Ja kush lirohet nga Amnistia e të burgosurve

679
Sigal

Ja kush nga të dënuarit përfitojnë dhe cilët përjashtohen nga amnistia që pritet në fundvitin e 2013-s

Në funksion të arritjes së qëllimit të dënimit, bazuar në të drejtën e trajtimit njerëzor dhe të respektimit të dinjitetit të individit, si dhe nisur nga arsyet social-ligjore të humanizmit, riintegrimit social, rehabilitimit social, ndryshimeve pozitive në jetën e të dënuarve, arritjes së standardeve europiane në sistemin penitenciar si dhe legjitimitetit të duhur kushtetues-ligjor në vendet e vuajtjes së dënimit, paraqitet për shqyrtim dhe miratim projektligji: “Për dhënie amnistie”.

Objektivat që synohen të arrihen nga projektligji dhe lidhja e tyre me programin e Këshillit të Ministrave.

Dënimi penal duhet të jetë reagimi i fundit shtetëror ndaj sjelljeve të individëve, të përcaktuara si devijime social-ligjore.  Prej kohësh, teoritë juridiko-sociale mbi qëllimin e dënimit kanë evoluar, nga koncepti i hakmarrjes dhe ndëshkimit ndaj autorit, drejt konceptit të riedukimit dhe rehabilitimit të tij. Këto koncepte përbëjnë idetë themelore të drejtësisë bashkëkohore rehabilituese.  Qeveria shqiptare është e përkushtuar të rivendosi shtetin e së drejtës dhe sigurinë ligjore në vend. Për këtë, është e nevojshme të rivëmë në lëvizje makinerinë e drejtësisë dhe organeve ndihmëse të saj përmes reformave të mëdha. Por, cilido qoftë drejtimi i kësaj reforme ne jemi të orientuar drejt ligjshmërisë, respektimit të ligjit dhe zbatimit të tij, veçanërisht nga vetë shteti. Për këtë sot çmojmë se është e nevojshme edhe aplikimi i kësaj amnistie.

Argumentimi që objektivat e projektligjit nuk ngelen brenda zgjidhjeve strikte, por mund të arrihen dhe me instrumente të reja ligjore.

Amnistia është një masë e tillë nëpërmjet së cilës shteti “heq dorë” nga zbatimi i dënimit për krime të caktuara. Bëhet fjalë për një masë me një natyrë të përgjithshme që çmohet të jepet dhe inspirohet për shkaqe të paqtimit social. Qeveria shqiptare mbetet e vendosur për një reformë rrënjësore në sistemin e drejtësisë duke vënë në fokus edhe dinjitetin njerëzor dhe lirinë e individit. Në këtë kuadër, amnistia është një hap i domosdoshëm drejt kësaj reforme rrënjësore.

Amnistia është ajo që ne sot e identifikojmë si një zgjidhje tjetër, për të arritur tek një drejtësi të tillë, që të mbrojë mbi të gjitha jetën, lirinë dhe dinjitetin njerëzor, për ata që kanë kryer një vepër penale.  Aplikimi i amnistisë sot nuk duhet parë vetëm si një “akt i mëshirës”, por edhe si një akt për të rivendosur legjitimitetin kushtetues në vendet e vuajtjes së dënimit ku ai është shkelur në mënyrë sistematike. Aplikimi i amnistisë përveçse ndikon drejtpërsëdrejti në përmirësimin e kushteve në institucionet e ekzekutimit të dënimeve penale, duhet parë edhe si një akt për të rivendosur dinjitetin e të dënuarve. Është fakt i njohur tendenca në rritje e kriminalitetit në vend gjatë kohëve të fundit, në grupe të ndryshme sociale e veçanërisht në grupmoshat rinore.

