/Gazeta TELEGRAF
Procesi i votimit të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, u dëmtua qysh herët nga kryeministri Rama, i cili shkeli marrëveshjen zgjedhore të 5 qershorit 2020, arritur në kujdestarinë e drejtpërdrejtë të ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e më pas, duke patur një shumicë absolute, miratoi ndryshime kushtetuese që hoqën nga Kodi Zgjedhor edhe koalicionet parazgjedhore në mënyrë të njëanshme, pa konsensusin e opozitës reale, për herë të parë gjatë 30 viteve të fundit. E arritur kjo me ndihmën e deputetëve të blerë të së ashtuquajturës “opozitë parlamentare”, shumica e të cilëve u gjendën edhe në listën për kandidatë për deputetë të Rilindjes, duke u shpërblyer për kartonët që i dhanë mazhorancës së kryeministrit për të miratuar çdo ligj. Më tej, kryeministri Rama i tmerruar nga humbja elektorale, përdori edhe Këshillin Teknik të Ekspertëve, i cili mori një vendim antikushtetues dhe antishqiptar, duke u hequr të drejtën emigrantëve të vinin e të votonin në Shqipëri, pasi u vendosi karantinë 14 ditore deri më 3 maj. Ky vendim pati ndikim të ndjeshëm në uljen e numrit të votuesve në qarqet Vlorë, Gjirokastër e Korçë, ku në Himarë, Sarandë, Dropull, Konispol, etj., pati ulje të konsiderueshme të numrit të votuesve.
Denoncimi i Kryetares së LSI, Monika Kryemadhi: PS në Durrës po blen votat natën me listë
Denoncoj për SPAK transaksionet dhe operacionin e pagesave për blerjen e votave nga Partia Socialiste në qytetin e Durrësit. Materiali që ka ardhur, tregon patronazhistët e Partisë Socialiste që kanë marrë përsipër blerjen e votive. Ata janë detyruar dhe kanë shkuar drejt zgjedhësve potencialë, kanë marrë numrat e identitetit, qendrën e votimit, vendin e tyre të punës, (në fakt pjesa më e madhe janë të papunë dhe pensionistë), dhe në krah kanë vënë numrin e telefonit të patronazhistit dhe vlerën e parave që ka marrë. Në fakt, janë vetëm faturat e para këto që shikoni, të cilat sapo kanë ardhur. Është i njëjti si databaza e Tiranës, ku bëhet shumë e qartë që tashmë në qytetin e Durrësit, makinat me xhama të errëta apo edhe pa targa, u janë drejtuar shtëpive të personave që presin për të marrë para.
Ajo që dua të theksoj, po ju përmend janë vetëm disa nga patronazhistët, ku është koordinator Afrim Bakaj, Alban Abazi, Ivian Shallvari, Arjan Domi, Pëllumb Kapllani, Mirjan Avdyli, Artur Murati, Marcela Gërxhi, Xhoan Basho, Leonard Gorea, Alma Marku. Vazhdojmë pastaj në qendrën 1426 ku është Myslym Kuka, Edison Ahmataj, Alban Poli, Aldi Kryemadhi, Lorenc Hoxha dhe këtu, janë në krah, vlerat e parave që kanë marrë dhe personat për të cilën kanë marrë në angazhim. Do të kryhet sot në darkë operacioni i pagesave të parave ose nesër, në këmbim të fotos për votën e tyre që do të hedhin në kuti, ose në këmbim të fletës së votimit që duan ta nxjerrin, siç quhet skema e famshme ‘treni bullgar’. Arjan Biba, Ardit Jaho, Ilir Allaraj, Altin Cila, Qetësor Neziri, Emanuel Ahmataj, Saimir Gozhina, Festime Reqi, këta janë patronazhistët, të cilët kanë marrë përsipër shpërndarjen e parave ose janë patronazhistët, të cilët kanë hartuar listat. Këta janë në qendrën 1462, ku vlera monetare e destinuar, i kalon me mijëra euro. Ndërkohë që ata kanë edhe vendet e punës së tyre, ku ka raste që janë në punë në firma private, si Brunilda Baçe, Ardit Jaho.
Kryeministri Rama shkel Ligjin Zgjedhor, futet brenda në Qendrën e Votimit me logon e PS
Kryeministri Edi Rama është shfaqur në orën 10:25 në shkollën e Surrelit për të votuar. Nga fotot që vetë kryeministri Rama ka postuar në rrjetet sociale, para kutisë së votimit te Qendra e Votimit është me kapele, ku shkruhet numri 12 i Partisë Socialiste. Kështu, kryeministri Rama ka shkelur haptazi dhe me qëllim Kodin Zgjedhor, i cili nuk lejon asnjë person, që në Qendrën e Votimit të mbajë logo të subjektit elektoral. Të bën përshtypje, që anëtarët e Komisionit të Qendrës së Votimin e lejuan Edi Ramën, që të futej brenda dhe të votonte duke mbajtur në kapele logon elektorale të ‘Rilindjes’.




















