Partia ZGJIDHJA, përmes një deklarate për mediet, ka thënë se kryeministri Edi Rama tha një gënjeshtër me bisht për projektet e Samitit të Triestes. Për partinë ZGJIDHJA, kryeministri Rama shkoi atje dhe e nxori Shqipërinë me këpucë të kuqe. “Shqipëria dështoi edhe këtë radhë që të përfitonte nga ndihma për zhvillim e BE-së. Kryeministri ynë shkoi atje me atlete të bardha dhe e nxori Shqipërinë me “këpucë të kuqe”. Fajtori nuk është ai që ka paratë, por ai që shkon për turizëm dhe propagandë nëpër takimet me donatorët dhe për më keq, duke gënjyer hapur shqiptarët”, u shpreh Koço Kokëdhima. Sipas tij, në konferencën e shtypit, kryeministri tha se Shqipëria zuri vendin e dytë nga projektet që fitoi, duke thënë një gënjeshtër me bisht, një ditë pas dështimit në Samitin e Triestes. “E vërteta është se atje u prezantuan vetëm 7 projekte me vlerë 538.5 milionë euro dhe këto fonde i përfituan Bosnja-Hercegovina me katër projekte me vlerë 241.6 milionë euro, Serbia me dy projekte në hekurudhë dhe energji me vlerë 141.9 milionë euro dhe Maqedonia një projekt për korridorin e hekurudhës që lidh Maqedoninë me Bullgarinë dhe Greqinë për 152.3 milionë euro”, tha Kokëdhima. Ai shtoi se të gjitha këto projekte zënë vlerën 538.5 milionë euro dhe punësojnë 2150 vetë në total. “Shqipëria nuk prezantoi dhe nuk fitoi asnjë projekt”, tha Kokëdhima.