Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Reforma zgjedhore nuk është pronë e partive politike

64

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka kritikuar Këshillin Politik për mungesë transparenca, dhe të mbyllur, duke përjashtuar nga konsultimi shoqërinë civile dhe grupet e interesit.

“Ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk duhet të jenë monopol i partive politike. Me krijimin e Këshillit Politik, u shmang çdo konsultim me shoqërinë civile dhe grupet e tjera të interesit. Në fakt u veprua në mënyrë të mbyllur, me përjashtim të deklaratave verbale të bëra në media, nga përfaqësues të këtij Këshilli”, shkruan KSHH në një njoftim për median.

KShH i kujton partive politike se “gjithëpërfshirja dhe konsultimi janë të domosdoshme dhe të rëndësishme për një reformë zgjedhore të plotë, të gjithëanshme dhe në përputhje me standartet”.

Sipas KShH “praktika e ndjekur nga Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore nuk ka qenë një praktikë e drejtë, pavarësisht nga qëllimet e mira që Reforma Zgjedhore të përfundonte sa më shpejt”.

Institucioni thekson se “pjesmarrja e qytetarëve në konsultimin publik tregon nivelin e demokratizimit të vendit”.