Guvernatori i Sali Berishës, ja si e ka kapur politikën që hesht!

538
Sigal

Fullani, Banka e Shqipërisë vendpunësimi për familjen, pushtetarët e ekzekutivit dhe pushtetarët e politikës

 Deputeti Erjon Braçe, jep në vazhdimësi të publikimit të fakteve të reja të skandalit të shpërdorimit të miliona dollarëve në Bankën e Shqipërisë, nga Guvernatori Ardian Fullani, duke sjellë argumente te reja, në rrjetin e vet social, përse politika shqiptare hesht akoma. Sipas deputetit Erjon Braçe, shteti hesht përballë shpenzimeve abuzive të Guvernatorit Fullani, pasi pjesëtarë të familjeve të qeveritarëve janë punësuar në Bankën e Shqipërisë. Ja pjesëtarët e familjeve të politikanëve të maxhorancës që janë punësuar në strukturat e ndryshme të Bankës së Shqipërisë.

Departamentet, ku janë punësuar fëmijë, vëllezër, motra, nipër e mbesa politikanësh:

Familja

Mbesa e Guvernatorit Ardian Fullani punon në Agjencinë e Sigurimit të Depozitave në BSH. Nipi i guvernatorit Ardian Fullani punon në Departamentin e Burimeve Njerëzore në BSH. Mbesa e bashkëshortes së guvernatorit Ardian Fullani punon në Departamentin e Informatikës në BSH. Ka një arsye që i përligj shpenzimet e luksit në Bankën e Shqipërisë. Zyrat e shtrenjta, pagesat për ushqim e deri për aktivitete sportive, janë favore që i gëzojnë një numër i madh familjarësh të njerëzve me pushtet politik në këtë vend. Guvernatori Fullani, për të përligjur këto shpenzime, publikisht tha, që nuk mund të lejojë punonjësit e BSH-së ( kupto, nipërit e mbesat e tij), të marrin bukë me vete! Bij, bija, motra, vëllezër, kunetër e kunata të pushtetarëve janë të punësuar në administratën e Bankës së Shqipërisë, ku njerëzit paguhen dhe trajtohen si në asnjë institucion tjetër. Një nga emërimet e fundit me lidhje në politikë është ai i vajzës së nënkryetares së PD-së dhe Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, në Departamentin e Kërkimeve. Ndërkohë, mësohet se vajza e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, ministrit të Financave Ridvan Bode, punon në Departamentin e Stabilitetit Financiar në BSH. Në Departamentin e Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë punon djali i një tjetër funksionari të lartë të PD-së, ish-nënkryetarit të Kuvendit, Fatos Beja, i cili është aktualisht Kryetar i Komisionit Parlament për Politikën e Jashtme. Në BSH punon edhe djali i ish-kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, republikanit Robert Çeku. Djali i Çekut mësohet se punon në Departamentin e Kontabilitetit. Edhe kryetari i PD-së, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, e ka një të afërm pranë guvernatorit. Kunata e tij është këshilltare e Ardian Fullanit. Në radhët e nëpunësve të Bankës së Shqipërisë mund të gjesh pastaj familjarë të pushtetarëve të të gjitha niveleve. Të paktën tre nga zëvendësministrat e qeverisë së koalicionit PD-LSI, Eno Bozdo i METE-s, Ylli Manjani i MPPT dhe Alfred Rushaj i MF kanë njerëz të punësuar në BSH – dy të parët, motrat, i treti kunatën. Në këtë institucion janë punësuar gjithashtu të afërm të Kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha, të prefektit të Tiranës, Kletis Kruja, të ish-kreut të ALUIZN-it dhe ish-deputetit demokrat Shaban Memia etj.. Lista e nëpunësve të BSH-së me lidhje në politikë është e gjatë dhe përfshin edhe ish-funksionarë të së majtës, si Ylli Bufi, që ka të punësuar vajzën dhe Xhoana Nano vëllain. Në BSH mësohet se punon, gjithashtu, edhe një nga mbesat e udhëheqësit të fundit të PPSH-së, Ramiz Alia. Numri i nëpunësve të Bankës së Shqipërisë me lidhje direkte apo indirekte me persona të pushtetshëm është më i madh, por çfarë u numëruan më sipër janë fakte të njohura për të gjithë në administratën e fryrë e të mirëpaguar të këtij institucioni që ka për detyrë të kujdeset për paratë e shqiptarëve. Nuk ka pretendime se emërimet e sipërpërmendura janë bërë në mënyrë të jashtëligjshme. Por, logjika e thotë që diçka nuk shkon, kur sheh se sa shumë njerëz të lidhur me politikën, kanë zënë vend në karriget e paguara shumë shtrenjtë me para publike. Ky realitet mund të shpjegojë në njëfarë mënyre edhe mbështetjen e fortë që gjeti në Kuvend, Ardian Fullani, për të marrë një mandat të dytë në krye të Bankës së Shqipërisë.

