Suplementi Pena Shqiptare/ Spiro Mëhilli: Pashai dhe robinja

185
Sigal

Ali Pashë Tepelena, hipur në kalë, mbi shalën e bardhë, kalonte nëpër Himarë, Spile dhe së fundi në Porto Palermo. Në brez mbante varur shpatën e Karlit XII, ish-mbretit të Suedisë, dhuruar nga Porta e Lartë për besnikërinë e tij ndaj saj dhe në sup pushkën e gjatë, dhuruar nga perandori i Francës, Napoleon Bonaparti. Nata e zuri në breg të detit.  – Këtu do të qëndrojmë, – u tha  njerëzve që e shoqëronin. Me shpejtësi u ngritën çadrat, ku në mes tyre dallohej ajo e pashait – Të piqen mishrat në hell dhe në prush. – Fjala juaj në vesh të Zotit, pasha, – ia ktheu njëri nga shoqëruesit e tij. S’i thoshin shaka! Himarën nuk e kish nënshtruar as Jul Çezari në kohën e Luftës Civile, kur iu desh të përballej me Pompein, kurse Ali Pasha, sapo e kish nënshtruar atë. Tani duhej një pushim pas beteje, një pushim pas fitores, një pushim pas pushtimit të një krahine rrebele.  Vera dhe rakia u derdhën lumë. Mishrat e therrura  të sapopjekura dhe mezetë e shumta mbushnin  sofrat ku Aliu me oficerët e tij po hanin dhe pinin si të babëzitur. – Më sillni ujë! – urdhëroi pashai. Nuk vonoi dhe një kanë iu vu përpara. Ai e ngriti atë dhe piu ujin e ftohtë. -Pasha, është nga burimi i Porto-Palermos. Ai ka veti kuruese mbi sëmundjet e mëlçisë dhe fshikzës së tëmthit. – Atje të ngrihet një pus, – tha ai. Atë natë Aliu bëri një gjumë të qetë. Ishte nga netët e pakta që flinte si qengj. U çua pa lindur dielli. Para tij shtrihej një gji i rrethuar nga tri anë me kodra që e mbronin atë nga erërat dhe stuhitë detare, një gji detar që shtrihej nga juglindja dhe veriperëndimi në 2,5 km gjatësi dhe rreth 1 km gjërësi. Në të majtë ngrihej një masiv shkëmbor me lartësi 40-50 metra, që lidhej me bregun me anë të një rripi të hollë shkëminjsh dhe dheu, 60-70 metra të gjatë, 20 metra të gjërë  dhe jo më shumë se 3-4 pëllëmbë i lartë nga niveli i ujit.  Shkëmbi nga ana e detit binte thikë, ndërsa anëve të tij rriteshin shkurre të cilat me gjelbërimin gjithvjetor dhuronin pamje me bukuri të rrallë. Kali e çoi pashain tek  shkëmbi. Në majë të tij ndodhej një kishë. – Të prishet, – tha ai posa e pa. – Pasha, nuk është mirë të prishim shtëpinë e Zotit. Ju e dini që banorët  e kësaj zone janë të krishterë. Ashtu si një shahist që pasi studjon disa variante loje dhe bën lëvizjet e gurëve, edhe Ali Pashës parashikonte punët e tij.  – Thërrisni Petro Përmetarin dhe atë italianin. Në vendin e kishës dua të ngrihet një kështjellë! – kaq tha dhe mori rrugën për në Janinë. U punua një vit. Muret u ngritën prej guri dhe u bënë 2 metra të trashë dhe 10 metra të lartë. Kalaja vinte në formë katërkëndëshe me katër kulla dhe me bedena të shumtë, ku u vendosën topa për të ruajtur gjirin. Kur gjithçka përfundoi, Ali Pasha mori me vete Vasiliqinë, robinjën e tij të preferuar bashkë me disa gra të tjera nga haremi dhe u vendos atje për disa kohë. Një ditë ai u ngjit në tarracën e kështjellës dhe vendosi aty tejkqyrsin. Objektivi u ndal te gjiri i nuseve. Vasiliqia lahej lakuriq… Pashai shikonte me ëndje hiret e saj dhe në ato çaste kujtesa e tij u kthye vite përpara në kohë. Ishte hapur fjalë që në fshatin Plishevic, afër Filatit, disa  njerëz prodhonin monedha  fallso. Aliu me taborrin e tij, u duk papritur atje, i zuri fallsifikatorët dhe u preu kokat. Shtëpitë ua dogji. Një ushtar kish rrëmbyer dhe mbante në krahë një vajzë të vogël, e cila e qëllonte me grushte dhe bërtiste:   Ndihmë, ndihmë! Ali Pasha urdhëroi ushtarin që ta linte vajzën të lirë. Ajo ishte jo më shumë se 12-13 vjeçe. E dobët, e nxirë nga tymrat e shtëpive, që digjeshin, me flokë të shpupurisura dhe me sy të përlotur, ajo sapo u çlirua nga “kthetrat” e ushtarit, ashtu, me fustanin e shqyer deri lart, u drejtua nga burri që qëndronte mbi kalë dhe që dukej më i madh se të tjerët: – Babagjysh, më shpëto! Pashait i erdhi keq dhe urdhëroi:  – Vajzën çojeni në Litharicë, në sarajet e mija! Dhe ja, pothuaj se pas katër  vitesh, ajo ishte rritur, ishte zbukuruar dhe ishte bërë ndoshta femra më e bukur e Greqisë.  – Sillmani Vasiliqinë në dhomën time, – tha dhe zbriti nga tarraca. Pas afro gjysmë ore ajo ndodhej para padronit të saj, e ndrojtur si një fëmijë i pafajshëm. Zhvishu! – urdhëroi ai. Ajo hoqi rrobat dhe po qëndronte lakuriq në mes të dhomës. Njëra nga gratë e haremit filloi të hidhte verë në lugun midis dy gjinjëve të Vasiliqisë. Aliu pinte lëngun e bekuar në fund të barkut të saj. Trupi i harlisur i Vasiliqisë fërgëllonte si në ethet e gushtit.  O Zot, falmi mëkatet dhe prano që unë të martohem me Vasiliqinë. Unë dua që kjo të bëhet gruaja ime, – tha ai me sytë nga qielli. Robinja e bukur e vështroi atë me sytë e saj të mëdhenj dhe të errët, dhe ia ktheu: Imzot! Ju jeni sovrani im dhe unë skllavja juaj. Ju kam dhënë gjithçka që keni dashur nga trupi im. Nuk ju mjafton kjo? Vasiliqi! Nuk do të kesh më punë me haremin. Të dua për pleqëri.  Jam e krishtere, imzot dhe po qe e thënë që ju do t’më bëni gruan tuaj dua të martohemi në kishë  Si thua ti do të bëhet! Jam i plakur dhe i lodhur. Mjaft kam vrarë e kam prerë koka njerëzish. Pas dy ditësh atje shkoi arkitekti  italian. Dëgjo! Projekto një kishë dhe ndërtoje brënda  njëzetekatër orëve. – e urdhëroi Aliu.  Pasha, kjo është…  Kur të mbarosh punën, ti do të qëndrosh brenda me  gjithë  punëtorët. Do t’ju qëlloj me top. Bëje të fortë që të shpëtosh! Arkitekti  italian  e dinte se  fjala e Pashait të Janinës ishte ligj. Pas dy javësh, arkitekti u duk me projektin. Pranë vendit ku do të ngrihej kisha, u grumbulluan materialet e duhura. Puna filloi dhe kisha përfundoi së ndërtuari për njëzetekatër orë. Dera e saj qëndronte nga perëndimi, përballë derës së kështjellës, ndërsa altari nga lindja. Aliu e pa kishën e sapopërfunduar dhe pastaj shkoi dhe u ngjit në tarracën e kështjellës. Arkitekti italian së bashku me punëtorët u fut brënda kishës së sapopërfunduar dhe po priste me ankth. U dëgjua një e shtënë. Predha goditi në të djathtë të derës, rreth 2 metra mbi nivelin e tokës. U shkëput vetëm një copëz guri. Ndërtesa rezistoi. Shumë shpejt u ngrit altari, u vendosën ikonat, shandanët dhe u thirr prifti nga Dhërmiu. Ai e kurorëzoi me martesë Ali Pashë Tepelenën me Vasiliqinë. Në darkë, pas dasmës, Aliu e zhveshi Vasiliqinë, mori qumësht, ia derdhi mbi gjinj dhe duke ia përkëdhelur e puthur ato tha:  Më vjen keq që gjinjtë e t’u nuk do të mbushen me qumësht. Mosha ime nuk premton, – dhe qau si fëmijë. Por miqtë tashmë kishin filluar ta braktisnin. Aliu i tradhëtuar kish mbetur vetëm me një grup besnikësh. Kalaja e Janinës u rrethua me mbi 3000 trupa. Në depo qëndronte me pishtarin e ndezur në duar Selim Çami, një nga trimat e tij, i gatshëm për t’ua  vënë flakën fuçive me barut, sapo të urdhëronte pashai, që kështjella me gjithë njerëz të hidhej në erë. Ai u vra në pabesi. Aliu i pashpresë bërtiti: Vasiliqi, ik, nuk ka kohë… Duar të fuqishme e mbërthyen Ali Pashën, sunduesin 82 vjeçar të Janinës, i hoqën shpatën, dhe atë e ekzekutuan duke ia prerë kokën, të cilën pasi e ballsamosën, e vendosën në një tabaka dhe e shoqëruan me 300 kalorës për ta çuar dhe vendosur në kamaren e turpit, në sarajet e Sulltan Mahmudit II, në Stamboll. Bashkë me ta  po shkonte edhe Vasiliqia 22 vjeçare. Mahmud Pasha, i dërguari i  Hurshid  Pashës, gjatë rrugës shkoi dhe pa kalanë e Porto Palermos. Atje këputi degë nga bimësia që rritej në muret e gurta të kalasë. Prej tyre doli  një lëng i bardhë. Hej! – tha ai, – këto janë qumështoret e Vasiliqisë, – dhe pastaj mori rrugën e gjatë drejt Stambollit, ku do të çonte kokën e Ali Pashë Tepelenës.