‘Kërcasin’ prangat për Ahmetaj

Gati urdhër arresti për ish-ministrin. Ish-prokurori: Nëse nuk veprohet shpejt, ta harrojmë ekstradimin e Ahmetajt. SPAK zbulon dhjetra komunikime elektronike, ja si zyrtarët raportonin te bosi që ‘gllabëron’ parëtë e inceneratorëve Klodian Zoto

Ish-prokurori paralajmëron: Nëse nuk veprohet shpejt, ta harrojmë ekstradimin e Ahmetajt

NOA

Ish-Prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci paralajmëroi se nëse Arben Ahmetaj kërkon azil në vendin ku ka shkuar dhe njëherësh nëse kjo kërkesë për azil i miratohet, atëherë ekstradimi i tij drejt Shqipërisë duhet të harrohet. Reagimi i fortë i ish-prokurorit Besi vjen në një kohë kur SPAK i ka dorëzuar “urdhër-arrestin” për Ahmetajn ndaj Policisë së Shtetit, e cila fillimisht po verifikon nëse ish-zëvendëskryeministri ndodhet ose jo në Shqipëri për të gjetur vendndodhjen e tij dhe më pas për ta shpallur në kërkim ndërkombëtar.“Çdo ditë që kalon duhet theksuar se do duhet të operohet sa më shpejt nga organet e drejtësisë. Pasi merr dokumentet e duhura Prokuroria e Posaçme do bëjë shpalljen në kërkim ndërkombëtar, e cila kërkon rreth 10 ditë. Nëse ndodhet në Britani, kemi një marrëveshje për ekstradimin, kështu që është i lehtë ky proces. Nga Kanadaja nuk kemi një marrëveshje të tillë. Në rast se Ahmetaj arrestohet në Rumani, ai nuk ekstradohet pasi i bie që është shtetas rumun. Sipas aludimeve, nëse ka pasaportë rumune, që të jemi të qartë. Nëse bën kërkesë për azil dhe i pranohet, të harrohet procesi i ekstradimit.” – tha ish-Prokurori i Krimeve të Rënda Eugen Beci.

Zyrtarët që raportonin te Zoto. SPAK zbulon dhjetra komunikime elektronike

…zbuloi se biznesmeni në kërkim i plehrave, Klodian Zoto, ka pasur në dispozicion të tij një mori zyrtarësh, të cilët i raportonin rregullisht mbi diskutimet ndërministrore, ku vendosej për koncesionet e landfilleve.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit ka zbuluar dhjetëra komunikime elektronike në të cilat zyrtarë të lartë shtetërorë raportonin mbi diskutimit ndërministrore dhe proceduart mbi koncesionet me biznesmenët e djegësave. Një pjesë e këtyre zyrtarëve që raportonin tek Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, janë ende pjesë e administratës së lartë shtetërore. Hetimi i Prokurorisë së Posaçme për Arben Ahmetaj zbuloi se biznesmeni në kërkim i plehrave, Klodian Zoto, ka pasur në dispozicion të tij një mori zyrtarësh, të cilët i raportonin rregullisht mbi diskutimet ndërministrore, ku vendosej për koncesionet e landfilleve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës. Etleva Kondi ishte drejtoreshë në Ministrinë e Mjedisit, gjatë kohës, që shqyrtoheshin koncesionare për impiantet e mbetjeve. SPAK ka zbuluar se ajo komunikonte shpesh në rrugë elektronike me Klodian Zoton për përgatitjen e materialeve, që lidheshin me procedurat. Zonja Kondi aktualisht është marrë e pandehur në procesin gjyqësor për inceneratorin e Fierit. AlbaThoma mbante postin e drejtoreshës juridike në Ministrinë e Mjedisit gjatë hartimit të procedurave koncesionare. SPAK ka zbuluar një numër të konsiderueshëm mesazhesh elektronike, në të cilat zonja Thoma vinte në dijeni Klodian Zoton. Pas largimit nga Ministria e Mjedisit, Thoma u punësua në Ministrinë e Mbrojtjes dhe më tej në Avokaturën e Shtetit. Në komunikimet e zonjave Kondi dhe Thoma me Zoton përmendet shpesh emri i ish-drejtoreshës juridike të Ministrisë së Financave, Alda Klosi. Në materialin e SPAK-ut nuk është evidentuar ndonjë komunikim direkt Klosi-Zoto. Megjithatë, ish-zyrtarja e lartë e Financës mund të ketë shumë për të treguar mbi mënyrën se si u dorëzuan koncesionet e plehrave në duart e Zotos dhe Mirel Mërtirit. Aktualisht, Alda Klosi është në paraburgim, nën dyshimet e fshehjes së pasurisë, në një proces që nuk ka lidhje me procedurat e inceneratorëve. Vladimir Bezhani, ish-këshilltar në Ministrinë e Mjedisit, gjithashtu rezulton të ketë komunikime elektronike me Klodian Zoton. Valbona Ballgjini ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit në periudhën 2013-2018. SPAK ka zbuluar një e-mail të vitit 2015, ku Zoto e orienton Ballgjinin për skualifikimin e disa operatorëve ekonomikë në procedurën tenderuese “mbikqyrje e punimeve për zhvendosjen e mbetjeve të ngurta nga landfilli Elbasan”. SPAK zbuloi se kjo procedurë është fituar nga kompani pranë Zotos.Valbona Ballgjini aktualisht është Drejtore e Kontrollit Financiar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Rovena Beqiraj ishte drejtoreshë e Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve, kur janë shqyrtuar kontratat e impianteve të mbetjeve. Një vartëse e saj, Sidita Kopliku, ka deklaruar para prokurorëve të SPAK-ut se është ndjerë nën presion nga titullarja e saj, Beqiraj, për të finalizuar me sukses kontratën koncesionare të Sharrës, e cila i shkoi “Integrated Energy BV”. Po ashtu, Beqiraj në Dhjetor 2016 ka informuar drejtorët e Ministrisë së Zhvillimit Urban se përfaqësuesit e ATRAKO-s kanë votuar pro miratimit të bonusit prej 8 pikësh për kompaninë “Integrated Energy”. SPAK ka konstatuar se, në atë moment, kompania koncesionare nuk rezultonte e regjistruar në Qendrën e Biznesit. Aktualisht, Rovena Beqiraj është drejtor i Përgjithshëm i Pronësisë Intelektuale.

