Kim Mehmeti: Flamuri i krenarisë sonë, si mbulesë e paturpësisë së tyre

135
Sigal

Po pra, flamuri ynë kombëtar e ngërthen në vetvete tërë kalendarin tonë kolektiv, pra të gjitha kremtet tona kur ai është valëvitur në majë të shtizës, siç janë vulosur në të edhe ditët e dhembjes sonë kolektive, e kur atë e kemi zbritur në gjysmështizë.

Flamuri ynë Kuq e Zi ngërthen në vetvete gjithë vlerat tona kolektive dhe çdo gjë të bukur që ka shqiptaria. Si i tillë, krahas gjuhës sonë, është ‘atdheu’ që na mban të bashkuar dhe që na bën të jemi krenarë me atë që kemi dhe atë që jemi.

Por jo njëherë, flamuri i krenarisë sonë është përdorur nga politikanët tanë si mbulesë për paturpësinë e tyre. Si për shembull nga Kryeministri i sotëm i Shqipërisë, i cili, sa herë që e ndjen rrezikun se do shihet se është i ‘dërguari special’ i Vuçiçit në botën shqiptare, nxitimthi e vesh petkun e atdhetarisë dhe e pranon se kryeqyteti i Kosovës nuk është Beogradi, por Prishtina.

Dhe nuk ka dyshim se sa më jetëgjatë politikisht do jenë ata që e kriminalizuan Shqipërinë, aq më jetëshkurtër do jetë e vërteta se shtizën e flamurit tonë e morën në duar ata që Tiranës ia rrënuan Teatrin Kombëtarë dhe shumëçka që ishte ‘përdhese’, për ta lartësuar me kullat që nuk e lejojnë diellin ta sheh tokën në të cilën thellohen rrënjët shekullore të shqiptarisë, tokë që është bërë thuajse e pabanueshme për rininë shqiptare.

Siç do bëhet jetëshkurtë edhe e vërteta se flamuri i krenarisë sonë keqpërdoret edhe për ta mbuluar të vërtetën se kryeqendra e shqiptarisë – Tirana, vazhdon të ngjitet lartësive qiellore duke u shkëputur kështu nga e vërteta e saj shqiptare, duke e zgjatuar hijen e kullave, hijen që e bënë të padukshme gropën e thellë të krimit ku është zhytur Shqipëria, gropë ku ‘kalbet’ mëmëdheu ynë, i drejtuar nga ata që shqiptarinë e kanë vetëm dekor për të dëshmuar se janë mendjehapur dhe më ndryshe se shqiptarët tjerë.

Dhe siç duket, nga gjithë ‘Shqipëritë’ tona, vetëm Kosova mbetet ajo që ishte gjatë shekujve: fole e ngrohtë e shqiponjës dykrenore dhe djep i atdhetarisë dhe patriotizmit shqiptarë. Dhe ku ta dish, ndoshta ka ardhur dita kur ajo duhet ta thotë zëshëm se s’ka asgjë të përbashkët me ata që u janë përkushtuar projekteve serbe, me ata që e bashkojnë Ballkanin duke e përçarë shqiptarinë.

Sa i përket shoqërisë së shqiptarëve të Maqedonisë, ajo që moti është pashallëk i drejtuesve të BDI-së. Dhe sa herë që ka rrezik të shpaloset kjo e vërtet, pra sa herë që ka rrezik të shihet se shqiptaria është bërë ‘biznesë’ fitimprurës, drejtuesit e kësaj partie mbulohen me emblemën e shenjtë të UÇK-së dhe me flamurin Kuq e Zi.

Ndërkaq parti të tjera të shqiptarëve të Maqedonisë të Veriut, nga BDI-ja i dallon vetëm emri. Dhe veprojnë sipas mendësisë politike të simotrës së tyre të madhe: nëse do që nga politikani i paushqyer mirë të bëhesh kapitalist, atëherë bëhu pjesë e qeverisë. Edhe atë duke e ditur se shqiptari i Maqedonisë të Veriut nuk mund të bëhet as hajdut pa përkrahjen e qarqeve policore e politike maqedonase.

Po pra, flamuri ynë kombëtar e ngërthen në vetvete tërë kalendarin tonë kolektiv, pra të gjitha kremtet tona kur ai është valëvitur në majë të shtizës, siç janë vulosur në të edhe ditët e dhembjes sonë kolektive, e kur atë e kemi zbritur në gjysmështizë.

Andaj le të mburremi me të gjitha vlerat që na identifikojnë për atë që kemi dhe atë që jemi, me në krye flamurin tonë, por duke mos harruar kurrë se krenaria dhe vetëdija kombëtare, nuk janë diçka sezonale që vijnë e shkon varësisht nga përfitimi ynë vetjak, por se ato janë të vulosuar dhe të gdhendura si në gurë, si e zeza e shkabës dykrenore në të kuqen e flamurit tonë kombëtar.