“ KQZ-ja, monopol i PD-PS, duke mos lejuar depolitizimin dhe asnjanësinë”

524
Sigal

INTERVISTA/ Publicisti Afrim Krasniqi: “ Kodi i ri Zgjedhor nuk i ka mbyllur shtigjet e vjedhjes së votës”

Procedura për zgjedhjen e Kryetarit të KQZ-së, e cila do të fillojë sot në Parlament, do t’i ngjajë procedurës së zgjedhjes të Presidentit, për faktin që- në fund të fundit- zgjedhja është e paracaktuar. Do të bëhet me 71 vota dhe pakkush mendon që maxhoranca do të lejojë që një kryetar jo i besimit të tyre, të fitojë. Madje, humbet çdo vlerë mirëbesimi vetë ky proces, derisa paraprakisht kultivohet nga opozita klima e dyshimit të vetë rezultatit zgjedhor, ende një vit para, ende kur nuk dihet, por kuptohet se cila do të jetë përbërja e KQZ-së. Ky është formaliteti politik, ku çdo produkt i saj është i paracaktuar. Zoti Afrim Krasniqi, në intervistën për “Telegraf”, duke skanuar këtë realitet politik, arrin në gjykimin, se vetë Kodi i ri Zgjedhor, nuk i ka mbyllur shtigjet e vjedhjes së votës, dhe se KQZ-ja është monopol i PD-PS, të cilat nuk mund të lejojnë depolitizimin dhe asnjanësinë e KQZ-së.

– Zoti Krasniqi, derisa zgjedhja e Kryetarit të KQZ-së, në fund të fundit, do të bëhet me 71 vota, mendoni që procedura do të synojë një produkt konsensual?

–  Ndryshimet në KQZ ishin formale, pa produkt dhe pa asnjë bazë se organi i ri do të jetë më i ndryshëm, më profesional dhe më produktiv, sesa ai aktual. Ndaj, edhe debati për kryetarin, nuk është në interes publik, është çështje procedure formale midis dy palëve politike.

– Kjo klimë e kultivuar, këto ditë, të mbjelljes të dyshimit se edhe në 2013-n, do të vidhen votat, sipas jush, ku synon? Për të krijuar, ndoshta një paraklimë, për të ndikuar në procesin e zgjedhjes të Kryetarit të KQZ-së?

– Fakti se Kodi Zgjedhor u shkel vetëm dy javë pas hyrjes në fuqi, pra Parlamenti nuk zbatoi pikën detyruese për nisjen e menjëhershme të procedurës për zgjedhjen e kreut të ri të KQZ-së, është paralajmërim se palët politike, sidomos maxhoranca, nuk ka ndryshuar qëndrim në standardet e saj të dyfishta dhe minimale për zgjedhjet. Për to nuk kanë rëndësi as afatet, as ligjet, as detyrimet, as angazhimet bipartiake, – gjithçka varet nga interesi politik ditor dhe interesi për fitoren e zgjedhjeve me çdo kusht. Ndaj, edhe rotacioni në KQZ nisi me debat proceduarial dhe do të vazhdojë i tillë, por e theksoj, pa ndonjë rëndësi për publikun, pasi mbetet e qartë se zgjedhjet e vitit 2013-s do të jenë shumë problematike dhe të vështira, në kushtet, kur palët nuk kanë as korrektësinë më minimale në raport me detyrimet ndaj Kodit dhe legjislacionit plotësues në Shqipëri.

– Mos ndoshta paraklima e dyshimit të çdo rezultati zgjedhor, ka të bëjë me pasigurinë që ndjejnë në vetvete dhe me ndërtimin e një alibie të një humbje të pritshme?

