Kina financon Rrugën e Arbërit Rama: Projekti nis në vitin 2015

453
Sigal

TIRANE – Punimet për ndërtimin e Rrugës së Arbërit do të nisin vitin e ardhshëm dhe do të jenë financimet kineze të cilat do të vënë në jetë projektin. Ishte kryeministri Edi Rama i cili njoftoi firmosjen e memorandumit të bashkëpunimit me bankën kineze “Chinese Exim Bank”. Sipas tij, Rruga e Arbërit do të jetë vetëm projekti i parë i një bashkëpunimi të ri mes dy vendeve.

“Rruga e Arbërit, fruti i parë i një epoke të re. U nënshkrua mbrëmë memorandumi i bashkëpunimit me Chinese Exim Bank për hapjen e një kantieri projektesh në Shqipëri me financime kineze. Projekti i parë që do të çelë siparin e një epoke të re bashkëpunimi mes Shqipërisë e Kinës do të jetë Rruga e Arbërit, e cila do të nisë vitin e ardhshëm”, shkruan kryeministri Edi Rama në rrjeton social Facebook.
 
Memorandumi u nënshkrua mbrëmjen e së hënës nga ministri i Financave Shkëlqim Cani dhe ai i Transporteve Edmond Haxhinasto.

Rruga e Arbërit është rrugë në ndërtim e sipër e cila do të lidhë Tiranën me Dibrën në Maqedoni me një gjatësi prej rreth 75 kilometra, duke shkurtuar distancën mes Tiranës dhe Dibrës.