KLSH/ Abuzuan me prokurimet publike, kallëzim 2 ish-zyrtarëve të DPUK

437
Sigal

Dëmi ekonomik arrin në vlerën 1,3 milion euro

 Dy ish-drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe ish-kreu i Komunës Mbrostar në Fier, janë kallëzuar penalisht për shpërdorim detyre. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë kallëzim penal në Prokurori për këta 3 ish-zyrtarë, si dhe për 2 përgjegjës të tjerë, pasi pas auditimit të bërë në këtë drejtori kanë rezultuar shkelje dhe abuzime me prokurimet publike. Sipas KLSH-së, nga auditimi i përfunduar në dhjetor 2013, rezulton se dëmi ekonomik i shkaktuar nga abuzimi, arrin në vlerën mbi 1.3 milion euro. Në një njoftim për shtyp, KLSH bën me dije se pas konstatimit të shkeljeve në tenderin me objekt “Furnizimi me ujë i plazheve Durrës Kavajë nga pus-shpimet e Çermës loti III”, u bë kallëzim penal në ngarkim të ish-Drejtorit të Përgjithshëm të DPUK-së M. Ç., dhe ish-Përgjegjëses së Sektorit të Financës M.S., për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.

 Po kështu, kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës, është bërë edhe në ngarkim të ish-Drejtorit të Përgjithshëm të DPUK-së, shtetasit me iniciale E.H., pas konstatimit të shkeljeve në tenderat “Furnizimi me ujë i plazheve Durrës- Kavajë nga pus-shpimet e Çermës loti III” dhe “Furnizim me ujë i zonës së Kënetës, Durrës zona 8-14.”

 Nga auditimi i bërë, kanë rezultuar shkelje edhe në tenderin me objekt “Rrjeti i ri i Kanalit të Ujërave të Zeza i fshatit Mbrostar-Ura faza e parë, Komuna Mbrostar, Fier”. Lidhur me këtë fakt, KLSH ka bërë kallëzim penal pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, për konsumimin e veprës penale shpërdorim detyre, edhe për shtetasin V. B., ish Kryetar i Komunës Mbrostar, dhe dy nëpunës të tjerë: T.N., në cilësinë e Kolaudatorit dhe A. K., në cilësinë e projektuesit.

 Nisur nga shkeljet e konstatuara, KLSH ka rekomanduar që Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës- Kanalizimeve (DPUK) në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, t’i propozojë Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve rishikimin e Vendimeve të Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve “Për përcaktimin e kritereve për ndarjen e fondit për Zhvillimin e Rajoneve” lidhur me vendosjen e kritereve më të qarta për alokimin e fondeve të investimeve dhe grandeve konkurruese si dhe aplikimin e tyre në mënyre konsistente.

 Në këto kushte, KLSH ka rekomanduar që: DPUK në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, t’i propozojë Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve rishikimin e Vendimeve të Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve “Për përcaktimin e kritereve për ndarjen e fondit për Zhvillimin e Rajoneve” lidhur me vendosjen e kritereve më të qarta për alokimin e fondeve të investimeve dhe grandeve konkurruese si dhe aplikimin e tyre në mënyre konsistente.

Njoftim i plotë i KLSH-së

KLSH përfundoi në dhjetor 2013 auditimin në Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës- Kanalizimeve (DPUK), Tiranë për periudhën 01.01.2012 deri 30.9.2013, me objekt “ Mbi vlerësimin e aktivitetit ekonomik e financiar”. Nga auditimi rezultuan një sërë shkeljesh dhe parregullshmërish ligjore në fushën e prokurimeve publike, si më poshtë:

1-Në tenderin me objekt “Furnizimi me ujë i plazheve Durrës Kavajë nga pus-shpimet e Çermës loti III”, u konstatua se: nga amendimi i kontratës nr. 901/1, datë 05.4.2013 për lejimin e paradhënies në masën 10% të vlerës së kontratës (90,000,000 lekë) Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë ”Alba Konstruksion & C.E.L.I. Cooperativa”, fitues i tenderit, është bërë në kundërshtim me nenin 10 të kontratës nr. 901, datë 05.4.2013, Ligjin nr. 119/2012, datë 17.12.2012 “Për Buxhetin e vitit 2013” dhe Udhëzimin nr.2, datë 06.02.2012 të Ministrisë së Financave, pika 147, në të cilët nuk është parashikuar dhënia e fondeve buxhetore në formën e paradhënies.

