Eurodeputetja holandeze : Shpresoj që proçesi i zgjerimit të bëhet për qytetarët dhe jo për qeveritë
Problem është Shqipëria, ishim në favor të negociatave me Maqedoninë e Veriut
Në një intervistë eurodeputetja holandeze Kati Piri deklaron, se përveç përfitimeve financiare, metodologjia e re e zgjerimit bën të mundur penalizimin e regresit në lirinë e shtypit dhe shtetit ligjor në vendet e Ballkanit. Por sipas Piri, grupimi socialist dhe demokrat në Parlamentin Europian dëshiron më shumë fokus në çështjet sociale dhe të mjedisit për qytetarët e Ballkanit në metodologjinë e re të Komisionit Europian.
Si e vlerësoni metodologjinë e rishikuar të Komisionit Europian për zgjerimin?
“Ne shohim qartësisht hapa pozitivë në metodologjinë e re të Komisionit Europian për zgjerimin. Grupimi socialist dhe demokrat në Parlamentin Europian mbështet zgjerimin dhe mendojmë që shtrirja e prosperitetit dhe demokracisë në të gjithë kontinentin europian është shumë e rëndësishme. Ne shohim një vëmendje më të madhe në reformat e shtetit ligjor dhe lirisë së medias, që janë çështje që ju interesojnë qytetarëve të Ballkanit. Ata duan që vendet e tyre të ecin përpara. Si socialdemokrate, do të kisha dashur të shihja një plan pak më ambicioz lidhur me çështjet sociale për qytetarët e Ballkanit. Ne në Bashkimin Europian po transformojmë ekonomitë tona për shkak të ndryshimeve klimaterike. Por ndërkohë ne shohim që 5 qytete në Ballkanin Perëndimor janë ndër më të ndoturat në botë. Qytetarët e Ballkanit meritojnë shëndet të mirë, ajër të pastër, ujë të pastër. Do kishte qenë mirë nëse në propozimin e Komisionit do kishte më shumë angazhim për këtë. Qytetarët e Ballkanit që punojnë me kohë të plotë nuk kanë një pagesë që bën të mundur një jetë dinjitoze. Nëse ne nuk fokusohemi te kjo, atëherë çfarë sjell zgjerimi për qytetarët e Ballkanit? Ne si socialdemokratë përfaqësojmë 10 qeveri ndër 27 qeveritë e shteteve anëtare të Bashkimit Europian dhe do insistojmë që kjo gjë të jetë në fokus. Si pikë të tretë, ne mbështesim dhënien e një asistence financiare më të madhe për vendet e Ballkanit, edhe pse nuk është e qartë se në çfarë niveli është. Do kishim dashur të shihnim që nëse një vend bën progres, të mund të përfitonte nga fondet strukturore, apo fondet e kohezionit. Ato fonde që mund të përshpejtojnë procesin e anëtarësimit”, tha Piti.
A do bindte kjo shtetin tuaj anëtar, Holandën, Francën dhe Danimarkën për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut?
“Parlamenti holandez ishte në favor të hapjes së negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut. Problemi ishte me Shqipërinë.
Komisioneri u shpreh qartë që mund të përdoren instrumenta penalizues në rast të shkeljes së të drejatve themelore dhe cënimit të shtetit ligjor. A mbështetet kjo nga Parlamenti Europian?
Nëse ne shohim që ka një dinamizëm për reforma, një politikë gjithëpërfshirëse midis qeverisë, opozitës, shoqërisë civile, ne duhet të përdorim instrumenta nxitës. Na duhet një mekanizëm, që kur ka shkelje apo cënime, të mund të bëjmë një kthim mbrapa, duke ndërprerë fondet. Këto janë shqetësime të shumë qytetarëve europianë dhe ne duhet t’ju përgjigjemi atyre. Dhe nuk është në interesin e asnjë qytetari në Ballkanin Perëndimor të shohë që situata e lirisë së shtypit po përkeqësohet shumë dhe Bashkimi Europian sheh gjetkë nuk reagon ndaj kësaj. Pra, shpresoj që proçesi i zgjerimit të bëhet për qytetarët dhe jo për qeveritë.




















