Piro Ahmetaj;  Shfaqjet e një qurramani të llastuar

322
Në respekt të mijëra konsideratave për “kurajon dhe oponencën e fortë” ndaj qasjes diskretituese të Lulzim Bashës mbas 25 Prillit, po ndaj disa qëndrime shtesë:
Sigal

Së pari, besoj që tashmë të jenë kthjelluar të gjitha dilemat: “ish-PD ose edhe më qartë, kompania private e Lulzim Bashës i ka shitur, ia kanë manipuluar/vjedhur si dhe i ka humbur në mënyrë turpëruese edhe zgjedhjet e 25 Prillit 2021”!

Veçmas, ose të trija së bashku, nuk ka më asnjë pikë rëndësie. Ashtu si edhe retorika e të gjithëditurve, dufi i militantëve të dëshpëruar në rrjete sociale apo diskutimet e skuadrës humbëse ose të punësuarve të rinj nga PD në Kuvend pas shtatorit 2021 (Basha, Bardhi, Rrushaj, Duma, Salianji, Gjokmarkaj etj. të (de) graduar si ofiqarë), do kenë zero interes për demokratët, deri në zgjedhjet e  2025-ës!

“Fshati digjet, znj…” krihet thotë populli. Ja kështu, mbasi e rimori pa turp karrigen, Kryetari doroviti skuadrën e tij humbëse dhe sekserët zullumqarë me poste në forume (Këshill Kombëtar dhe Kryesi) vetëm për të forcuar murin e kamikazëve dhe si Ali komiku i Bagdadit, vijon të mbajë ligjërata mbi «fitoret madhështore që e presin PD-në nën udhëheqjen e tij, në mos në 2025-ën,  e sigurt në 2029-ën”!

Së dyti, pavarësisht kostumit perëndimor, artikulimit euro-atlantik  apo balukeve bolshevike, “qasja delinkuente  e Lulzim Bashës dhe gardës së ofiqarëve rreth tij”, e ka katandisur tashmë PD-në në një kompani të falimentuar.

Me fjalë të tjera, 13 Qershori, 18 Korriku dhe 30 Gushti 2021 do të inventarizohen në memorien e pluralizmit si funerale poshtëruese të vlerave dhe  besimit të PD-së!

Parë kështu, këto tri data demonstrojnë jo vetëm papërgjegjshmërinë perverse të Kryetarit humbës, por edhe mungesën dëshpëruese të kurajos në partinë që ka lindur dhe ka për mision lirinë!

Kështu, faqe e zezë kur personazhe me peshë publike, prisnin si “haleluja” renditjen në listën e Kryetarit mashtrues dhe me zvarritje në të trija këto ngjarje, për të hipotekuar fundin pa lavdi të PD-së së Lulzim Bashës!

Ndërsa një gardë pagatorësh, ende zgërdhihen nëpër studio dhe Kuvend duke brohoritur “deri në vdekje me udhëheqësin e lavdishëm”, edhe pse nën drejtimin e tij në 8 vjet, PD s’ka asnjë fitore të vetme.

Neveri për mediat e kapterëve, ngritur me paratë e VEFA-s dhe ushtrinë e punësuar me byrek në portalet e familjarëve që qelbën dynjanë me propagandën “edhe humbës i përsëritur, edhe krenar, edhe trim i tërbuar, edhe pro amerikan i madh”!

Keqardhje për dhjetëramijëra demokratë, që edhe mbas dëshpërimit për humbjen mëkatare, i marrin zvarrë në llogoret e betejave e radhës “për mbrojtjen e nderit të Kryetarit humbës”.

Së treti, për rrethana shtesë e kam ndjekur i pasurprizuar dhe i pazhgënjyer, “trimërimin e vonuar” të Lulzim Bashës për ta përjashtuar (vrarë Babën) nga grupi parlamentar dhe pabesinë cinike për ta diskretitur ish-Kryetarin, Presidentin,  Kryeministrin,bashkë me të edhe historinë dhe vlerat e PD-së për 30 vjet!

Që Kryetari pa këllqe, këtë vendimarrje nuk e ka bërë as për PD-në, as për Shqipërinë, as për SHBA-në dhe as për t’u hakmarrë në emër të armiqve të Berishës, por vetëm për interesat e tij private “këtë e di edhe maçi” thonë nga jugu, dhe besoja ta dinë edhe të punësuarit e rinj në Kuvend, që fluturojnë nga gëzimi që “janë thirrur nga Ambasada e SHBA-ve në Tiranë”!

Çfarë mjerimi!

Nga ana tjetër, shpreh neverinë për qasjen e Bashistëve: “Kush nuk është pro Kryetarit të Madh, është armik  i SHBA-së, i PD-së dhe i kombit”.  Pra “Rreziku amerikan” i një forme moderne, edhe më tinzare se e E. Hoxhës.

Kujtohuni se për të rimarë karrigen e Kryetarit në 13 Qershor, si skuth i stërvitur, u tha demokratëve: “kush nuk më voton mua, njeh zgjedhjet e vjedhura dhe voton armikun Rama” !

Po ashtu qasja se “ato që di unë dhe Berisha s’do i merrni vesh kurrë”, janë shfaqje të një qurramani të llastuar, pasi mbështetur në parimet bazë, liderët e partive (jo të kompanive private) kanë detyrim të informojnë stukturat për “gjithçka që dinë”, ashtu siç edhe mbajnë përgjegjësi për ato që bëjnë dhe nuk bëjnë në interes të organizatës që drejtojnë!