U konstatua se në kontratën nr. 901, datë 05.4.2013, është shtuar në nenin 10, shënimi me shkrim dore “< ose=10 %”, i cili është nënshkruar dhe vulosur nga ish Drejtori i Përgjithshëm i DPUK-së M. Ç., duke kryer në këtë mënyrë falsifikim të dokumentit zyrtar dhe njëkohësisht duke urdhëruar likuidimin e firmës, në shumën 90,000,000 lekë “paradhënie”. Veprimet e likuidimit të kësaj paradhënie, në kundërshtim me aktet e sipërcituara janë kryer nga M. S., me detyrë ish-Përgjegjëse e Sektorit të Financës, e komanduar vetëm për periudhën e kryerjes së likuidimit të paradhënies.

Duke qenë se shkeljet e konstatuara përbëjnë haptazi vepër penale, në zbatim të nenet 280 dhe 281 të Kodit të Procedurës Penale, KLSH ka bërë kallëzim penal pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të ish-Drejtorit të Përgjithshëm të DPUK-së M. Ç. dhe ish-Përgjegjëses së Sektorit të Financës M.S., për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve” parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal.

2- Në tenderin me objekt “Furnizim me ujë i zonës së Kënetës, Durrës zona 8-14(shtesë kontrate), ku vlera e kontratës është 38,520,000 lekë është konstatuar shmangie nga procedurat e prokurimit në kundërshtim me nenin 28 të Ligjit për Prokurimin Publik, kreu II, pika1/c e VKM nr.1, dt 10.1.2007, e cila ka çuar në mungesën e konkurrencës dhe lindjen e pabarazisë së pjesëmarrësve në tender, në kundërshtim me nenin 33, pika 5/a të Ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 me ndryshime, pasi nuk ekzistojnë kushtet për përzgjedhjen e procedurës së tenderimit “Negocim pa shpallje paraprake” . Në këto kushte, bazuar në nenet 280 dhe 281 të të Kodit të Procedurës Penale, KLSH ka bërë kallëzim penal pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, në ngarkim të E. H., ish Drejtor i Përgjithshëm i DPUK-së, i cili, në ushtrim të detyrës ka lejuar shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publikë.

 3-Në tenderin me objekt “Rrjeti i ri i Kanalit të Ujrave të Zeza i fshatit Mbrostar-Ura faza e parë, Komuna Mbrostar, Fier” u konstatuan shkelje në procedurën e marrjes në dorëzim të veprës. Ky objekt është financuar nga buxheti i shtetit në vlerën 56,926,557 lekë me TVSH dhe rezulton të jetë marrë në dorëzim provizor nga ish Kryetari i Komunës V. B. në një kohë që objekti është jashtë funksionit. Dëmi ekonomik shkaktuar Buxhetit të Shtetit nga mos funksionimi i këtij objekti është 56,926,557 lekë. Në këto kushte, Në këto kushte, bazuar në nenet 280 dhe 281 të të Kodit të Procedurës Penale, KLSH ka bërë kallëzim penal pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, për konsumimin e veprës penale shpërdorim detyre, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, në ngarkim të: V. B, ish Kryetar i Komunës Mbrostar, T.N., në cilësinë e Kolaudatorit dhe A. K., në cilësinë e projektuesit.

Gjithashtu, nga auditimi është konstatuar se ka punime të pakryera në vlerën 5,678,743 lekë gjithsej, e cila përbën dëm ekonomik për Buxhetin e Shtetit, përkatësisht në tenderin me objekt ”Kolektori i Ujërave të Ndotura, D=1200 mm, impianti i trajtimit në Vlorë” përfituar padrejtësisht në vlerën 4,464,793 lekë nga sipërmarrësi i punimeve, dhe në tenderin “Ndërtim i kolektorit të ujërave të zeza Sarandë, lidhja IPUZ”, në vlerën 1,213,950 lekë, përfituar padrejtësisht nga sipërmarrësi përkatës i punimeve.