Komiteti Shqiptar i Helsinkit/ Të drejtat e njeriut në Shqipëri cenohen nga integriteti i KLP dhe KLGJ, zgjedhjet, Harta Gjyqësore dhe Liria e medias

99
Sigal

Vitet 2022-2023 shënuan zhvillime kritike për situatën e të drejtave të njeriut dhe shtetin e së drejtës, çka reflektoi edhe në veprimtarinë e Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KShH-së), e cila në disa raste ndeshi me pengesa në ushtrimin e misionit të saj.

Pjesëmarrja e qytetarëve dhe konsultimi

Pjesëmarrja e qytetarëve në proceset vendimmarrëse të Kuvendit rezulton pothuajse e munguar, çfarë ka zbehur këto dy vite potencialin për një sistem qeverisje gjithpërfshirës dhe të hapur. KShH vëren mungesë të reagimit sistematik nga Kuvendi, për t’i dhënë përgjigje kauzave të përcjella me anë të peticioneve dhe nismave legjislative, ndërsa ekzekutivi kryesisht i konsulton nismat ligjore me anë të Platformës së Konsultimit Publik, e cila nuk është gjerësisht e aksesueshme.  KShH vëren një rënie të ndjeshme të kërkesave për konsultim me nismë të vetë Komisionit Parlamentar të Ligjeve që mbulon çështjet e të drejtave të njeriut, si dhe mungesë të konsultimit të raporteve vjetore të institucioneve të pavarura. Në kundërshtim me parimin e barazisë para ligjit, Parlamenti i jep prioritet shqyrtimit të nismave të propozuara nga Ekzekutivi në Programet e Punimeve të tij, duke krijuar një praktikë jo të barabartë në raport me nismat ligjore të deputetëve dhe ato të zgjedhësve.

Kritika për zhvillim të paprecedent në raport me hartën gjyqësore

KShH vlerëson si pozitiv veprimtarinë e Institucioneve të Specializuara të Drejtësisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK dhe GJKKO), të cilat po hedhin bazat e para në përmbushje të objektivit për shpërbërjen e mitit të pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të nivelit të lartë të akuzuar për korrupsion. Për sa i përket drejtësisë si rrjedhojë e efekteve të Hartës së Re Gjyqësore, 18 gjykata rezultojnë të shkrira ose 47.3 % e gjykatave, duke sjellë një zhvillim të paprecedentë në raport me hartat gjyqësore të vendeve në rajon dhe të vetë BE-së. Me hyrjen në fuqi të saj, kostot e shërbimit avokator janë rritur në masën 50%-200% të tarifave të mëparshme, ndërkohë që atyre iu shtohen edhe kostot tepër të larta transporti për ndjekjen e seancave nga avokatët e rretheve pranë gjykatave të reja.

 

Integriteti i anëtarëve të KLGJ dhe KLP kritik

KShH vlerëson se integriteti etiko-profesional i anëtarëve të Këshillave (KLGJ dhe KLP) si dy organe të rëndësishme të qeverisjes së drejtësisë duhet të fuqizohet. Të dhënat e bëra publike për anëtarë prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore, të emëruar në të njëjtën prokurori, me lidhje familjare midis tyre dhe me funksionarë të Kuvendit, cenojnë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë. Në një vend të vogël si Shqipëria, nuk duhet të harrojmë edhe për shumë vite, shkaqet që detyruan vendin të reformonte sistemin e drejtësisë duke përfshirë këtu ndikimet e papërshtatshme në sistemin gjyqësor nga dy pushtetet e tjera.

Zgjedhjet vendore me problematika sistematike të mbartura

Monitorimi nga vëzhguesit e KShH-së të zgjedhjeve vendore (të pjesshme në 2022 dhe ato të plota në 2023) evidentoi problematika sistemike të mbartura, si shpërdorim të aseteve publike, raste të votimit familjar, pretendime për shitblerje votash, disa prej të cilave në hetim nga prokuroria. Me keqardhje konstatojmë se, Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore vazhdon të mos funksionojë. Gjithashtu, është e papranueshme në një shtet ligjor që prej afro një viti, vendimi i Gjykatës Kushtetuese vijon të mbetet i paekzekutuar sa i takon detyrimit që ka Kuvendi për plotësimin e boshllëkut ligjor, që mundëson ushtrim efektiv të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve.

Burgjet, mbingarkesa dhe ankesa

Për shkak të angazhimit prej vitesh në sistemin e burgjeve, numri më i madh i ankesave që vijnë në KShH i përkasin shtetasve të dënuar dhe paraburgosur. Nga një total prej 584 ankesash të marra përgjatë dy viteve, 50% e tyre i përkasin këtyre shtetasve, të cilët ankohen më së shumti për sistemin e drejtësisë, si dhe për kushtet e të drejtat e tyre në sistemin e burgjeve, transferimet pranë familjarëve, lejet shpërblyese, masat e padrejta disiplinore, etj. KShH ka përcjellë në mënyrë të rregullt ankesat e marra dhe problematikat e konstatuara në Institucionet e Sistemit Penitenciar, por në shumë raste Formalitetet dhe vonesat që krijohen nga disa institucione, duke pamundësuar aksesin e KShH-së për të vëzhguar respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, dëmtojnë transparencën, llogaridhënien dhe mundësinë për të reflektuar mbi kritikat dhe rekomandimet që mund të jenë ndihmuese për to. Këto qasje të mbyllura janë regres për demokracinë, cënojnë lirinë e organizimit dhe vështirësojnë përmbushjen e misionit të KShH-së si një organizatë monitoruese.

Kuvendi kryeson me gjuhën e urrejtjes

Përdorimi i gjuhës së urrejtjes vijon të jetë shqetësues sidomos në një institucion të rëndësishëm që ushtron pushtetin legjislativ (sikurse është Kuvendi) e njëkohësisht në hapësirën digjitale dhe në mediat sociale. Kryesisht forma të ndryshme të gjuhës së urrejtjes motivohen më së shumti nga orientimi seksual, përkatësia fetare, përkatësia etnike dhe bindjet politike.

Media e censuruar, shqiptarët përceptojnë se media nuk është e lirë

Sa i takon lirisë së shprehjes dhe sigurisë së medias dhe gazetarëve, është shqetësues fakti se afro një në dy gazetarë, raportuan në 2022 se ndihen të censuruar nga struktura hierarkike dhe drejtuese e redaksisë dhe po kaq prej tyre kanë pësuar vetë-censurë. Ndërkohë, pjesa më e madhe e të anketuarve apo 68% e tyre perceptojnë se media në Shqipëri është pak ose aspak e lirë.

E drejta e informimit në udhëkryq

E drejta e informimit ndodhet në një udhërkryq, si rrjedhojë e mosrespektimit nga disa institucione të detyrimeve të ligjit “Për të drejtën e informimit”. Nga praktika e kërkimit të informacionit të KShH-së, viti 2023 shënon një regres të mëtejshëm në raport me 2022, pasi vihet re që institucionet përgjigjen me vonesë ose pjesërisht ndaj objektit të kërkesës. Në disa nga rastet e vendimeve pozitive të Komisionerit ato ankimohen nga institucionet në gjykatë. Por vonesat në gjykim dëmtojnë pa kthim të drejtën e informimit dhe aktualitetin e informacionit të kërkuar.