Ja ministrat që do të shkarkohen në Janar

467
Sigal

Kryeministri Rama paralajmëron ministrat se në janar do të largohen ata që nuk punojnë

Të shtunën Kryeministri Rama, mbodhi kabinetin e tij qeveritar,  në kompleksin turistik “Dajti Park”, që nga ora 09:00 dhe kanë qëndruar aty deri në orën 19:00. Ky takim i kryeministrit Rama me ministrat e tij, nuk ishte një mbledhje të radhës, por për të dhënë mesazhe ministrave të tij, se ende është i pakënaqur nga puna e deritanishme. Ndonëse kanë kaluar më shumë se 70 ditë, performanca e qeverisë “Rama 1” akoma nuk ka justifikuar pritshmërinë e elektoratit dhe ende nuk ka bërë atë që qytetarët të ndjejnë ndryshimin e madh nga qeveria e mëparshme. Kështu, ministrat  pasi kanë raportuar rreth punës në secilën ministri për periudhën 60-ditore, kanë paraqitur dhe projektet që ata kanë në dikasteret e tyre. Çdo projekt është rakorduar sipas afateve, por dhe përgjegjësisë që institucionet e tjera do të kenë në këtë bashkëpunim. Gjithashtu, janë përcaktuar afatet kohore për të gjitha fazat e projekteve, në mënyrë që të bëhet sa më i kontrollueshëm zbatimi dhe realizimi i tij. Gjithashtu janë bërë dhe rakordimet e fundit për buxhetin e ri të vitit 2014 sipas prioriteteve të ministrive dhe programit qeverisës. të gjithë ministrat kanë informuar në lidhje me ecurinë e punës në dikasteret që drejtojnë e reformën në sektorët përkatës.

“Në janar do të jepni llogari e mbani përgjegjësi”

Rama mësohet se, pasi ka marrë informacion për punën e deritanishme nga secili ministër, ka deklaruar se një bilanc i detajuar do të bëhet në muajin janar, pikërisht në kohën kur dhe qeveria e majtë mbush 100 ditë nga ardhja në pushtet. Kryeministri mësohet t’u ketë thënë ministrave që do të japin llogari dhe do merret përgjegjësi për realizimet dhe mosrealizimet. Mësohet se është diskutuar dhe në lidhje me situatën e vështirë me të cilën po përballohet qeveria, për shkak të lënies së arkës së shtetit bosh nga ana e qeverisë së mëparshme. Kryeministri Rama u  bëri të qartë ministrave, se koha e provës për secilin është deri në janar. Dhe, sipas burimeve të brendshme qeveritare, Rama u tha ministrave, se nuk do të përjashtohen edhe shkarkimet e para, për këdo ministër që nuk arrin të realizojë objektivat dhe nuk përmbush të gjitha detyrimet që kanë marrë e janë zotuar.

(Mos)dorëzimi i mandateve të deputetëve nga ministrat lidhet me …shkarkimet në janar

Nga ana tjetër, ndonëse qeveria Rama po mbush 70 ditë, ende asnjë ministër i saj, që është edhe deputet, nuk ka bërë dorëheqjen nga mandati i deputetëve, sipas premtimit elektoral të Kryeministrit Rama. Madje, para dy javësh, ministri për Çështjet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, deklaroi, që tani, pasi u votua edhe Akti Normativ për shtyrjen e ligjit “Për Nëpunësin Civil”, i cili kërkonte detyrimisht 84 vota, do të fillonte menjëherë edhe dorëheqja e mandatit të deputetit nga ministrat. Ministri Celibashi zbardhi edhe procedurën e cila do të ndiqet, duke thënë, se ministrat do të japin dorëheqjen secili më vete dhe jo individualisht, për të mos rrezikuar në asnjë çast shumicën e thjeshtë në Kuvend. Kjo vonesë në dorëheqjen nga mandati i deputetit nga ministrat, tani, pas paralajmërimit që u bëri Kryeministri Rama. Rama, mbase do të presë deri në janar, se çfarë përgjegjësi do t’u ngarkojë ministrave të vet, në analizën e 100 ditëve, dhe për ata ministra që do të largojë nga Kuvendi, mbase nuk do të kërkojë që të japin dorëheqjen (edhe) nga mandati i deputetëve. Sepse, në të kundërt, ministrat e shkarkuar që në janar, po edhe të dorëhequr nga mandati i deputetit, do të mbeten të papunë.

Kujdes me shkarkimet e nëpunësve!”

Ndërkohë që, është diskutuar dhe për reformën në administratën publike, duke kërkuar nga ministrat që të jenë të kujdesshëm në respektimin e ligjit për Nëpunësin Civil. Kryeministri Rama, sipas burimeve të mirinformuara, u ka kërkuar ministrave që të tregohen të kujdesshëm, me shkarkimet e nëpunësve, madje të presin deri në fund të dhjetorit, kur Shqipëria pritet të marrë statusin kandidat për në BE. Kjo këshillë e Kryeministrit Rama shpjegohet me atë që këto shkarkime të nëpunësve nga administrata publike, të mos shkaktojnë zhurmë, të cilat mund të shkaktojnë probleme politike e të ndikojnë në vendimmarrje nga qeveritë anëtare në BE.