Jetoj mes këngës dhe kuzhinës, pasi janë një art i vërtetë

598
Sigal

INTERVISTA/ Flet ekskluzivisht për “Telegraf”, këngëtarja e mirënjohur, Ermira Babaliu: “Pogradeci për mua është qendra e botës”

E hapur, e sinqertë, e qeshur si gjithmonë. Veç këngës, vetë portreti i saj, është si një këngë tjetër.  Tip i qëndrueshëm, shumë shoqëror dhe kurajoze, çdo gjë që s’s’shkon ta thotë pa pikën e ndrojtjes. Pogradeci për të mbetet qendra e botës, pasi aty kënga buron nga shpirti dhe frymëzimi të vjen rrufeshëm. E ka hobi kuzhinën, kur në themel të gatimit janë gjellët tradicionale shqiptare aq të shijshme në tavolinë. Nuk i tregon projektet e shumta mbasi është paksa supersticioze dhe ka frikë mos i humbet ndonjë gjë.

Para disa kohësh ju morët titullin “Qytetare Nderi” e qytetit të Pogradecit, si u ndjetë në atë moment në qytetin tuaj?

Padyshim u ndjeva e vlerësuar, por dhe e obliguar. Pogradeci dhe miqtë e mi atje, më kanë dhënë vazhdimisht gëzime. Dekorimi ishte gëzim i një tjetër lloji. Bashkë me të më ka lindur pyetja: Ç’kam bërë? E sidomos, ç’mund të bëj për Pogradecin ?…Në këtë kohë, kur dekorimet janë, si të thuash “në modë”, duhet të provosh që e meriton. Shpresoj dhe besoj se me kohën do ta realizoj këtë provë.

Sa e vështirë është sot të jesh këngëtare?

Ti po pyet vetëm për këngëtaret?…Unë e kam më të gjerë përgjigjen. Të jesh këngëtare shqiptare sot është shumë e vështirë, aq sa është e lehtë për një pjesë gjithashtu. Në gjithë botën artistët me emër investojnë për artin e tyre e më pas “punon” emri për ta. Në Shqipëri, në këtë kohë tranzicioni që nuk po duket të mbarojë, as ekziston fare kjo recetë apo rregull. Sepse nuk ka të drejtë autori. Dhe që këtu fillon tatëpjeta. Si për vlerat ashtu dhe për trajtimin e tyre. As nuk do të dijë shteti për këtë pjesë të rëndësishme të trajtimit të artistit, të artit. Kush të dojë në moment vjedh artin e tjetrit dhe në këtë mënyrë motivi për të bërë, (në këtë rast) këngë apo album bie. Nuk ka motiv krijimi. Unë kam shumë vjet që këndoj dhe megjithëse e dua shumë audiencën dhe kam mundësi të prodhoj këngë të reja, nuk mund të prodhoj kur duhet vetëm të paguaj. Albumi i fundit që sapo është prodhuar është një kontribut, një dhuratë të cilën unë ja bëj publikut, sepse financiarisht 99% është paguar prej familjes sime. Ja kështu është situata e një pjese të mirë të këngëtareve të sotme shqiptare. Është për të ardhur keq që këngëtare të cilat i kanë dhënë fizionominë muzikës shqiptare, të kenë vështirësi ekonomike kur audienca e tyre është aq e madhe. Po flas për pjesën e prodhimit të albumeve, ku sipas emrit dhe audiencës duhet të ishte pjesa më fitimprurëse e një këngëtari të suksesshëm. Me koncerte është ndryshe. Është një temë që kërkon kohë, sepse koncerte të mirëfillta ose bëhen për fushatë me plyback ose për koncerte televizive, ku pagesa është për të qarë hallin. Mjafton që të mbeten në market këngëtaret , ose bëhen nëpër salla ku njerëzit dëgjojnë këngë në mes të tymit… Këtu fillon problemi me këngëtarin shqiptar. Për aq kohë sa nuk ka të drejtë autori, për mua (e kam fjalën për këngëtaret e mirëfilltë, jo ata prej balte a teknologjie), gjithmonë do të jemi në ajër. Producentëve në të shumtën e rasteve nuk u bëhet vonë për kualitetin, vlerat apo kulturën kombëtare. Pra të jesh këngëtar shqiptar sot është jo dhe aq e këndshme.