Kësaj tendence në rritje të kriminalitetit në vend, qeveria shqiptare është e vendosur t’i përgjigjet me një politikë të re dënimi të tillë që, nga janari 2014-s në sistemin e drejtësisë shqiptare të ketë një klimë të re në raport më dënimin dhe llojin e tij. Qeveria shqiptare synon që në përputhje me ligjin nr.8737, datë 12.2.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, të orientojë organin e prokurorisë në ashpërsimin e dënimeve për veprat penale për të cilat aplikohet një masë dënimi me burgim mbi pesë vjet, ashtu sikurse duhet të procedojë më tepër në zgjidhjet alternative për vepra penale më të lehta. Këto alternativa të dënimit janë parashikuar në Kreun eVII-të të Kodit Penal “Alternativat e dënimit me Burgim” dhe parashikojnë: Neni 58 “Gjysmëliria”, Neni 59 “Pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë”, Neni 59/a “Qëndrimi në shtëpi”, Neni 60 “Detyrimet e të dënuarit të vënë në provë”, Neni 60/a “Detyrimi për të hequr dorë nga përdorimi i alkoolit ose drogës”, Neni 61 “Detyrimet e të dënuarit gjatë kohës së provës”, Neni 62 “Shkelja e kushteve dhe e detyrimeve gjatë kohës së provës”, Neni 63 “Pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe detyrimi për kryerjen e një pune në interes publik”, neni 64 “Lirimi me kusht”, neni 65 dhe Neni 65/a “Periudha e sigurisë”. Në këtë frymë kanë ecur edhe ndryshimet e Kodit Penal në vitin 2008, 2010, 2012 dhe në vitin 2013 duke përmirësuar ndjeshëm parashikimet e Kreut tëVII të tij “Alternativat e dënimit me burgim” si në drejtim të përmbajtjes së dispozitave që lidhen me dënimet e alternative ashtu edhe me parashikime shtesë në llojet e dënimeve alternative të përmendura më sipër. Kjo qasje e re juridiko-sociale, orienton drejt dhënies së dënimeve alternative që kanë kryesisht karakter humanitar dhe jo ndaj dënimit penal që ka kryesisht karakter ndëshkimor.  Dënimet alternative kanë të bëjnë me mënyrën e ekzekutimit të dënimit, pra megjithëse gjykata mund të disponojë me një dënim me burgim, njëkohësisht urdhëron që mënyra e ekzekutimit të këtij dënimi të mos bëhet nëpërmjet burgut, por nëpërmjet formave alternative që mundësohen nga Shërbimi i Provës.  Duhet thënë se edhe personat ndaj të cilëve zbatohen një prej alternativave të dënimit me burgim e ndiejnë forcën shtrënguese të shtetit në një mënyrë ose në një tjetër, pasi ata kufizohen në liritë dhe të drejtat e tyre, ndiejnë vrojtimin dhe mbikëqyrjen reale të autoriteteve zbatuese, dhe kështu ata në këtë mënyrë vuajnë edhe pasojat e veprës së kryer prej tyre. Këtij qëllimi i ka shërbyer edhe ngritja dhe vënia në funksionim e Shërbimit të Provës që ka një mision të posaçëm atë të mbikëqyrjes dhe mbështetjes në zbatimin e alternativave të dënimit me burgim, të asistojë personin e dënuar për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga dënimi alternativ dhe për kapërcimin e vështirësive për riintegrimin e tij shoqëror dhe sjelljen e ndryshimeve pozitive në jetën e të dënuarve. Shërbimi i Provës është një shërbim që ndikon drejtpërsëdrejti në rehabilitimin dhe ri-integrimin e personave që kanë kryer vepra penale dhe ka dhënë rezultate të kënaqshme në praktikë. Funksionimi i këtij sistemi ndikon jo vetëm tek subjektet përfituese, autorët e veprave penale, por edhe në përmirësimin e situatës së sistemit penitenciar, i cili për shkak të mbipopullimit ka qenë jo pak herë në qendër të kritikave të raporteve të ndërkombëtarëve.  Ministria e Drejtësisë synon të ndërmarrë masa administrative të nevojshme për shtrirjen e Shërbimit të Provës pranë çdo rrethi gjyqësor, për të krijuar lehtësira procedurale në zbatimin e masave të dënimit alternativ, si dhe sigurimin e vazhdueshëm të sistemit të mbikëqyrjes elektronike që monitorohen nga shërbimi i provës.  Deri tani, rreth 9000 persona kanë kaluar nëpërmjet Shërbimit të Provës, masë e cila nga njëra anë ul mbipopullimin në burgje dhe ul koston buxhetore të shtetit dhe nga ana tjetër ndikon drejtpërdrejtë në rehabilitimin e shpejtë dhe riintegrimin e në shoqëri të këtyre personave. Me frymën e mësipërme të një reforme të nevojshme, do të vazhdojë dhe  miratimi nga ana e qeverisë shqiptare e dy projektligjeve të tjera, ai “Për Policinë e Burgjeve“ si dhe “Për trajtimin e të dënuarve me burgim e të paraburgosurve”.  Kjo reformë, do të vazhdojë edhe më tej duke patur në konsideratë se një filozofi e re me parametra dhe standarde europiane po afrohet në lidhje me dënimin penal.

