Këshilli Bashkiak, Veliaj: Banesat sociale, lajm i mirë për 242 familje

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar rendin e ditës, me gjithë kundërshtimin e përfaqësuesit të këshilltareve të djathtë Leonard Olli, që kërkoi shtyrjen e tre pikave për diskutim nga mbledhja e sotme. “Ne kërkojmë që pikat 2, 3 dhe 4 të rendit të ditës të shtyhen për një moment të dytë”, ka thënë ai, por pas hedhjes në votë, kjo kërkesë nuk ka gjetur miratim dhe mbledhja ka vijuar sipas rendit të parashikuar. Kjo është mbledhja e parë e Këshillit të ri Bashkiak. Kreu i Bashkisë, Veliaj gjatë fjalës në mbledhje ka ftuar këshilltarët për bashkëpunim, duke theksuar se duhet rikuperuar bashkëpunimi i munguar. Veliaj bëri një prezantim të pikave të rendit të ditës, duke nënvizuar ndarjen e banesave sociale, lënë sipas tij në harresë nga paraardhësit.

RENDI I DITES I MBLEDHJES SE KESHILLIT BASHKIAK
1. Për plotësimin e vendeve vakant në Këshillin Bashkiak të Tiranës, pas dorëzimit të mandatit nga znj. Brunilda Paskali dhe znj. Adelina Albrahimi.
2. P/Vendim; Për “Një shtesë dhe ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës nr.28, datë 23.12.2014, “Për miratimin e Programit Buxhetor Afatmesëm 2015¬2017       dhe detajimin e Buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2015” (i ndryshuar), në zbatim të reformës së re administrative territoriale.
3. P/Vendim: Për “Disa Shtesa dhe ndryshime në VKB Nr.3 Datë 05.02.2007 “Për Sistemin e Taksave dhe Tarifave Vendore në Qytetin e Tiranës”, (i ndryshuar).
4. P/Vendim; Për “Disa ndryshime në nivelin e pagave të punonjësve të Njësive Administrative të Tiranës”.
5. P/Vendim: Për ‘’Përzgjedhjen e listës së aplikuesve, përfitues të programit të banesave sociale me qira, në zonën e Shkozës, ish¬fonderia mekanike”.
6. P/Vendim: Për “Miratimi i dhënies së ndihmës ekonomike dhe pagesës për PAK e Invalidët e Punës për periudhën 1¬31 Korrik 2015”.
7. Dhënie ndihme 10 mijë euro për Tetovën pas përmbytjeve.

NDIHMA EKONOMIKE NË TIRANË, PËRFITOJNË 4629 FAMILJE
Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, pjesë e projektvendimeve është edhe shpërndarja e ndihmës ekonomike për 4629 familje të shpërndara në 24 njësitë administrative të Tiranës, për muajin korrik 2015. Po ashtu, pjesë e projektvendimit është edhe shpërndarja e pagesës së paaftësisë për 1572 invalidë, të cilët nuk kanë arritur ta përfitojnë në kohë. Ndërkohë që në këtë mbledhje miratohet edhe shpërndarja e banesave sociale për 242 familje të pastreha, të cilat po presin prej vitesh në dyert e bashkisë.
Ndihma ekonomike
Zgjedhjet lokale dhe shpërbërja e këshillave të bashkive dhe komunave në muajin qershor ka lënë pa ndihmë ekonomike të muajit korrik mijëra familje në nevojë në Tiranë dhe në komunat që iu bashkuan me ndarjen e re administrative. Po ashtu, edhe 1572 invalidë në disa komuna të Tiranës ende nuk kanë marrë pagesën e invaliditetit për muajin korrik. Ndaj në këtë mbledhje të parë të këshillit, pas asaj të konstituimit, do të miratohen pagesat për 6201 familje në nevojë. Sipas relacionit të bashkisë, pagesa për personat me aftësi të kufizuara që përfshihet në këtë vendim, është pagesa për muajin korrik 2015 që nuk mundi të shpërndahej në kohë nga Njësitë Administrative Baldushk, Bërzhitë, Farkë, Zall Bastar dhe Kashar dhe në total përfitojnë 1572 invalidë.
Gjithashtu, Bashkia e Tiranës, në bazë të vendimeve të Zyrës Rajonale Tiranë të Shërbimit Social Shtetëror, ka mbledhur dhe përpunuar të dhënat mbi pagesën e ndihmës ekonomike për trajtimin e familjeve në nevojë, pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme si dhe individëve nga kategori të tjera në nevojë: jetimë, viktima të dhunës apo trafikimit, fëmijë në kujdestari dhe individë, prindër të fëmijëve të lindur trinjakë, katërnjakë, pesënjakë. Numri total i familjeve që përfitojnë në 24 njësitë administrative të Bashkisë së Tiranës është 5629 familje. Njësia që ka numrin më të madh të familjeve në nevojë është Zall-Bastari, ku do trajtohen me ndihmë ekonomike për muajin korrik 467 familje, më pas vjen njësia 6 me 414 familje, njësia 4 me 363 familje. Ndërsa numrin më të vogël e ka njësia administrative Farkë me 37 familje në nevojë, Petrela me 55 dhe njësia 10 me 92 familje në nevojë.
NOA