Favoret

Ç’përfitojnë nëpunësit e BSH-së?

Punonjësit e Bankës së Shqipërisë, jo vetëm që janë më të mirëpaguarit në vend, por kanë edhe benefite të tjera. Si askush tjetër në këtë vend, kush punon në Bankën e Shqipërisë ka të drejtën të aplikojë të marrë kredi nga vetë banka me interes 0.5 për qind. Ky nivel konsiderohet më i ulëti, madje të pastrehët kur marrin kredi nga shteti, paguajnë interes 3 për qind (kategori e caktuar). Në “qeverisjen” e guvernatorit Ardian Fullani, Banka e Shqipërisë ka dyfishuar stafin dhe fondet për shpenzime personeli janë rritur çdo vit, sikurse edhe për pagat, duke kapërcyer 1 miliard lekëshin. Kështu në vitin 2009, shpenzime për personelin ishin 950 milionë lekë, kurse në vitin 2012, sipas të dhënave zyrtare nga buxheti i miratuar i vetë bankës, ka arritur në 1.3 miliardë lekë, pra 400 milionë më shumë, ose 30 për qind më tepër. Në shpenzimet për personelin, BSH përfshin edhe kompensim për ushqimin, si dhe financim për aktivitete sportive në shifra tepër të larta.

Zbardhja e vendimeve të Këshillit Mbikëqyrës të BSH për ndryshimin e procedurës së prokurimit të blerje/marrje me qira të objekteve për nevojat e BSH-së

Në vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të BSH, nr 38 datë 16.6.2010 “Për disa ndryshime në vendimin për miratimin e përdorimit të procedurës së prokurimit të drejtpërdrejtë për blerjen dhe marrjen me qira të ambienteve të reja për nevojat e BSH”,  vendosi, a) kudo në vendim fjala “blerje” të hiqet , shkronja “a” e pikës 2 të vendimit shfuqizohet, shkronja “a” e pikës 3 të vendimit shfuqizohet, pika 3 e vendimit ndryshohet si në poshtë, vijon: Fondi i nevojshëm për realizimin e objektit të prokurimit sipas pikës 2 të këtij vendimi të jetë jo më shumë se 100 milionë lekë, për marrjen me qira të ambienteve”. Në shkronjën “i” të pikës 7 të vendimit , togfjalëshi “negocimin e kushteve të kontratës” zëvendësohet me togfjalëshin “ negocimin e kushteve të kontratës së qirasë”. Gjithashtu, me vendim të Këshillit Mbikëqyrës nr 18 , datë 10.03.2010 për ndryshimin në vendimin “Për miratimin e përdorimit të procedurës së prokurimit të drejtpërdrejtë për blerjen dhe marrjen me qira të ambienteve të reja për nevojat e BSH” vendosi: 1, Ndryshimin e pikës 5 të vendimit nr 56 datë 29.08.2008 “ Për miratimin e përdorimit të procedurës së prokurimit të drejtpërdrejtë për blerjen dhe marrjen me qira të ambienteve të reja për nevojat e BSH-së: ndryshohet sipas përmbajtjes së mëposhtme: Afati kohor i realizimit të procedurës së prokurimit për objektin e prokurimit të përcaktuar në shkronjën “a” pika 2 të këtij vendimi të jetë jo më shumë se 24 muaj nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Sekretari Ylli Memishja, Kryetari Ardian Fullani