 Përputhshmëria kushtetuese dhe harmonizimi me legjislacionin ekzistues në fuqi si dhe standardet europiane për trajtimin e të dënuarve.

Kjo nismë e qeverisë shqiptare për dhënie amnistie është e mbështetur në germën ë, pika 2, neni 81 të Kushtetutës, si dhe bazohet në parashikimet e  nenit 71 të Kodit Penal, ku parashikohet se, Kuvendi, me aktin e amnistisë përjashton nga ndjekja penale, nga vuajtja tërësisht apo pjesërisht e dënimit ose bën zëvendësimin e dënimit me një lloj dënimi më të butë. Si rregull, amnistia shtrihet për ato vepra penale të kryera deri një ditë para shpalljes së saj, veç rastit kur në aktin përkatës vendoset ndryshe. Është fakt i pamohueshëm që numri i personave që vuajnë dënimin në institucionet e vuajtjes së dënimit, përkundrejt kapaciteteve mbajtëse të këtyre institucioneve për fat të keq është më i madh dhe me tendencë rritje. Në këtë kuptim, numri i shtuar i të dënuarve në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikon në uljen e cilësisë së shërbimeve ndaj tyre për shkak se edhe kapacitetet financiare dhe njerëzore nuk janë të pakufizuara, por ç’ka është më e rëndësishme, ndikon ndjeshëm në hapësirat e tyre jetike. Neni 3 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ndalon në mënyrë absolute trajtimin çnjerëzor dhe degradues në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut tregon qartë se mungesa e hapësirave të nevojshme për person në institucionet e vuajtjes së dënimit është një nga shkaqet kryesore për gjetjen e shkeljeve të nenit 3 nga shtetet anëtare të Konventës. Kësisoj, ulja sadopak e numrit të të dënuarve do të ndikonte drejtpërdrejtë në garantimin e standardeve bashkëkohore të trajtimit të tyre, në rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj tyre si dhe rrjedhimisht në respektimin e detyrimeve që burojnë nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Dhënia e amnistisë, përmirëson kushtet e të dënuarve në burgje, për shkak të uljes së mbipopullimit në to. Megjithatë, të gjitha arsyet e sipërcituara, shoqërohen me një analizë të kujdesshme, mbi kategorinë e personave të dënuar që do të amnistohen, në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe garantimit të rendit dhe sigurisë publike.  Nisma ligjore për një amnisti është shumë e rëndësishme në drejtim menaxhimit të drejtë të fondeve buxhetore, funksionimit brenda standardeve të sistemit të burgjeve në përgjithësi, pritshmërive pozitive të individit tek një shtet human, si dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut.  Ministria e Drejtësisë, në konsideratë të të gjithë argumenteve të sipërpërmendur, çmon se kjo është periudhë e përshtatshme për të paraparë mundësinë e dhënies së amnistisë për të dënuarit.  Nga të dhënat e statistikore të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rezulton se në Institucionet e Ekzekutimit të Dënimeve Penale në Republikën e Shqipërisë aktualisht mbipopullimi është rreth 949 persona mbi kapacitetin aktual.   Nga analiza e legjislacionit shqiptar, rezulton se amnistia e fundit është bërë në vitin 2012 nëpërmjet ligjit nr. 107/2012 “Për dhënie amnistie”. Kriteret e përcaktuara në ligjin nr. 107/2012 “Për dhënie amnistie” janë kritere që udhëhiqen në mbështetje të parimeve themelore që lidhen  me parimin i humanizimit, arritjes së qëllimit të dënimit, rrezikshmëria e ulët e personave që amnistohen, si dhe mbrojtja e interesit publik.  Në këtë kuadër, Ministria e Drejtësisë propozon projektligjin “Për dhënie amnistie” sipas të njëjtave kritere që janë çmuar të rëndësishme edhe në amnistinë e vitit 2012, ku janë bërë përcaktime të tilla që lidhen edhe me përcaktimin e konceptit “i dënuar” për efekt të këtij ligji, duke vlerësuar si tillë personi i dënuar nga gjykata me vendim gjyqësor të formës së prerë.

