KE, në përmbyllje të procedurave për OMN, do të monitorojnë procesin e rivlerësimit në të gjitha nivelet

423
Sigal

Komisioni Europian është në përmbyllje të procedurave për të zgjedhur përfaqësuesit ndërkombëtarë që do të jenë pjesë e operacionit ndërkombëtar të monitorimit sipas dispozitës në Kushtetutën e Shqipërisë.

Komisioni Europian thekson se institucionet e BE-së po punojnë për të përcaktuar hollësitë e operacionit monitorues në të gjithë komponentët, ndërsa bisedimet për përgjegjësitë dhe konfigurimin e tij vazhdojnë ende.

Operacioni ndërkombëtar i monitorimit është i sanksionuar në Kushtetutën e Shqipërisë të miratuar me 21 korrik dhe do të jetë pjesë integrale e rivlerësimit të gjithë trupës gjyqësore në vend.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë do të monitorojnë procesin e rivlerësimit në të gjitha nivelet e tij, duke filluar që nga mbledhja e dokumentacioneve në institucionet ndihmëse si ILDKPI apo SHÇBA dhe më pas në Komisionin e Kulifikimit dhe Kolegjin e Apelimit.

Operacioni ndërkombëtar i monitorimit do të jetë përcaktues edhe në përzgjedhjen e institucioneve që do të bëjnë rivlerësimin, Komisionin e pavarur të kualifikimit dhe Kolegjin e Apelimit.

Përmes listave me emra, ndërkombëtarët do të veçojnë në listën e bardhë kandidatët e pastër dhe në listën e zezë kandidatët që nuk e kalojnë testin dhe më pas do të jetë kompetencë e komisionit parlamentar ad-hoc për të lënë në fuqi apo për të rrëzuar vendimin e ndërkombëtarëve.

Rrëzimi i vendimit të operacionit ndërkombëtar do të kërkojë pesë nga gjashtë votat e komisionit parlamentar, duke e shëndërruar praktikisht vendimin e ndërkombëtarëve në të pakthyeshëm.