Komisioni i Venecias: Shqipëria ndodhet në krizë politike kushtetuese

260

Zyrtarisht Komisioni i Venecias na njeh në krizë kushtetuese. Këtë e bën të qartë duke e përmendur disa herë në draft-opinionin drejtuar presidencës dhe Kuvendit.

Përpos mendimit se presidenti nuk ka arsye për t’u shkarkuar për emërimit në gjykatën kryesore në vend, Venecia detajon dhe të tjera shkaqe që sipas saj kanë sjellë krizë kushtetuese në Shqipëri. Të gjithë këto faktorë në ndërthurje me njëri-tjetrin kanë prodhuar situatën aktuale, thuhet në opinion.

Vetingu pati efekte më të forta sesa u mendua fillimisht, duke lënë Gjykatën Kushtetuese e atë të Lartë jofunksionale. Puna e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi me listat, konflikti mes presidencës dhe parlamentit për plotësimin e vakancave dhe betimin në këto institucione, paditë penale në SPAK të kreut të shtetit dhe procedura e shkarkimit të Ilir Metës, renditen ndër këto faktorë që amplifikohen dhe nga mungesa e vetë Gjykatës Kushtetuese.

Por më të rëndë se mosfunksionimin e kësaj gjykate, ekspertët e Venecias shohin atë të Gjykatës së Lartë.

“Mungesa e Gjykatës së Lartë mund të jetë edhe më kritike për stabilitetin e Shqipërisë sesa ajo e Gjykatës Kushtetuese. Çështjet e sjella nga gjykatat e shkallëve më ulëta, nuk marrin dot vendime. Çka sjell që Shqipëria në mënyrë sistematike shkel të drejtën për të pasur drejtësi brenda një kohe të arsyeshme. Në mungesë të një zgjidhjeje, ka gjasa që shumë prej këtyre çështjeve të përfundojnë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut”.

Merr kritika të forta tejzgjatja e vetingut shumë më tepër nga çfarë ishte menduar para 5 vitesh, kur Venecia dha 2 opinione për paketën kushtetuese të Reformës në Drejtësi. Një gjyqtar apo prokuror duhet t’i paraqesë komisioneve minimalisht 10 mijë faqe për të dokumentuar pasurinë, pa llogaritur atë të familjarëve. Për këtë arsye Venecia rekomandon dhe ndërhyrje ligjore.

“Ndërsa reforma në drejtësi dhe vetingu mbesin një prioritet,  duhet të arrijnë në një përfundim. Duhet të vlerësohet fakti që rregullat aktuale (pra justifikimi  i pasurisë së një personi dhe familjarëve të tij, për një kohë  shumë më të gjatë se sa ligjet tatimore kërkojnë ruajtjen e dokumenteve) janë zgjidhje e mirë apo krijojnë shumë hapësirë për manipulime politike. Për të ruajtur të njëjtin standard, kandidatët që nuk vijnë nga gjyqësori, për Gjykatën Kushtetuese, duhet të verifikohen nga KPK e KPA dhe jo Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Procesi i vetingut duhet të përshpejtohet dhe afatet shumë të ngushta dhe jorealiste për të siguruar dokumentacionin, duhen ndryshuar”

Mbetet për t’u parë a do të ndryshojë përmbajtja në opinionin final pasi Presidenca e Kuvendi të dërgojnë amendimet e veta.

Por Venecia e bën të qartë se në asnjë rast nuk është ajo që mund ta zëvendësojë Gjykatën e paralizuar Kushtetuese shqiptare.