Keqpërdorimi dhe vjedhja e të dhënave personale nga PS

455
Sigal

Me vjedhjen e të dhënave personale të 910 mijë qytetarëve të Tiranës, Rilindja po krijon juntën elektorale duke rrezikuar zgjedhjet. Zëri i Amerikës: SPAK të nis verifikimet për paligjshmëri mbi skandalin që ka përfshirë socialistët. Presidenca lëtër KQZ-së dhe ambasadorëve në Tiranë. Av.Ledio Braho: Duhet hetim, edhe prokurorët e SPAK dhe kreu i SHISH nën patronazh

Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion bëri sot (dje) të ditur se ka nisur verifikimet pas lajmeve mbi zotërimin e paligjshëm të të dhënave personale për qëllime politike gjatë fushatës zgjedhore. Përfaqësues të SPAK-ut kanë deklaruar se vjedhja e të dhënave personale nuk është një çështje në kompetencë të këtij institucioni të sapokrijuar, por ai nisi verifikimet nisur nga rëndësia e problemit dhe faza aktuale e fushatës zgjedhore. Tensionimi i fushatës zgjedhore arriti një kulm të ri në Tiranë kur Partia Demokratike e opozitës dhe Presidenti i Republikës i kërkuan SPAK-ut të nisë hetime për atë që e quajnë keqpërdorim nga Partia Socialiste të të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë dhe të bazës së të dhënave shtetërore. Partia Demokratike e cilësoi skandal përdorimin nga PS e një baze të dhënash personale të 910 mijë qytetarë të kryeqytetit, ku gjendet numri ID i kartës së identitetit, telefona personalë, vendi i punës e të dhëna të tjera private. Enkelejd Alibeaj, përfaqësues i Partisë Demokratike të opozitës tha se bëhet fjlë për të dhëna personale e konfidenciale të mbi 900 mijë votuesve të kryeqytetit, përdorimi I të cilave përbën vepër penale. “Përdorimi i të dhënave personale të portalit E-Albania, nga Rama dhe PS është një shkelje flagrante e privatësisë së qytetarëve. Në mënyrë të paprecedentë, në selinë e PS janë vendosur kompjutera dhe servera, që përgjojnë dhe përdorin të dhëna personale të qytetarëve, të marra nga portali E-Albania. Është arritur të sigurohet databaze. Në të ka të dhëna konfidenciale të plot 910 mijë votuesve të Tiranës, nga 19 deri në 99 vjeç” – tha zoti Alibeaj. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, kërkoi nisjen e hetimeve mbi keqpërdorimin nga ana e PS-së të të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë dhe të shpërdorimin e bazës së të dhënave shtetërore nga partia në pushtet.

Partia Demokratike e cilësoi skandal përdorimin nga PS e një baze të dhënash personale të 910 mijë qytetarë të kryeqytetit, ku gjendet numri ID i kartës së identitetit, telefona personalë, vendi i punës e të dhëna të tjera private

Presidenti Meta iu drejtua me një letër publike SPAK dhe prokurorisë së kryeqytetit, KQZ-së dhe OSBE-së si dhe ambasadave më të mëdha shteteve perëndimore, ku thuhet se të dhënat personale të çdo shtetasi, që ata i depozitojnë në institucionet publike dhe që administrohen në bazat e të dhënave shtetërore, janë personale, mbrohen me ligj, dhe kanë për qëllim përdorimin e tyre vetëm për interesin e shtetasve dhe të shtetit. “Çdo përdorim i këtyre të dhënave për të furnizuar baza të tjera të dhënash, që krijohen nga një parti politike, është një cenim skandaloz i të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, që veç të tjerave krijon terren për keqpëdorimin e tyre”, – theksoi zoti Meta në letrën e tij dhe tha se Partia Socialiste, mban, administron, përdor dhe përpunon një bazë elektronike të dhënash individuale e konfidenciale të shtetasve shqiptarë me të drejtë vote sipas formatit të portalit shtetëror e-Albania.

