Kancelari gjerman, Friedrich Merz, në fjalën e tij gjatë samitit të vendeve evropiane që po mbahet ditën e sotme në Tiranë, u ndal me shqetësim te agresioni rus ndaj Ukrainës, duke e cilësuar atë si sfidën më të rëndë me të cilën është përballur kontinenti evropian në dekadat e fundit.
Merz theksoi se kjo nuk është një luftë që prek vetëm Ukrainën, por një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj gjithë Evropës dhe rendit të saj politik e demokratik.
Ai kujtoi se përfaqësues të lartë evropianë kanë vizituar Kievin për të shprehur mbështetjen ndaj presidentit Zelensky dhe popullit ukrainas, dhe theksoi se mbështetja ndaj Ukrainës duhet të vazhdojë në mënyrë të vendosur, përmes ndihmës politike, ekonomike dhe ushtarake.
Në fjalën e tij, kancelari gjerman nënvizoi se nuk duhet të ketë asnjë pikë dyshimi për vendosmërinë e vendeve evropiane në përballjen me këtë kërcënim dhe në mbrojtjen e paqes dhe stabilitetit në kontinent.
Friedrich Merz:
“Më lejoni të them se jam i kënaqur që jam këtu dhe që kam nderin dhe mundësinë që të jem me ju për herë të parë në këtë grup udhëheqësish të Europës.
Faleminderit ju që më keni dërguar urimet tuaja lidhur me zgjedhjet. E pres bashkëpunimin tuaj pasi na duhet shumë dhe jemi të gatshëm ta bëjmë këtë gjë.
Më lejoni që të fokusohem te 3 çështje me rëndësi sot. E para ka të bëjë me faktin që në kontinentin tonë kemi një sfidë që nuk e kemi parë për disa dhjetëvjeçarë: lufta Rusi-Ukrainë.
Kjo luftë nuk ka të bëjë vetëm me këtë vend, sepse po të ishte vetëm kaq, sigurisht do të ishte mjaftueshëm kritike dhe e tmerrshme, por kjo luftë është e drejtuar ndaj të gjithë Europës.
Ju e dini se ne disa përfaqësues të Europës vajtëm në Kiev për t’u takuar me Zelenskyn dhe e bëmë për të treguar angazhimin tonë të fortë dhe përkrahjen për këtë rend politik.
Ne jemi të vendosur për të vazhduar që t’i japim mbështetje të fortë, ekonomike, politike e ushtarake Ukrainës që gjendet në këto kushte të tmerrshme.
Duhet të bëjmë akoma më shumë përpjekje dhe të jemi mbështetje ushtarake për Ukrainën, e nuk duhet të ketë pikë dyshimi që ne jemi tërësisht të angazhuar e të gatshëm për të dhënë mbështetjen tonë të plotë”.