Pse?

Edhe njëherë, mungon e drejta e autori. Nuk ka menaxherë profesionist këngëtarësh. Dhe ata që pretendojnë që janë, nuk e njohin aspak si funksionon ky si profesion. Për ata mjafton të kesh krijuar atë famë, të pompuar qoftë prej bukurisë apo TV, dhe harrojnë fare se që të këndosh live është kryesorja nëse do të nxjerrësh dhe të ardhura në këtë shoë-biz. Prandaj, shumë koncerte janë kthyer në një zhgënjim për publikun që ka mbushur sallat për shkak të emrave të krijuar siç thashë më lart. Sepse pasi shkon kurioziteti i famës,  publikut i duhet të marrë emocionin real për të cilin paguan. Janë vetëm një grusht këngëtarësh më të vjetër e të rinj, që kanë meritën të kenë kompletin që i duhet këngëtarit, që prej aftësisë të këndojnë live.

A jeni e kufizuar nga jeta private me këtë profesion?

Të qenit larg më jep mundësinë që të bëj balancën midis daljeve dhe privatësisë. Në Shqipëri është më vështirë. Por këtu në USA nuk bëhet fjalë për këtë kufizim.

Kur e keni ndjerë veten me keq në profesionin tuaj?

Kur fillova të këndoj në Party, mbas disa vjetësh pasi isha afirmuar si këngëtare skene e TV…Në atë kohë ishte tjetër mentalitet për këtë Party.

A jeni e detyruar të mbani dietë dhe cila është dieta juaj?

Më pëlqejnë shumë buka dhe ëmbëlsirat dhe vetëm ky fakt përjashton përgjigjen e së dytës…Por konsumoj gjithmonë porcione të vogla dhe shkoj në palestër disa herë në javë.

A ka moshë ky profesion?

Është një bekim që të ka dhënë zoti sapo ke lindur që të jep zërin që po dite ta ruash nuk njeh moshë. Mendoj që suksesi qëndron tek mënyra se si ti menaxhon talentin, aftësia për ta bërë profesion në perfeksion, me të cilin mund të jetosh gjatë, apo në të kundërt mbetet vetëm hobi.

Cilat këngëtare me famë botërore janë idhull për ju?

Lara Fabian, Celindion,Patricia Caas, Liz Ëright, Mariza, Cezaria Evora, Dalida etj…

Një përkufizim për dashurinë?

Unë nuk pretendoj të flas në emër të gjithkujt, por për mua dashuria në kuptimin më të gjerë të saj është ai “mekanizëm” figurativ i shpirtit që krijon gjithçka…jetën, bukurinë, aq të domosdoshëm për gjithkënd.

Jeni supersticioze?

Jam.

Marrëdhëniet me kuzhinën dhe kuzhina juaj e preferuar?

Kuzhina duket që është një talent tjetër i imi, sepse më pëlqen shumë të gatuaj, që prej tortave deri tek  gjellët më të vjetra tradicionale shqiptare. Good food, good friends,  good times, është një proverb që përdoret këtu. Kam kuriozitet të njoh çdo lloj kuzhine dhe për secilën prej atyre që kam pasur rastin të njoh, kam një ushqim të preferuar.

Cilat janë problemet më pikante të femrës shqiptare sot?

Problemet që shpesh më duken sikur në këto kohët e reja, nuk janë shumë të qarta prej një pjese të mirë të tyre.

Mendimi juaj për bashkëjetesën?

Bashkëjetesa parandalon divorcet si dhe problemet që vijnë më pas. Në shoqërinë e sotme shqiptare kjo duket që ka filluar të aplikohet tek të rinjtë, por që has vështirësi, për shkak të rrethanave, për mënyrën si ka funksionuar lidhja martesore, me shkuesi apo dashuri në të shkuarën shqiptare. Për shkak të mentalitetit të mykur, që nëse njeh një, është si është, ti duhet ta marrësh përderisa u lidhe, por duken dhe pasojat e tyre me një numër të madh divorcesh. Kam lexuar njëherë që Shqipëria zë vendin e pestë në Europë për divorcet, në raport me numrin e popullsisë. Kjo është një shprehje më shumë e pasojave të traditës së lidhjes martesore, ndërkohë që tek ne mentaliteti i prishjes së familjes ka qenë shumë i ndryshëm.