Presidenti Meta tha se përdorimi nga një parti politike i të dhënave personale, që administrohen nga një Regjistër Publik shtetëror, është nga ngjarjet më të rënda që kanë ndodhur përgjatë kësaj fushate zgjedhore

Presidenti Meta tha se përdorimi nga një parti politike i të dhënave personale, që administrohen nga një Regjistër Publik shtetëror, është nga ngjarjet më të rënda që kanë ndodhur përgjatë kësaj fushate zgjedhore. Ato të dhëna, sipas tij, mund të përdoren për frikësim dhe shantazh ndaj zgjedhësve, për të siguruar votat e tyre, dhe kjo është një veprimtari e paligjshme e ndaluar nga neni 91 i Kodit Zgjedhor, si dhe vepër penale e dënueshme nga neni 248 i Kodit Penal. Krahas SPAK, edhe zëdhënësi Redi Skënderaj i Zyrës për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, tha se sapo u njoh me këtë rast, Komisioneri nisi verifikimet përkatëse ligjore, duke kërkuar nga të gjithë subjektet, që kanë të dhëna për këtë problem, sepse të dhënat personale mbrohen nga Kushtetuta.

Ledio Braho: Duhet hetim, edhe prokurorët e SPAK nën patronazh

Ledio Braho u shpreh dje se të dhënat e databazës së PS-së të publikuara ka edhe të dhëna personale që nuk kanë lidhje me zgjedhjet. Sipas tij, numri personal dhe vendi i punës nuk publikohen dhe nuk përdoren në zgjedhje, dhe zotërimi i tyre është shkelje e të dhënave personale dhe se mbrohen me ligj. Braho: Janë shumë të dhëna që nuk publikohet sepse janë të dhëna personale. Numri personal, ID-ja që është unik dhe vendi i punës. Edhe në Kodin Zgjedhor numri personal nuk publikohet. Ndërsa vendi i punës nuk është përbërës zgjedhore, sepse ka të bëjë me çështjen ekonomike të dikujt. Janë këto dy aspekte që gjenden në denoncimin që ka bërë Lapsi.al dhe që ngrenë dyshime për përdorjen e të dhënave personale. Këtu ka nevojë për një hetim të thelluar. Ironike është se ishin prokurorët e SPAK-ut, madje arrihej deri në bindjen e tyre politike dhe si kishte ndryshuar kjo bindje politike. Kontrata që çdo qytetar lidh me e-albania në momentin që hap një llogari  e ka me AKSH-in. Ndërkohë, databaza e të punësuarve në vendin tonë e ka drejtoria e përgjithshme e tatimeve për shkak të deklarimeve që çdo qytetar bën në raport me sigurimet shoqërore. Nuk e di se sa e mundur është që këto të dhëna të dalin nga Censusi, por nuk është një informacion publik sepse ligji për të dhënat personalet i konsideron si të papërpunueshme pa lejen e personit konkret. Hetimi në këtë rast duhet të jetë i SPAK-ut. Ky nuk është një krim zgjedhor lidhur me zgjedhësit. Në këtë rast kemi të bëjmë me institucione qendrore dhe kjo është target i SPAK. Kjo nuk është hera e para që niset një hetim që niset nga publikimi në medieve e çështjeve të tilla. Prokuroria nuk ka pasur një komunikim lidhur me këtë çështje, por pres që të hetohet lidhur me këtë rast, sepse nuk është e konceptueshme që vetë prokurorët e SPAK-ut të jenë pjesë e këtyre të dhënave që në fakt ishin të përditësuara. Duhet parë me anë të një hetimi nëse PS e ka shfrytëzuar administratën publike dhe portalin e-albania lidhur me zgjedhjet. Është e nevojshme që të regjistrohet me një procedim penal lidhur me këtë çështje, edhe pse nuk e di se sa e shpejtë do të jetë një gjë e tillë. Në një rast të tillë mund të thirren persona përgjegjës nga PS dhe nga institucionet shtetërore përkatëse.