Kim Mehmeti: Listat e zeza të DASH-it dhe “delet” e mbikëqyrura nga “sigurimsat” e “Rilindjes”

135
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Kohët e pas zgjedhjeve parlamentare janë si ato të pas përmbytjeve, e kur uji që tërhiqet, lë pas vetes ose humus që tokën e bënë më pjellore, ose mbeturinat e mbledhura vite me radhë, e që atë e helmojnë. Pra në vendet ku funksionojnë institucionet e shtetit, zgjedhjet e radhës, vetëm e forcojnë shtetin, e në ato si “Shqipëritë” tona, ato janë kapak i gropës septike, e ku janë derdhur ujërat e zeza politike të tri dekadave të fundit. Shqipëria e sotme e jeton periudhën pas zgjedhore, e të cilat zgjedhje, përpos me mosnjohjen e tyre nga ana e opozitës, me shumëçka tjetër dallojnë nga më të mëparshmet. Dhe nëse me hiçgjë tjetër, dallojnë për nga qartësia se ato i fiton paraja, forca, krimi dhe “sigurimsat” e regjimit, të cilët “sigurimsa” aq hapur nuk i kishte përdorur as xhaxhi Enver. Dhe tani kur pritet përbërja e re qeveritare, një gjë është e sigurte: “patronazhistët”, apo “sigurimsat” e “Rilindjes”, do vazhdojnë veprimtarinë  e vet, duke e thelluar tek ne frikën se jemi e do mbetemi të mbikëqyrur e të përcjellë, kështu që përpos dashnoreve tona, regjimi do e dijë edhe numrin e këpucëve që mbajmë, edhe atë thuajse sa për të na e bërë gati veshmbathjen e burgut. Pra, çka do që të ndodhë sot e tutje, Shqipëria duhet ta dijë se e drejton mendësia që mbrohet nga populli, e që nuk e mbron shtetin e popullin. Dhe përpos zgjedhjeve, që i fituan ata, që shtetin e blenë nga votuesit, Shqipërisë i arritën edhe listat e zeza të DASH-it. E të cilat tregojnë se përderisa je “dele”, të cilën e qethin “sigurimsat” e “Rilindjes”, mos i kritiko as projektet e pasuksesshme, që i financon DASHI-i, si për shembull atë të reformës në drejtësi, që nuk iu lejua Maqedonisë  nga ndërkombëtarët  me arsyetimin se ajo kishte dështuar në Shqipëri. Por sido që të qëndrojë puna me zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri dhe me listat e DASH-it, duhet përsëritur me qindra herë se, nëse ne shqiptarët vetë, do e kishim bërë “listën e zezë” të burrështetasve që e plaçkitën shqiptarinë, e të cilëve, do duhej t’ua ndalonim të kandidonin në zgjedhje e të dilnin nga “Shqipëritë” tona pa ne e kthyer të vjedhurën, shumë pak politikanë të tri dekadave të fundit do mbeteshin jashtë asaj liste. Dhe në krye të asaj liste do duhej të ishin ata që e rrënuan Teatrin Kombëtar në Tiranë, ata që e ringjallën Sigurimin e Enverit. Pra ata që Tiranën e bënë lavatriçe ku lahet pisllëku që është duke e kalbur Shqipërinë, ku ndërtohen kulla të larta që atë e çojnë drejt qiellit, por duke ia shkulur rrënjët e të shkuarës shqiptare. Por ja, ngaqë u treguam popull i paaftë për ta mbrojtur vetveten nga të vetët edhe na ndodh që “lista e zezë” amerikane të na bëjë ta harrojmë “librin e zi” të vjedhjes zgjedhore të 25 Prillit në Shqipëri. Ku ta dish, mbase edhe ai është qëllimi i listave të zeza që na vijnë nga përtej oqeani?! Dhe ku ta dish, mbase edhe s’mund t’u ndodhë asgjë më e mirë “deleve” politike që i qeth kushdo që ka gërshërë të mprehta, apo atyre që ndërtojnë demokraci me dy të pafytyrë që e mbivotojnë të ndershmin, me një të pasur që e përcakton vullnetin politik të mijëra të varfërve, me një të pushtetshëm që i nënshtron dhe i detyron ta votojnë qindra hallexhinj…., dhe atyre që assesi ta kuptojnë se  politika i zgjidh problemet që vetë ajo i shkakton dhe se, nga politika s’mund të pasurohet ai që e mbron, por ai që e shet atë që i takon popullit!