‘Kandidaturë ekselente’; PD mbështet Anastas Angjelin për Këshillin e BSH

313

Kandidimi i ish-ministrit socialist, Anastas Angjeli për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë mori vlerësime dhe superlativa jo vetëm nga socialistët, por edhe nga demokratët në Komisionin e Ekonomisë, ku po garojnë 17 kandidatë për 2 vende vakante.

Sigal

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë nisi të martën dëgjesat me kandidaturat për dy vendet vakante në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, në një mbledhje maratonë që do të vijojë dhe të mërkurën për shkak të numrit të lartë të kandidatëve.

Në mesin e 17 emrave që kanë dorëzuar dokumentacionin pranë Kuvendit si kandidatë potencialë është dhe ai i ish-ministrit socialist të Financave, Anastas Angjeli.

Angjeli u mikprit nga të gjithë anëtarët e komisionit të Ekonomisë, ndërsa mori vlerësime superlative edhe nga deputetët e opozitës.

Deputeti demokrat, Edmond Spaho e quajti Angjelin një ‘politikan të moderuar’ dhe shtoi se pozicione të tilla janë  ekzaktësisht për individë që akumulojnë ‘eksperienca të jashtëzakonshme’.

“Angjeli është kandidatura ekselente për të qenë në Këshillin Mbikëqyrës,” tha Spaho, ndërsa e cilësoi qëndrimin e tij si të pavarur nga përkatësitë politike.

Qëndrim të ngjashëm mbajti dhe deputeti i ri i PD-së, Arbi Agalliu, i cili ftoi kolegët që të ruajnë këtë lloj standardi në vlerësime.

“Banka e Shqipërisë është institucion i pavarur, por pavarësinë sot ia jep integriteti profesional,” tha Agalliu, ndërsa shtoi se bordi kërkon individë me eksperiencë profesionale.

Vlerësimet për kandidaturën e Angjelit vazhduan edhe nga deputetët socialistë.

Gjatë prezantimit të tij, Angjeli tha se kishte nisur karrierën në vitet ’80 duke punuar si oficer i bilanceve dhe kreditit pranë Bankës së Shqipërisë, para se të angazhohej në fushën akademike dhe në politikë, ku shërbeu disa herë ministër në qeverisjen socialiste 1998-2005 dhe deputet i Partisë Socialiste në 5 legjislatura.

Angjeli mbahet mend si një nga ministrat e sulmuar për korrupsion nga ish-kryesocialisti Fatos Nano, gjatë fushatës për “katarsis” brenda partisë në vitin 2001.

Ai tha se kuadri ligjor për Bankën e Shqipërisë ka nevojë për përmirësime, duke ofruar kontributin e tij në këtë drejtim.

Komisioni do të vijojë me seancat dëgjimore dhe pyetjet ndaj kandidatëve të vetëofruar, por sipas ligjit, vetëm ato kandidatura që arrijnë të marrin 28 firma deputetësh kalojnë për votim në seancë plenare.