandati (numri real i dalë nga pjesëtimi është 30,801.500). Numri i shtetasve për çdo zonë zgjedhore është pjesëtuar me numrin mesatar të shtetasve që i takojnë çdo mandati (30,802) dhe çdo zone zgjedhore i është caktuar një numër mandatesh i barabartë me numrin e plotë të përftuar nga ky pjesëtim. Pas këtij veprimi ngelen pa u shpërndarë edhe 6 mandate. Në bazë të nenit 75, pika 5, të Kodit Zgjedhor, këto mandate u janë shpërndarë zonave zgjedhore (qarqeve) që kanë mbetjen më të madhe pas presjes dhjetore, të numrit të përftuar nga pjesëtimi i mësipërm.