Klajda Gjosha: Kapja e shtetit po sjell një grusht shteti. Parlamenti, një teatër kukullash

417

Intervista e ish deputetes së LSI-së, Klajda Gjosha

Çfarë po ndodh me opozitën? Po bëheni gati për një marrëveshje me frontin opozitar?

Unë besoj që dita e djeshme ka qenë një ditë e madhe për opozitën për arsye sepse të dy kampet le të themi të dy partive më të mëdha opozitare kanë pasur takimet e tyre me strukturat përkatëse. Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbledhur kryesinë por edhe grupin parlamentar e më pas Partia Demokratike ka pasur takimet e saj me instancat kryesore drejtuese ku unë besoj që është marrë një vendim që ka rëndësi të madhe për publikun sepse ka të bëjë pikërisht me zyrtarizimin tashmë të gjithë frontit opozitar pra po shkohet drejt një koalicioni të përbashkët i cili i kryer në këto momente besoj që jep një shpresë shumë të madhe për çdo qytetar shqiptar pavarësisht se ne kemi qenë në një front opozitar të përbashkët gjatë gjithë kësaj kohe me parimet tona, me kërkesat tona kundrejt qeverisë shqiptare por e rëndësishme është të kemi diçka të shkruar, të firmosur e cila do ta çojë opozitën drejtë, le të themi, zgjedhjeve të sigurta sepse ashtu siç kemi parë edhe numrat sot edhe shifrat flasin për një opozitë jashtëzakonisht shumë të fortë jo vetëm në vendimet që ajo ka marrë por edhe në numrat e saj dhe zakonisht kur shkohet drejtë… sa më shumë afrohet koha e zgjedhjeve elektorale dihet botërisht që opozitat, numrat i kanë shumë herë më të lartë, pra gjatë çdo dite që kalon.
Megjithatë është thënë qartë dhe do të vazhdojë pra, do të kemi në ditët në vijim dhe do të bëjmë publike edhe mënyrën se si do të realizohet marrëveshja, pse po krijohet kjo marrëveshje, pse po shkohet drejtë këtij koalicioni, një platformë e qartë qeverisëse, një alternativë e qartë kundrejt një qeverie që tashmë për të gjithë për të gjithë ne, por për opozitën kryesisht është një qeveri e rënë, është një sistem non egzistent, kërkesat tona kanë qenë jashtëzakonisht shumë të qarta kur ne themi për krijimin e një qeverie e cila do të jetë tranzitore, që do ta çojë vendin drejtë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, një qeveri e cila të mos jetë e lidhur me krimin. Të krijojë besim në radhë të parë tek qytetarët shqiptarë por të krijojë në fund të ditës një klimë politike ndryshe nga kjo e sotmja që në fakt po i merr frymën çdo qytetari.

Një koalicion i përbashkët, pse po bëhet pikërisht në këtë moment? A mos vallë po bëheni gati p[ër të hyrë në zgjedhje?

Ne e kemi thënë disa herë, të diskutosh sot për zgjedhje lokale është e pavend. Pa u zgjidhur të gjitha problematikat e krijuara në zgjedhjet e vitit 2017, pra siç është thelbi i gjithë asaj fushate që kishte të bënte me blerjen e votës, por mbi të gjitha me krimin e organizuar si një fenomen të ri tashmë të zgjedhjeve. Pa u zgjidhur kjo çështje është absolutisht e pamundur të shkohet në zgjedhjet e 30 qershorit. Ndaj sa më parë ta kuptojë qeveria e sotme këtë, sa më parë ta kuptojë kryeministri, besoj se aq më pak kosto do të ketë vendi në gjithë këtë tunel ku ne tashmë kemi hyrë. Sepse është një shtrat totalisht antikushtetues mbi bazën e të cilit ne po funksionojmë, pa Gjykatë Kushtetuese. Pra vendi nuk ka një arbitër që t’i thotë palëve se kush ka të drejtë dhe se në cilin drejtim ne duhet të shkojmë. Si duhet zgjidhur çështja që është krijuar sot me Kuvendin e Shqipërisë, i cili për mua sot është një kuvend që përmban vetëm një parti politike dhe siglat e tjera janë inekzistente. Sepse opozita tashmë ka dalë.
Është shumë e rëndësishme që me krijimin e një qeverie tranzitore, që ka qenë pika e parë e kërkesave të opozitës, të kemi një qeveri e cila lufton krimin dhe t’i japë përparësi Reformës në Drejtësi, që është ajo reformë që mund t’i japë edhe një dritë jeshile vendit edhe për procesin e integrimit europian dhe ne e kemi prioritet këtë edhe në Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Cilat janë kushtet për të hyrë në zgjedhje?