– Nuk besoj se, palët besojnë se do të fitojnë dhe as do të humbin në zgjedhjet e vitit 2013-s. Ato e dinë se ndodhen shumë pranë njëra tjetrës dhe se diferenca, më shumë se në vota, ndodhet në aftësinë për gjetjen e aleatëve të duhur, si dhe shfrytëzimi i privilegjeve që të jep/merr pushteti. Në maxhoritar, si në zgjedhjet e fundit lokale, KQZ-ja ka një rol thelbësor, sepse një vendim i tij ndryshon rezultatin, kurse në proporcional, hapësira e tij për ndërhyrje dhe përcaktim rezultati është gati minimale. Kodi nuk ka mbyllur shtigjet e vjedhjes së votës, vetë sistemi e pranon devijimin e saj nga partitë e treta dhe ato të vogla tek partitë e mëdha. Pra PD-PS kanë vendosur paraprakisht të fitojnë vota, që nuk janë të tyre, për shkak të formulës lokale, refuzimit të depolitizimit të administratës zgjedhore, kontrollit të tyre monopol të zgjedhjeve, refuzimit të korrektimit kombëtar, refuzimit të votës së emigracionit dhe detyrimit të partive të vogla për koalicion nënshtrues ndaj tyre. Më 2013-n secila palë mund të ketë pretendime, por nuk besoj se do të ketë kontestime thelbësore. Zgjedhjet e vitit 2009-n treguan se partia më e votuar e humbi pushtetin për shkak të formulës.  Zgjedhjet e vitit 2013-s mund të tregojnë se, pavarësisht rezultatit të partive kryesore, një palë e tretë mund të vendosë balancën dhe fatet e pushtetit politik, duke zgjedhur partnerin në koalicion ose duke detyruar dy partitë e mëdha të bëjnë koalicion të madh.

– PS-ja, edhe një herë deklaroi që është për heqjen e imunitetit, por me kushtëzimin e amendamenteve të saj për ndryshimet në Kushtetutë. Mirëpo PS-ja nuk bën fjalë gjëkundi që kërkon ndryshimin e zgjedhjes të Presidentit me 84 vota. Sa vlerë do të kenë amendamentet e PS-së, edhe sikur të miratohen, pa një President të zgjedhur më votë të cilësuar?

– Në politikë gjithçka mund të ketë lidhje, sepse ajo nuk është matematikë, ku 1 dhe 1 bëjnë 2. Në politikë 1+1 bëjnë sa të duash. PS-ja mendon se është rasti për të lidhur imunitetin me reforma të tjera, PD-ja thotë se janë dy gjëra të ndara. Kjo është taktikë, strategji dhe nuk ka të bëjë me thelbin e problemit, – përpjekjet e palëve për të përfituar nga momenti në dëm të shtetit, sistemit qeverisës dhe procesit integrues. Nuk ka opozitë në botë që thotë, “Ok”, ju jap të gjitha votat pa asnjë kusht. Politika ndërtohet me marrëdhënie dhe është normale, që në shkëmbim të votave, të ketë nisma të tilla. Siç nuk ka maxhorancë në botë që thotë kam 71 vota, por do ta miratoj ligjin me 84 vota, sepse opozita duhet të më votojë. Ose, në të kundërt, bëj gjënë më absurde, kaloj në referendum. Pse? Thjesht, që të mos pranoj uljen në tryezë me opozitën? Apo, që ta përdor imunitetin si test publik paraelektoral? Të dyja janë. Siç është edhe një e tretë: se pellgu politik është korruptuar as shumë, sa është iluzion për ne të shpresojmë se të korruptuarit do të mblidhen, do heqin imunitetin dhe do vendosin drejtësi për veten dhe për ne.

– Me konkretizimin e 12 prioriteteve, a kemi edhe një cilësi të re demokratike për shqiptarët dhe Shqipërinë?