VOA: A do e shpallë shpejt policia në kërkim Ahmetajn apo do respektojë procedurat?

Në Shqipëri të enjten pasdite Prokuroria e posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit i dorëzoi policisë urdhërin për ekzekutimin e masës së arrestit me burg për ish zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj. Urdhri pasoi vendimin e Gjykatës së Posaçme, e cila miratoi kërkesën e Prokurorisë. Parlamenti i dha dritën jeshile kërkesës për arrestimin e Ahmetaj që të premten e shkuar dhe mbetet e paqartë se përse u desh një javë për të përmbyllur të gjitha hallkat procedurale. Sipas rregullit, policia ka një muaj kohë për të kërkuar një person ndaj të cilit është lëshuar një urdhër arresti. Por që më herët, Prokuroria i kishte kërkuar asaj informacione mbi vendndodhjen e ish zëvendëskryeministrit. Nuk dihet nëse policia do të shfrytëzojë të gjithë kohën e parashikuar, apo do të vijojë në një kohë të shkurtër për ta shpallur atë në kërkim ndërkombëtar, duke ditur që ai është jashtë vendit dhe e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të kthehet, të paktën jo brenda një kohe të shkurtër. Ahmetaj u largua nga Shqipëria më 7 korrik, pak përpara se Prokuroria e posaçme të firmoste kërkesën drejtuar parlamentit. Ai udhëtoi drejt Greqisë përmes kufirit tokës, në pikën e Kakavijës. Vendndodhja e tij e mëpasshme mbetet ende enigmë, të paktën publikisht, ndonëse avokatët e tij deklaruan se ai ndodhet pranë familjes në Londër. Ish-zëvendëskryeministri, ka reaguar deri më tani dy herë, përmes postimeve në Facebook. Herën e parë ai shkruajti pak përpara seancës së jashtëzakonshme të parlamentit, për votimin e kërkesës për arrestimin e tij. Një kërkesë e cila mori një mbështetje thuajse unanime. Në atë rast ai deklaroi se do të mund të kthehet kur ‘të ndriçohet e vërteta’, duke bërë të qartë se hetimet në vijim e ndoshta dhe procesin gjyqësor do ta ndjekë në arrati, përmes avokatëve të tij. Reagimi i tij i dytë ishte këtë të martë, pasi me urdhër të Prokurorisë së posaçme u ushtruan kontrolle në 7 banesa në pronësi të tij apo të afërmve të tij. Pajise të ndryshme të gjetura në to, që ga kompjuterë, latop, celularë apo dhe USB u sekuestruan. Po atë ditë u vunë nën sekuestro dhe 4 apartamente, të cilat Prokuroria tha se i përkisnin ish kryeministrit, si dhe dy llogari bankare në emër të tij në të cilat ishin depozituar 124.300 euro. Ish zëvendëskryeministri foli për ‘raprezaljen e radhë ndaj familjes sime’, ndërsa shigjetoi njerëz të qeverisë si të lidhur me çështjen e inceneratorëve. Ahmetaj, dyshohet, sipas Prokurorisë, për të paktën tre vepra penale, që nga korrupsioni te pastrimi i parave dhe mosdeklarimi apo fshehja e pasurisë. Hetimet kanë zbuluar lidhje të ngushta mes tij dhe dy sipërmarrësve të cilët fituan kontratat për inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, si dhe favorizme që ai, nga pozitat e ish ministrit të Ekonomisë dhe më pas të Financave u ka ofruar atyre, duke marrë në këmbim , sipas prokurorisë, shpërblime në forma të ndryshme.