Kandidati i Partisë Demokratike, Halim Kosova ka qenë sot në një takim me studentë, pedagogë e njerëz të artit dhe kulturës. Në fjalën e tij Kosova tha se qyteti është i etur për ide në art dhe kulturë. Ai tha se projekti i tij ka si qëllim realizimin e 300 projekteve artistike dhe kulturore.
“Tirana ka nevojë për kontributin e inteligjencës, pedagogëve dhe studentëve. Qyteti është i etur për ide në arkitekturë, art, ka nevojë për ndërtime të bukura dhe cilësore, por dhe për ushqim shpirtëror si; skulpturë, muzikë, pikturë. Do të nxis dhe mbështes të paktën 300 projekte artistike e kulturore në mbështetje të trashëgimisë dhe modernizmit.
Do të krijoj mundësi ekspozimi të veprave në hapësirat publike dhe mundësi praktike për të vënë në skenën e Teatrit të Metropolit pjesët e gjithë artistëve të rinj. Çdo zyrë, ndërmarrje dhe agjensi e bashkisë do të jetë një qendër e formimit profesional përmes praktikave për të paktën 300 studentë. Një nga detyrat e mia të para si kryetar bashkie do të jetë dhe puna për kampusin e ri universitar. Dëshira ime është që të krijoj një pol në Tiranë të dedikuar ekonomisë së dijes, që do stimulojë universitetet të lidhen me bizneset, të krijojnë mundësi praktike punësimi dhe ti japë një hov të ri zonës nga Ndroqi në Rinas”, tha Kosova.