Unë sapo i përmenda pak. E para është krijimi i një qeverie tranzitore. Një qeveri e cila të mos ketë lidhje pikërisht me këta individë të sotëm, që janë shkaktarë të rënies së të gjithë sistemit dhe mënyrës sesi po funksionon shteti sot. Kjo është jashtëzakonisht shumë e rëndësishme dhe besoj që edhe vetë Partia Socialiste do të jetë e interesuar të ketë në krye figura që janë të pa lidhura me krimin e organizuar dhe që të kenë mundësi të çlirojnë sistemin, por në fund të ditës të çlirojnë edhe vetë Partinë Socialiste, që është futur tashmë në këtë vorbull, që është shumë e vështirë për t’i gjetur krye. Dhe besoj që kjo qeveri do të krijojë një klimë dialogu edhe me palën opozitare, dhe ne këtë kërkojmë. Pra të kemi një ekip përballë të cilit të mund t’i besojmë dhe që mund ta çojë vendin drejt një zgjidhjeje të mundshme elektorale. Nuk ka rëndësi se kush fiton në fund fare. Ë rëndësishme është klima në të cilën zhvillohen zgjedhjet dhe mundësia e qytetarëve shqiptarë për të votuar të lirë. Kjo është ajo çka kërkojmë ne.
E dyta duhet t’i japim përparësi Reformës në Drejtësi. Reforma në Drejtësi sot, në këto momente që ne flasim, t’iu them të vërtetën është vendosur në pikëpyetje të mëdha. Është vendosur jo vetëm nga opozita, jo vetëm nga shumë qytetarë të cilët në sondazhe të ndryshme tregojnë që ka një rënie të besimit nga Reforma në Drejtësi dhe mënyra sesi po procedohet me Vettingun. Por është vënë në pikëpyetje edhe nga vetë Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i cili disa herë ka kontestuar procese apo standarde të dyfishta, të cilat janë përdorur brenda procesit të Vettingut. Dhe unë besoj që ato janë serioze, sepse cënojnë rëndë kredibilitetin e reformës, cënojnë rëndë në fakt atë që ne e kemi thënë shumë herë, kemi të me kapjen e shtetit. Pra nëse sot vendi nuk ka një Gjykatë Kushtetuese, nëse sot qeveriset nga një parti e vetme, nëse edhe drejtësia është në duart e kësaj partie, atëherë ne jemi përpara një grushti shteti. Dhe mënyra sesi duhet vepruar është pikërisht çlirimi i sistemit, largimi i kësaj qeverie dhe krijimi i një qeverie të re. Askush nuk ka kërkuar të ketë një post në tryezë, apo të ketë ndërrim pushteti në tryezë. Sepse opozita kërkon të vijë në pushtet me votë dhe ne do ta realizojmë këtë.
Besoj që djegia e mandateve nëse realisht do t’i japë mundësinë qytetarëve shqiptarë që të jenë të lirë dhe të zgjedhin për alternativën që ata mendojnë se do të jetë më e mirë për ta nesër për të qeverisur vendin. Besoj që do ja dalim dhe e mendoj që koha do t’i japë opozitës të drejtë për vendimin që ajo ka marrë.
Jeni në të njëjtën linjë, edhe me Partinë Demokratike për këto kushte?
Patjetër që ne jemi në të njëjtën linjë. Ne po e tregojmë këtë sepse po shkojmë drejt një koalicioni që do të formalizohet shumë shpejt.

Nga ana tjetër si e konsideroni grupin e ri parlamentar të formuar brenda në Parlament nga deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, edhe Ralf Gjoni ndër ta?

