Ja programi qeverisës i PD-së: Taksat dhe tatimet që ulen

524
Sipas Partisë Demokratike, programi i përgatitur synon një ofertë të re për shqiptarët në drejtim të zhvillimit ekonomik, daljes nga varfëria, uljes së taksave, luftës ndaj korrupsionit, nxitjes së punësimit, përmirësimin dhe arritjen e standardeve në fushën e shëndetësisë, rendit dhe sigurisë
Partia Demokratike pritet të alternojë aksionin e saj politik me platformën që ajo ka përfunduar tashmë në bashkëpunim me 23 departamentet.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha mblodhi mbrëmë departamentet dhe sekretariatin për t’i dhënë fund piketave kryesore të programit të saj, kryesisht fiskal. Sipas Partisë Demokratike, programi i përgatitur synon një ofertë të re për shqiptarët në drejtim të zhvillimit ekonomik, daljes nga varfëria, uljes së taksave, luftës ndaj korrupsionit, nxitjes së punësimit, përmirësimin dhe arritjen e standardeve në fushën e shëndetësisë, rendit dhe sigurisë. Programi qeverisës i PD-së do të “zbresë” në terren për diskutime me grupet e interesit.
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, foli me konkretisht për programin në një prononcim për mediat menjëherë pas takimit.
“Patëm një mbledhje me drejtuesit e të gjitha departamenteve të Partisë Demokratike në lidhje me finalizimin e hartimit të programit elektoral të Partisë Demokratike. Tashmë mund të themi që pas një pune disamujore dhe diskutimeve brenda grupeve që ishin ngritur për këtë qëllim dhe diskutimeve me ekspertë të fushës, programi i Partisë Demokratike për zgjedhjet e ardhshme parlamentare është i përfunduar në linjat kryesore. Objektivat e tij do të jenë që të nxisë ekonominë e vendit në mënyrë që të gjenerojmë vende pune, të mund t’i jepet një impuls sa më i madh ekonomisë me synimin e tërheqjes së investimeve të huaja, uljen e taksave, krijimin e hapësirave sa më të mëdha për punësim dhe zhvillimin e degëve të tilla të rëndësishme, si: bujqësia, turizmi, mjedisi. Programi synon reduktimin e varfërisë, rritjen e pagave dhe pensioneve, në mënyrë që vendi të futet në rrugën e zhvillimit dhe rritjes së mirëqenies për të gjithë qytetarët shqiptarë. Në javët e ardhshme ne do të vazhdojmë me fazën e dytë për prezantimin e të gjithë pjesëve të programit, te grupet e interesit, te qytetarët, për të marrë ide dhe sugjerime të tjera finale, të cilat do të bëjnë të mundur paraqitjen e një varianti përfundimtar për zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, -tha Spaho.
Pikat kryesore të projekt-programit kryesisht fiskal të PD-së synojnë ridimensionim të tatimit mbi biznesin e vogël, shfuqizimin e shkallëve progresive në taksimin e të ardhurave personale, uljen e tatimit korporativ dhe barazimin e të dyjave në nivelin 9%, shfuqizimin e taksimit mbi dividentin dhe fitimin kapital, uljen e tatimit mbi interesat nga 15% në 9%, uljen e tatimit mbi të gjitha të ardhurat e tjera nga qiratë, shpërblimet etj., në nivelin e 9%, ulje e kontributit të Sigurimeve Shoqërore në 9% si për punëdhënësin edhe për punëmarrësin etj., eliminimi i taksave të fshehta apo tarifave administrative paralele, siç janë taksat mbi karburantet dhe ambientin dhe lehtësimi i procedurave për biznesin.
Sigal