– 12 kërkesat e BE nuk janë statike, pra, edhe nëse ka vullnet realizimi, ato nuk përmbushen për dy javë dhe as dy muaj. P.sh, kërkohet rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, një sistem drejtësie efikas dhe një administratë civile e qëndrueshme dhe e aftë. Mjaftojnë këto pika për të kuptuar se 12 kriteret janë themeli i zhvillimit të një demokracie funksionale dhe shteti të së drejtës dhe për realizimin e tyre kërkohet shumë punë, përkushtim dhe strategji konsensuale afatgjatë. Gjë që nuk ka ndodhur. Sepse, kur flitet për korrupsion, atë nuk e bëjnë qytetarët e thjeshtë, e bëjnë ata që firmosin, marrin vendime, pra e bëjnë zyrtarët dhe vendimmarrësit. Kur flitet për drejtësi të pavarur, rregullat përsëri i bëjnë të njëjtët, deputetët, parlamenti dhe qeveria. Kur flitet për administratë, nuk është çështje e zyrtarit të vogël në ministri, por e titullarit që emëron e shkarkon sipas urdhërimit politik, apo njohjes personale, apo e partisë që e përdor rregullisht administratën si turmë për mitingje dhe fushatë elektorale. Realizimi i këtyre pikave e shkëput modelin parademokratik shqiptar nga tranzicioni dhe e fut vendin në një fazë të re konsolidimi dhe zhvillimi. Gjë për të cilën, ende asnjëra palë politike nuk është e interesuar, sidomos maxhoranca, pasi me arritjen e këtij synimi ngushtohet ndjeshëm hapësira e saj për qeverisje pa kontroll, pa transparencë dhe pa bezdinë e organeve të ligjit. Kjo është edhe arsyeja që me të drejtë diplomatët e huaj në Tiranë theksojnë e ritheksojnë se plotësimi i 12 kritereve është në interes të vendit dhe qytetarëve, pastaj të BE-së, pra që reformat bëni për veten tuaj, pastaj si detyrime ndaj një bashkësie tjetër, ku dëshironi të bëni pjesë.

– Ndryshimet në Kodin Zgjedhor lidhur me KQZ-në

1. U pranua dështimi i KQZ-së aktuale dhe rënia e ndjeshme e imazhit dhe besueshmërisë për shkak të rolit negativ dhe gati partiak në zgjedhjet e fundit lokale.

2. U vendos ndërprerja e mandatit për disa anëtarë të KQZ-së, përfshirë kryetarin, duke ndjekur traditën e mosrespektimit të asnjë prej mandateve kushtetuese e ligjore të këtij organizmi.

3. U ruajt e paprekur ndarja midis PD-PS e monopolit të përfaqësimit në KQZ, duke mos lejuar depolitizimin dhe asnjanësinë.

4. U shpik një formulë e re për kryetarin e KQZ-së, e cila nuk sjell asnjë produkt me rëndësi, thjesht zëvendëson Ristanin si të deleguar të PD-së me një të deleguar tjetër të kësaj partie.

Imuniteti politik dhe ai juridik

Kur ne pranojmë se një deputet mund të bashkëjetojë dhe bëjë biznes abuzues e preferencial  me një biznesmen duke mos e përfshirë këtë në konflikt interesi; kur dy ministrave u mbyllet dosja për skadime të afatit hetimor dhe procedurë, apo kur gjykata dënon 12 deputetë për shpifje por refuzon të hapë proces kur shpifja bëhet direkt nga kryeministri,  imagjino sa absurde dhe e pasinqertë është të dëgjojmë të flasim pastaj për imunitetin dhe anti-korrupsionin.

 – Debati PD-PS për imunitetin  dhe esenca e problemit

– Është e kundërta, palët I janë larguar thelbit të problemit, pushtetit të madh, ekstrakushtetues që partitë kanë në shtet, në jetën publike dhe private të qytetarëve dhe po fshihen pas frazave të imunitetit. Imuniteti ka rëndësinë e vet, por ne sot kemi tre deputetë pa imunitet dhe asgjë nuk ka ndryshuar, ata nuk janë hetuar dhe as ka ndonjë vendim për ta. Patëm ministra pa imunitet dhe nuk përfunduan përpara drejtësisë. Pra imuniteti është pengesë, por nuk është gjithçka dhe nuk sjell ndonjë garanci se gjërat do të jenë ndryshe në të ardhmen. Është sistemi politik, sistemi qeverisës, modalitetet e shtetit të së drejtës dhe standardet e demokracisë që duhen rishikuar dhe përmirësuar. Kur një banesë krijon probleme, bëhet gati e pajetueshme faji nuk kërkohet tek dritaret, tek imazhi, por në brendësinë e saj, tek njerëzit, organizimi, roli, ndarja e punëve dhe klima e komunikimit, – pika, ku edhe politika shqiptare mbetet në borxh të madh ndaj publikut.

 – Faleminderit!