 Përmbledhja e përmbajtjes së projektligjit.

  1. 1.  Sipas projektligjit përfitojnë amnisti:

a) personat e dënuar me burgim deri në 2 vjet, për dënime të dhëna deri në datën 30 nëntor 2013, pavarësisht kohës së mbetur nga dënimi, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

b) personat e dënuar, ndaj të cilëve gjykata, me vendim të formës së prerë, ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

c) personat e dënuar me gjobë, për pjesën e pashlyer të saj, pavarësisht masës së gjobës, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

ç) personat e dënuar me burgim, të cilëve, në datën 30 nëntor 2013, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

d) të dënuarat femra, që në datën 30 nëntor 2013 janë baras ose mbi moshën 55 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

dh) të dënuarit meshkuj, që në datën 30 nëntor 2013janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

e) të dënuarit me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre, që janë dënuar për vepra penale, të parashikuara në nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c, 81, 101, 139, 140 e 141 të kodit penal.

Përzgjedhja e kategorisë së personave që përfitojnë amnisti është bërë duke u bazuar në këto kritere: lloji dhe masa e dënimit; koha e mbetur e dënimit; mosha aktuale e personit të dënuar; mosha e personit të dënuar në kohën e kryerjes së veprës penale. në thelb mbetet rrezikshmëria e ulët e personit apo veprës penale.  Neni 4 i projektligjit ka parashikuar shprehimisht “kriteri ndalues për përfitimin e amnistisë” që do të thotë një garanci e shtuar për mbrojtjen e interesit publik dhe nuk vë në rrezik sigurinë dhe rendin publik. Veprat penale të parashikuara në nenin 4 të projektligjit janë vepra penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe për këtë qëllim, këta persona përjashtohen tërësisht nga përfitimi i amnistisë.

Konkretisht, neni 4 parashikon se nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat e dënuar për:

a) krime kundër njerëzimit, të parashikuara në nenet 73, 74 e 75 të Kodit Penal;

b) krime kundër jetës, të kryera me dashje, të parashikuara në nenet 76 , 77, 78, 78/a,  dhe 79, 79/a, 79/b, 79/c, 81 të kodit penal dhe vrasje e mbetur në tentativë, si dhe neni 77 i Kodit Penal Ushtarak;

 c) vepra penale, të kryera me dashje, kundër shëndetit, të parashikuara në nenet 86, 87, paragrafi i dytë i nenit 88, dhe 89/a të Kodit Penal; ç) krime seksuale, të parashikuara në nenet 100, 101, 102, 102/a, 103, 104, 106, 107/a dhe 108, 108/a të Kodit Penal;

 d) vepra penale kundër lirisë së personit, të parashikuara në nenet 109, paragrafi i dytë dhe i tretë i nenit 109/b, 109/c, paragrafi i parë i nenit 110, 110/a, 110/b, 110/c dhe 111 të Kodit Penal;

dh) vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit, të parashikuara në nenet 114, në paragrafin e dytë dhe në paragrafin e tretë të nenit 117 të Kodit Penal;

 e) vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, të parashikuara në paragrafin e dytë të nenit 124, paragrafin e tretë të nenit 124/b, nenet 128/a dhe 128/b, 130/a të Kodit Penal;

