KQZ: Fiton kandidati i ASHE, Muharem Rama

541
Sigal

Gazeta Telegraf/

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e
ka vlerësuar procesin e votimit dhe të numërimit të fletëve të votimit të qetë
dhe korrekt, komisionerët treguan përgjegjshmëri në respektimin e dispozitave
të Kodit Zgjedhor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka
njoftuar përmbylljen e procesit të numërimit të fletëve të votimit për
zgjedhjet për kryetar të bashkisë së Dibrës për 118 qendrat e votimit. Përmes
një deklarate për shtyp, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, tha se “rezultatet
paraprake për çdo kuti të fletëve të numëruara u raportuan në kohë reale nga
KZAZ në Qendrën e të Dhënave të KQZ-së, rezultate të cilat u shfaqen edhe në
faqen zyrtare të internetit të KQZ-së, duke sjellë informim të saktë dhe
korrekt të opinionit publik”. Më tej, ajo dha shifra në lidhje me procesin e
votimit në Dibër. “Mbi bazën e tabelave të rezultateve të çdo QV-je të përcjellë
elektronikisht nga KZAZ nr.19 në KQZ, rezulton se kandidati i koalicionit
“Aleanca për Shqipërinë Europiane”, Muharem Rama, ka marrë 18597 (56.3%) vota
dhe kandidati i koalicionit ‘Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet”,
Sherefedin Shehu, ka marrë 14435 (43.7%) vota”, thuhet në njoftimin zyrtar. Sipas
KQZ, tabela përmbledhëse e rezultateve të zgjedhjeve të ZAZ nr. 19, Dibër për
zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë Dibër, miratohet dhe shpallet me vendim nga
KZAZ-ja nr. 19. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka vlerësuar procesin e
votimit dhe te numërimit të fletëve të votimit të qetë dhe korrekt,
komisionerët treguan përgjegjshmëri në respektimin e dispozitave të Kodit
Zgjedhor. KQZ është në pritje të marrjes në dorëzim nga KZAZ-ja 19, të çdo
materiali zgjedhore (kuti votimi, kuti të materialeve zgjedhore, vulat, e të
tjerë), të çdo dokumentacioni zgjedhor të administruar nga KZAZ-ja 19,
veçanërisht Tabelën Përmbledhëse të Rezultatit të Zgjedhjeve në këtë bashki si
dhe tabelat origjinale të rezultateve të votimit të çdo Qendre Votimi. “Së
fundi, në zbatim te detyrimeve ligjore, pas përfundimit te afatit kohor të
ankimit në KQZ të vendimit të KZAZ nr.19, e cila është jo me vonë së 5 ditë nga
shpallja e vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse të Rezultatit të Zonës
Zgjedhore Bashkia Dibër, KQZ në zbatim të nenit 2, pika 18, germa b, të Kodit
Zgjedhor, shpall rezultatin përfundimtar të votimit për kandidatin për kryetar
të Bashkisë Dibër”, përfundoi zëdhënësja e KQZ.