Është një teatër kukullash për mua. Më vjen keq ta them këtë. Unë kam dëgjuar shpesh të flitet kur ne kemi qenë në Kuvendin e Shqipërisë, kemi dëgjuar shpesh kritika për mënyrë sesi funksiononte Kuvendi, për shumë figura si të opozitës, gjithashtu edhe të mazhorancës që kanë qenë pjesë e Parlamentit të Shqipërisë, por sot besoj që degradimi është jashtëzakonisht shumë i rëndë. Nuk dua pastaj të bëjë atë analizën ligjore se sa legjitimë janë ata, se sa përfaqësues të qytetarëve shqiptar janë ata, se sa punë kanë bërë gjatë fushatës së 2017-ës për të takuar qytetarët, për ti bindur sepse në fund të fundit askush nuk ka votuar Klajda Gjoshën apo dikë tjetër me emër të përveçëm, të gjithë kanë votuar siglën e partisë politike dhe nëse të gjithë kemi rënë dakord për këtë lloj sistemi, atëherë do të duhet të pranojmë që edhe këta individë që janë tashmë brenda Kuvendit të Shqipërisë, nuk janë përfaqësues jo vetëm të partive politike në të cilat ne bëjmë pjesë, por përfaqësues të zërit të qytetarit dhe problematikave që ata kanë.
Njerëzit shpesh pyesin kush janë sepse nuk i njohin dhe është e vërtetë kur çdo parti politike dorëzon një listë të gjatë shumë emërore nga fundi shpesh herë janë njerëz, të cilët vetë partitë politike e kanë të vështirë t’i njohin, por ata janë zgjedhur në bazë të strukturave, në bazë të konjukturave politike e kështu me radhë ndaj janë aty dhe askush nuk e mendonte në 2017-ën që do të kishte djegie mandatesh, pra nuk është se ka qenë dika e paracaktuar në mënyrë që edhe lista deri në fund të tyre të kishin emra që mund të përfaqësonin partitë politike sa më mirë, por Kuvendi i Shqipërisë ka degraduar tashmë deri në ata pikë sa unë besoj që edhe 82-83 deputetë që mund të quhen deri diku legjitim në total e kanë humbur vlerën dhe përfaqësimin e tyre në një institucion ku hyn dhe del ne mënyrë klandestine. Besoj që nuk ka vend të botës ku Kuvendi i Shqipërisë të funksionojë në mënyrë të tillë dhe ku përfaqësuesit parlamentar të ruhen nga qytetarët, të cilët shpesh herë rrethojnë Parlamentin për të kërkuar dorëheqjen e tyre dhe për të kërkuar një Parlament të ri që të kenë mundësi të përfaqësohen nga njerëzit që janë aty.

Kjo do të thotë që ju nuk do të keni asnjë lloj bashkëpunimi me opozitën brenda në Parlament?

Ne nuk e njohim atë opozitë në Parlament, ata nuk janë përfaqësues të partive politike shqiptare të opozitës dhe besoj që opozita ka qenë e qartë ne qëndrimin e saj, sot opozita që ju keni është jashtë dyerve të Kuvendit, ka hequr dorë si nga mandati, si nga imuniteti dhe nga çdo interes tjetër që mund të kesh kur ke një post të tillë, është e pamundur ta bëjë luftën brenda Kuvendit të Shqipërisë ku asnjë mjet ligjor, të cilin ne kishim me Kushtetutë nuk mund ta përdornim për të ndaluar sado pak mazhorancën në arrogancën e saj, në vendimet antikushtetuese por edhe vendimet që shkojnë kundra interesit publik.
Vendimi i fundit u mor dje nga grupi parlamentar i PD në emër të Rudina Hajdarit për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit…
Por Rudina mund të marrë pjesë por unë nuk e di se si. Nëse Rudina ka një zgjedhje ligjore se si mund të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, nëse bën pjesë në një parti politike për t’u regjistruar në zgjedhje, si individ, tani është zgjedhja e saj por besoj që analizën publiku di ta bëjë mirë dhe di të ndajë se realisht kush janë ata përfaqësues politikë që me të vërtetë sot po mundohen jo vetëm, nuk duhet diskutuar si çështje e ndërrimit të pushtetit, duhet diskutuar si çështje e ndërrimit të sistemit sepse shteti tashmë ka rënë, institucionet shqiptare nuk funksionojnë më. Ne kemi nevojë realisht për një ‘shkundje nga themelet’ le të themi të gjithçkaje që ndodh sot në Shqipëri.

Nga ana tjetër, dje, mbrëmë, zoti Berisha tha se përplasja civile mund të jetë e pashmangshme. Ju si e lexoni këtë deklaratë?

Unë kam parë përplasje të tillë, që është për të ardhur keq…

A rrezikon me të vërtetë vendi me përplasje civile?