 ë) vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, të parashikuara në nenet 135, 136, paragrafi i dytë i nenit 137/a, paragrafi i dytë i nenit 138, 138/a, 139, 140, 141, paragrafi i dytë i nenit 141/a, paragrafi i dytë i nenit 143, 143/a, 144/a, paragrafi i tretë i nenit 152, 175, në paragrafin e dytë dhe në  paragrafin e tretë të nenit 180 të kodit penal, si dhe në paragrafin e dytë dhe të tretë të nenit 59 të Kodit Penal Ushtarak, të nenit 186 të Kodit Penal;

 f) vepra penale kundër mjedisit, të parashikuara në nenin 206/b të Kodit Penal.

g) krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues, të parashikuara në nenet 208, 209, 210, 211, 212, 213, 214, 215, 216, 217, 218, 219, 220, 221, 222, 223, 224 e 225 të kodit penal;

gj) krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera, të parashikuara në nenet 226 e 228 të Kodit Penal;

h) vepra me qëllime terroriste, të parashikuara në nenet 230, 230/a, 230/b, 230/c, 230/ç, 231, 232, 233, 234, 234/a e 234/b të Kodit Penal;

i) krime kundër autoritetit të shtetit, të parashikuara në nenet 244, 244/a, 245, 245/1, 248, 250, 258, 259, 259/a, 260, 265, 266, 270, paragrafi i parë dhe i katërt i nenit 278, 278/a, paragrafi i dytë i nenit 279, paragrafi i dytë i nenit 282, 282/a, 283, 283/a, 283/b, 284, 284/a, 284/c, 284/ç, 286, 287, 287/a, 288, paragrafi i dytë i nenit 289, 290, si dhe paragrafët e dytë, të tretë, të katërt dhe të pestë të nenit 298 të Kodit Penal dhe neni 70 i Kodit Penal Ushtarak;

 j) vepra me qëllime terroriste të parashikuara në nenet 230, 230/a, 230/b, 230/c, 230/ç, 230/d, 231, 232, 232/a, 232/b, 233 të Kodit Penal; k) vepra penale kundër drejtësisë, të parashikuara në nenet 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh e 319/e të Kodit Penal;

 l) vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, të parashikuara në nenet 325, 326, 326/a, 327, 327/a, 328, 328/a, 329, 330, 330/a, 331 dhe 332 të Kodit Penal;

 ll) vepra penale të kryera nga banda e armatosur dhe organizata kriminale, të parashikuara në nenet 333, 333/a dhe 334 të kodit penal. nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat e dënuar, që i janë shmangur ekzekutimit të dënimit të dhënë. Nga ana tjetër, projektligji, në nenin 5 të tij parashikon se procedimi penal nuk mund të fillojë dhe nëse ka filluar duhet të pushojë për veprat penale të kryera deri në datën 30 nëntor 2013, për të cilat Kodi Penal parashikon një dënim me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të lehtë.

Projektligji është dërguar për mendim pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Sugjerimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes janë reflektuar në variantin e projektligjit të paraqitur për shqyrtim dhe miratim në Këshillin e Ministrave. Gjithashtu, në projektligj janë reflektuar edhe sugjerimet e Prokurorisë së Përgjithshme në lidhje me përfshirjen në nenin 4 “Kriteri ndalues i amnistisë”, pika 1, shkronja h) të të gjitha dispozitave të KreutVII“Vepra me qëllime terroriste” dhe konkretisht në pikën h) të këtij neni janë përfshirë edhe nenet nga 230-233 të Kodit Penal. Gjithashtu, në projektligj është reflektuar sugjerimi në lidhje me parashikimin e pikës 2 të nenit 3 të projektligjit. Sa më sipër, pasi janë identifikuar dhe marrë parasysh mendimet dhe kërkesat e institucioneve të interesuara të fushës si dhe projektligji i propozuar, nuk gëzon karakter rëndues financiar-ekonomik, përkundrazi sjell efekte pozitive të pritshme financiare, ofrojmë paraqitjen e projektligjit “Për dhënie amnistie”, si nismë të Qeverisë shqiptare duke synuar: një reformë në raport me dënimin penal, e orientuar tanimë drejt së duhurës, drejt një drejtësie korrigjuese dhe restauruese shoqërore.