Motua nga e cila udhëhiqeni në jetë?

Ndrysho botën për mirë në atë hapësirën që ke rrotull. Në këtë jetë të shkurtër nëse ke mundësi të japësh dashuri, bëje. Të jem vetvetja në çdo aspekt, vetëm vetvetja. Pëlqehem ose jo nuk e marr shumë parasysh.

Ku preferoni t’i bëni pushimet?

Në det, thjesht, pa salltanete. Kanë dalë në modë resortet tani. Unë do të preferoja një qoshe me familjen e miqtë që të diskutoj tema, ashtu kam dashur që e vogël. Ndërsa në kujtimet e mia të së ardhmes, Pogradeci do të jetë i vetmi vend.

Marrëdhëniet me cigaren dhe pijet alkoolike?

Nuk pi cigare. Shpesh më pëlqen një gotë verë. Rrallë me qëllon të pi më shumë se një gotë.

Çfarë bën kur nxehesh?

Refuzoj të flas. E shoh si mënyrën më të mirë për të sqaruar shkakun e nxehjes me qetësi. Me pak fjalë i lë kohë mendjes të kthjellohet…Në të kundërt, nëse është e nevojshme sipas kushteve, hyj në konflikt pa dalë nga subjekti i temës.

Veshja juaj e preferuar?

Sipas sezonit. mjafton që të mos jetë kopje. Përpiqem të adaptoj atë çka i shkon kohës, pa dalë nga vetja.

Çfarë vlerësoni tek një njeri?

Përgjegjshmërinë, mirësinë, humanizmin, mënyrën se si e pozicionon tjetrin në marrëdhënie me veten, të jetë i vërtetë me gjithë të metat. Ndërkohë që ka shumë ç’mund të kritikohet tek një njeri. P.sh, s’më pëlqen hipokrizia, s’e e kuptoj që në ajër, dhe shpesh më nxjerr probleme me të tjerët, që çuditem pse u inatosa. Intrigantët janë armiqtë e mi të përhershëm me të cilët kam kënaqësi të luftoj hapur.

Keni ndonjë peng në jetë?

Që nuk mund të jem rrotull nënës time në këtë kohë që i duhem më shumë se kurrë.

A ndihet e vlerësuar femra shqiptare sot?

Nëse flasim për fenomenin shqiptar të sotëm, do të kujtoj një rast të cilin e kam përjetuar kur isha në atdhe së fundmi: Në një tavolinë të njohurish, dikush vjen dhe i kujton mikut të tij, pjesëtar i tavolinës sonë, premtimin qe i kishte dhënë për të punësuar një miken e tij. Dhe përgjigja: “Po si ta fut në punë atë, o mik, ajo nuk shikohet me sy.” Kjo përgjigje me shijen e saj të keqe më ndoqi pas për ditë të tëra. Përgjigje-dhënësi është një qeveritar.

  Kur ndiheni më mirë kur ju thonë jeni simpatike apo jeni inteligjente?

Po ja, ti që më njeh prej kohësh, si do ta jepje (në vendin tim) përgjigjen kësaj pyetje?

Cilat janë planet tuaja në sirtar në marrëdhënie me idetë profesionale?

Kam shumë. Koha do të flasë vetë. Asnjëherë nuk rri në vend, gjithmonë planifikoj diçka. E kursej kohën për gjëra të mira.

Burrat shqiptarë nuk pranojnë që kohët kanë ndryshuar

 Për nga kultura, vijmë nga një shoqëri tipike maskiliste. Të shkëputesh prej kësaj tradite nuk është e lehtë, dhe unë nuk po them ndonjë gjë të re. Ajo që do të theksoja, është, se, me sa kam parë e vëzhguar, ekziston një pa dëshirë e dukshme e burrave shqiptarë, për të pranuar që kohët kanë ndryshuar dhe jo vetëm atje. Kjo duket, së pari, në pozicionimin e gruas, që nga trajtimi në familje a shoqëri e deri tek përfaqësimi i saj në institucionet social-politike. Një nga fenomenet tipike i këtij maskiliteti është dhuna verbale që ushtrohet ndaj grave. Është padija prej shumicës së burrave shqiptarë që dhuna verbale ndaj grave, është e njëjtë me atë fizike, fiks e njëjtë.