Dëgjo, në të gjitha protestat ka pasur përplasje të panevojshme me policinë e shtetit dhe është për të ardhur keq që qeveria vazhdon të shtyjë një konflikt që është i panevojshëm mes qytetarëve dhe policisë së shtetit, që janë njerëz të thjeshtë njësoj si ne që jemi aty për të protestuar paqësisht. Mund të ketë qytetarë të cilët, revolta e të cilëve ka shkuar aty ku realisht nuk mban më. Pse e them këtë? Sepse nuk bëhet fjalë vetëm çfarë ka ndodhur më zgjedhjet në këtë vend por bëhet fjalë se çfarë ka ndodhur me ekonominë në këtë vend. Sa shqiptarë ka sot që vuajnë, që janë të pa punë, që nuk marrin dot një ndihmë ekonomike apo që kanë dalë nga skema e ndihmës ekonomike. Sa shqiptarë ka sot që mundohen për të krijuar ato bizneset e tyre dhe e kanë të pamundur ti realizojnë ato. Pra, revolta qytetare sot është jashtëzakonisht shumë e madhe, ajo çfarë nuk duhet të ndodhë është arroganca nga pala tjetër, pra nga mazhoranca, duke keqtrajtuar këta qytetarë që janë në protestë, duke hequr të drejtën e tyre për të protestuar por edhe për të menduar ndryshe, dhe për të kontestuar në vetvete qeverinë, i bën ata të jenë edhe më të revoltuar në kërkesat e tyre dhe në mënyrën se si i kërkojnë pra këto kërkesa, këto problematika të tyre që kanë ndaj qeverisë.
Ndaj, unë prandaj e përsëris, sa më shpejt ta kuptoj qeveria se çfarë po ndodh në vend, sa më shpejt ta kuptoj kryeministri që duhet të largohet dhe duhet ta çliroj këtë situatë dhe këtë ngërç në të cilin ndodhemi sot. Sepse kemi të bëjmë me një ngërç politik. Është krizë e thellë politike, është krizë e thellë institucionale dhe kushtetuese dhe ka të bëj edhe me individin i cili është në krye të kësaj qeverie. Ndaj ai duhet të jetë i pari që duhet të bëj disa hapa pas për ti liruar vendit, njerëzve, që mund të sjellin besim dhe për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Dje pati seancë plenare por nuk pati protestë jashtë parlamentit. Kur do të jetë protesta e radhës?

Ka disa diskutime për mënyrën se si do të zhvillohen edhe protestat e radhës. Ka pasur një vendim në fakt për të bërë një tjetër protestë të madhe kombëtare në muajin maj. Do të jetë diku nga mesi muajit maj dhe do të vazhdohet dhe do të vendoset më pas. Ne jemi në diskutim të vazhdueshëm edhe me partin demokratike dhe me aleatët e saj për sa i përket zhvillimit të protestave dhe pse jo javën që vjen por kjo do të jetë një vendimmarrje që do ta marrin strukturat tona. Nuk është se ka pasur tërheqje nga protestat. Të jeni të bindur, por protesta e ditës së shtunë ishte një protestë shumë masive dhe është e pamundur ndonjëherë që të kryhen protesta çdo 2 ditë, çdo 3 ditë sepse kuptohet që njerëzit kanë dëshirë të madhe që të marrin pjesë dhe vinë dhe nga vende që janë jashtëzakonisht shumë të largëta. Ndaj dhe i duhet dhënë kohë dhe hapësirë që ato të jenë përsëri pjesë e një proteste që do të realizohet nga qytetarët shqiptar sepse edhe ne bëjmë pjesë tek qytetarët tashmë.

Komenti juaj për atë çfarë ndodhi në parlamentin holandez për sa i përket vizave në vendin tonë dhe a mund të ketë dhe vende të tjera që mund ta kërkojnë këtë gjë?

