Klajda Gjosha: LSI, plan konkret për biznesin dhe të rinjtë

528
Është kënaqësi shumë e veçantë që jam sot këtu me ekipin e fitores të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Tiranë. Dua të përshëndes të gjithë ata qytetarë që sot kanë pushtuar Ministrinë e Integrimit Evropian, sepse integrimi është i yni, është i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Jam shumë krenare që përfaqësoj në Tiranë, bashkë me ekipin e të rinjve dhe me eksperiencën e jashtëzakonshme të themeluesve të LSI-së, një ekip me shumë vlera, me shumë dinjitet që përfaqësojnë më së miri kryeqytetin e Shqipërisë, përfaqësojnë Tiranën. Sepse Tirana sot e ka vendosur, do të votojë nr. 1, do të votojë Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe askënd tjetër. Fitorja, e rinisë shqiptare Fitorja është e juaja, është e rinisë shqiptare. Së bashku me Floidën, me Kejdin, bashkë me shumë të rinj dhe të reja, kemi vizituar gjithë Tiranën. T’ju them të vërtetën, kjo ka qenë një fushatë e jashtëzakonshme, por në një nga takimet tona, diçka më ka mbetur peng në zemër. Kam takuar një gjysh, që mbante në dorë një fëmijë të vogël. Më tha që këtë fëmijë po e rris unë, sepse vajza me dhëndrin kanë ikur jashtë vendit. Kanë mbaruar studimet e larta dhe nuk mundën të gjenin një vend pune këtu. Pse kjo është Shqipëria e 2017-s, ku fëmijën e rrit gjyshi dhe gjyshja? Jo. Fëmija do të rritet nga prindërit në këtë vend. Dhe këtë do ta bëjmë ne duke votuar LSI-në, si forcë të parë politike në zgjedhjet e ardhshme. Ne do të punojmë fort që rinia të qëndrojë këtu, që truri i vendit të kthehet këtu, të vijë dhe të punojë për një Shqipëri evropiane. Dhe këtë më së miri di ta bëjë vetëm rinia shqiptare. Politikanët tanë flasin sa i bukur është bërë sheshi i Tiranës. Unë dua t’i ftoj ata të vijnë me mua në Shkozë dhe të shohin që 50 për qind e kësaj zone sot është e papunë. Dua t’i ftoj ata të vijnë me mua prapa Uzinës së Autotraktorit dhe të shohin gjyshet dhe gjyshërit që ecin me bidonët në dorë për të mbushur ujë, sepse nuk kanë ujë në shtëpitë e tyre. I ftoj ata te Bregu i Lumit dhe të shikojnë se si njerëzit kanë dy vjet që jetojnë pa drita. I ftoj ata në Unazë, ku nuk ka shkolla, nuk ka çerdhe. Banorët duhet të udhëtojnë me kilometra të tëra për të çuar fëmijët e tyre në shërbimet ditore. Ne nuk mund të lejojmë këtë gjë. Prandaj, Tirana dhe e gjithë Shqipëria do të votojë Lëvizjen Socialiste për Integrim si forcë të parë.

Plani për biznesin
Ne kemi një plan. Kemi një plan për biznesin që po rrënohet çdo ditë. Kemi një plan për uljen e taksave sepse biznesi sot paguan më shumë se në çdo vend tjetër të Evropës. Kemi një plan për të mbajtur këtu profesionistët, menaxherët që paguajnë 23 për qind taksa, ne do t’i ulim ato, për të qëndruar në Shqipëri dhe për të krijuar një klimë sa më të mirë për biznesin, për të mbajtur trurin këtu në vendin tonë. A e dini se sa keq ndihen njerëzit sot që punojnë në administratën shtetërore? Me terrorin që po i bëhet, me stresin që po i shkaktohet? A e dini që një vajze iu ndalua të martohej, vetëm sepse nuk mund të merrte ditët e pushimit të saj të martesës. Unë dua që të gjithë ju të votoni për nr. 1, për Shqipërinë evropiane, Shqipërinë e begatë, Shqipërinë madhështore që ka lindur sot këtu nga ky shesh i jashtëzakonshëm. Votoni për një drejtim të ri për vendin. Votoni për nr. 1, Lëvizjen Socialiste për Integrim!
Sigal