Për sa që angazhohen me përgjegjësi publike, kjo qëndron për Bashën edhe për Berishën, për t’u thënë demokratëve dhe shqiptarëve: “çfarë nuk do të marrin vesh kurrë?!”

Shqipëria nuk ka armë bërthamore dhe kujtohuni që mbasi bëri publike edhe Email-et e ambasadorit Donald Lu, “Basha është shpallur i pabesuar nga USA për sekrete”.

Po ashtu e gjykoj si provokim të rëndë, ndryshimin tinzar të statusit si dhe shashkën cinike “nuk i mbledh forumet për vendimarrjet e SHBA-së”, sikur partinë ta ketë trashëgimi.

Nëse vërtet ka dalldisur deri këtu, anëtarësia e PD-së duhet të kërkojë komision mjekësor se qenka shumë rëndë.

Së katërti, edhe“reagimi i vonuar” i Berishës, mesa duket i frymëzon militantët, por nuk besoj të bindë  demokratët dhe shqiptarët me arsye të shëndoshë.

Për shembull, që Basha ka qënë i emëruari dhe kanakari tij dora vetë, kjo është “vërtet e çimentuar” në hapësirën mbarëshqiptare dhe atë ndërkombëtare ! Ashtu siç edhe është “e vërtetë e rrënjosur”tashmë që Lulzim Bashën nuk e ka zgjedhur askush as në 2005-ën, as në 2011-ën, as në 2013-ën, as në 2017-ën, as në 2021-in, por është emëruar me bekimin, mbështetjen dhe heshtjen dëshpëruese të Sali Berishës.

Nga ana tjetër, jo çdo e keqe vjen për të bërë dëm. Kështu, përtej  personalizimit bajat me Berishën apo me Bashën, uroj që ky realitet i krijuar nga kjo rrethanë, të ndezë dritat e shpresës për të zgjuar arsyet fisnike mbi domosdoshmërinë kritike për ta transformuar, ridimensionuar si dhe rikthyer vlerat e të djathtës moderne në PD.

Së pesti, statusin“non grata” nga DASH, si çështje familjare, Berisha e ka adresuar në gjykatë, dhe deri sa ajo të shprehet, “prezumohet pafajësia”! Ky mbetet një parim i përbotshëm në demokraci. Nëse njerëzit do të ndëshkoheshin me proçedura teknike dhe mbi fakte të paprovuara nga gjykata, do të ishte shuar gjysma e njerëzimit !

Si dëshmitar teknik, ripërsëris vendosmërinë e mirënjohur dhe rolin thelbësor të ish-Kryeministrit Berisha në procesin drejt/pas anëtarësimit në NATO. Kështu, risjell në kujtesë se në 2012-ën, Shqipëria vlerësohet zyrtarisht“një ndër 5 vendet model për përmbushjen për kontributet në NATO”!

Duke parë nga ky këndvështrim, pa bërë as prokurorin, as avokatin, as gjykatësin, “vendimin ndaj Berishës nuk e gjej relevant me kohën, as të mirëbalancuar, as racional dhe as proporcional me nevojën që ka Shqipëria për të rritur besimin te modelet e shtetit të së drejtës (SHBA/BE) si dhe për përmirësuar mekanizmat e demokracisë funksionale”!

Shpresoj që Bashistët të mos më shpallin në “grupin armiqësor anti-USA” = janë bërë për t’u mëshiruar.

Thënë këtë, lëvizja “Foltore” do të dështonte pa lindur ende, nëse do ta bashkonte çështjen e familjes Berisha, domosdoshmërinë jetike dhe   përgjegjshmërinë e “babait”, për të ndërmarrë një operacion shpëtimi për PD-në.

Duam apo nuk duam, është fakt se të gjitha opsionet e tjera anti- Bashë kanë dështuar me sukses të plotë në këto 8 vite. Pra e besojmë apo jo, Berisha ka kapacitetin për ta shkundur nga themelet kështjellën e pushtuar nga një sekt humbësish.

Së fundmi, thënë sa më lart,  refuzoj me përbuzje të përfshihem më tej në debatin banal : “Dr. Berisha apo Lulzim Basha” edhe pse kurrë, për asnjë arsye, për asnjë referencë dhe rrethanë, nuk ka fare vend për krahasime !

Për më tepër, e përsëris se jo personalizimi dhe ndarja në llogore, por ngritja, e një Bordi Tranzitor Mirëbesimi mbetet domosdoshmëri për të nisur një proces të shëndetshëm transformimi, me qëllim rikthimin e PD-së në shinat e së djathtës moderne si dhe të besimit te demokracia funksionale si SHBA dhe gjithë Europa.

Ndaj, duke ju falënderuar për mijëra mesazhet inkurajuese, dua ta përsëris fort se jam i përkushtuar për të kontribuar me përgjegjshmëri shtesë në mbrojtjen dhe promovimin e interesave kombëtare si dhe ne forcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në, NATO-n, etj.

*Gjeneral Piro Ahmetaj: 

Ekspert i për Sigurinë Kombëtare dhe NATO-n 

Zv/President i Këshillit të Atlantikut 

Ish-Këshilltar i Sigurisë Kombëtare në PD 

Këshilltar Ushtarak i Presidentit 

Zv/SHSHPFA dhe Përfaqësues i Republikës së Shqipërisë në SHAPE/NATO