Kam ndjekur edhe analizat në studion tuaj. Kryesit edhe gjatë ditës kur u mor vendimi në parlamentin holandez edhe të gjitha qëndrimet që ka mbajtur ministri i jashtëm në detyrë. Sigurisht ashtu siç e quan ai veten. Është për të ardhur keq, sepse një qeveri serioze dhe e përgjegjshme, në fakt nuk do të ishte në studio televizive në një dit të rëndësishme për dëmtimin e imazhit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Ministri i jashtëm duhet të ishte në takim me homologun e tij holandez. Duhet të ishte në takim me ministrin e brendshëm të Holandës. Me parlamentar, me grupet parlamentare në Holandë për të shuar sado pak një debat i cili mund të cenoj rënd jo vetëm efektin zinxhir, pra që mund të mund të fillojë të ndodhë edhe në vendet e tjera, një debat i ngjashëm. Diku për krimin e organizuar, diku për çështjen e azil kërkuesve, diku çështje të korrupsionit e kështu me radhë. Pra ka një sërë çështjesh që mund të diskutohen. Ka vende të tjera që kanë pasoja të rënda nga shkelja e rregullave të lëvizjes së lirë. Nuk është vetëm çështja e azilkërkuesve sot.
Vendet fqinje si Italia dhe Greqia kanë probleme të jashtëzakonshme, janë me mijëra shqiptarë ata që shkelin rregullat. Që do të thotë që qëndrojnë më shumë se 90 ditëshin e lejuar në rregulloren e BE-së për të qëndruar në vendet e tyre. Pra problematika është jashtëzakonisht shumë e gjerë dhe shumë e madhe,. Ndaj para se të tregohemi arrogantë dhe para se të vazhdojmë të shijojmë ato karriget që gjithsecili nga këta individë tashmë ka në zyrat e tyre komoditetin zyrtar që u jep ministria ku ata ndodhen, besoj që është përgjegjësia e qeverisë shqiptare t’i dalë tashmë në ballë këtij problemi. Për mua personalisht, duke qenë se kam qenë edhe Ministre e Integrimit për 4 vite, e them me bindje që ajo çka ka ndodhur në Parlamentin Hollandez i ka dhënë fund shpresës së shqiptarëve për në muajin qershor për çeljen e negociatave.
Në procedurën që ndiqet Hollanda dhe Gjermani janë dy shtete që para se të marrin vendimin në kancelaritë e tyre i drejtohen Parlamentit. Në këtë rast Parlamenti Hollandez për sa kohë ka thënë që do të shkojmë hapa pas për rikthimin e vizave, imagjinoni se cila do të jetë përgjigja e tyre për çeljen e negociatave. Për mua çelja e negociatave nuk do të ndodhe dhe kjo është fatkeqësi. Sepse në një vend që nuk ka kulturë të qeverisë, nuk ka mentalitetin për mënyrën sesi duhet të funksionojnë institucionet, Bashkimi Europian, pra vetë struktura e tij, procedura që duhet të ndiqte vendi gjatë negociatave, çelja e kapitujve, ishin jetikë për të ardhmen e vendit, për të ardhmen e demokracisë, por edhe për respektin që kemi ne ndaj institucioneve të pavarura. Ne nuk e njohim këtë lloj kulture. E kemi jashtëzakonisht të vështirë. Dhe është pikërisht ky proces i integrimit europian që e detyron secilin nga ne të bëhet pjesë e atyre vlerave evropiane, që jo të gjithë i kanë. Sepse vijnë nga nj regjim që nuk i kanë mësuar se si ndërtohet shteti, sesi respektohen institucionet, por edhe individët që qeverisin në këto institucione.
Ndaj edhe do të ishte shumë e rëndësishme çelja e negociatave që fatkeqësisht për mua nuk do të ndodhë dhe frika ime vazhdon ende të mbetet që ky imazh i cenuar rëndë tashmë për vendin, mund të shkojë në një efekt domino edhe për vendet e tjera si Franca që ka një problematikë të shtuar me çështjen e azilkërkuesve. Të mos harrojmë që ata kanë kërkuar një raport të posaçëm për këtë vit në Komisionin Europian mbi numrin e azilkërkuesve, por edhe një analizë se pse ndodh kjo. Pse ndodh që Shqipëria zë vendin e parë të azilkërkuesve, mbi Sirinë, dhe kjo është për disa vite me radhë tashmë. Jemi ne një vend në luftë? Nuk besoj se dikush këtu pranon që ne jemi në luftë. Ne mund të kemi problematika të brendshme, por luftë këtu nuk ka që njerëzit largohen në masivitet. Pra do të thotë që problemet e brendshme tashmë të Shqipërisë janë ndoshta edhe më të mëdha se konflikti i luftës në vetvete. Shpresa këtu është vrarë, ndaj dhe njerëzit kërkojnë të gjejnë një zgjidhje më të mirë për jetën e tyre. Por ama që kjo ka kosto shuam të rënda si për imazhin e vendit ashtu edhe me atë çka mund të ndodhë për vetë procesin e integrimit europian.