Ja 50 kompanitë që kanë marrë më shumë tenderë nga bashkitë

1440
Sigal

Petraq BARJAMI

385 milionë euro për 4 koncesione korruptive në shëndetësi, 32.8 miliardë lekë për inceneratorët që nuk janë ndërtuar

Qeveria e kryeministrit Rama nuk ndalet së dhëni koncesione dhe tenderë, madje edhe për shërbime publike, ku në to nuk bëhen fare investime strategjike, por thjesht përvetësohen fondet publike. Madje, rasti më skandaloz, sikurse e ka denoncuar edhe PD-ja, janë 4 koncesionet në shëndetësinë publike, check-up me vlerë 120 milionë euro, ku koncesionarja deri tani nuk ka ndërtuar asnjë godinë, përkundrazi, analizat i merr në spitale publike, nuk ka punësuar asnjë, pasi edhe analizat i kryejnë infermierë dhe mjekë që punojnë në spitalet publike, dhe shteti i paguan koncesionares gjithë vlerën e parashikuar, edhe kur koncesionarja nuk ka kryer numrin e caktuar në kontratë të check up-it. KLSH denoncoi para disa kohësh, edhe spitalin publik të Shkodrës, kur realisht aty janë aparaturat e dializës, mirëpo ato nuk përdoren, pasi ministria e Shëndetësisë i ka dhënë dializën me koncesion në vlerë 73 milionë euro, dhe koncesionari nuk ka ndërtuar asnjë spital, nuk ka blerë aparatura moderne, që, pasi të përfundojë kontrata, ato t’i dorëzohen shtetit. Përkundrazi, hemodializa bëhet në spitale private. Rasti më skandaloz i koncesioneve, të cilat opozita i ka denoncuar sepse jepen në mënyrë korruptive, pa asnjë proces transparent, janë koncesionet e inceneratorëve, të cilat, ende nuk janë ndërtuar, por shteti ka paguar koncesionarët deri tani 32,8 miliardë lekë.

Edhe bashkitë në garë për të dhënë …koncesione dhe tenderë

Open Data Albania publikon listën e fituesve privatë të garave publike. Renditja kryesohet nga Fusha sh.p.k, e ndjekur nga G.P.G Company sh.p.k, Salillari është numri tre në renditjen “Big” sipas vlerave të kontratave të fituara tenderime me Bashki.

Ja operatorët që kanë thithur tenderët e bashkive

Në harkun kohor korrik 2015 – korrik 2018, operatorët apo bizneset me vlerë më të lartë të kontratave të fituara në tenderime nga bashkitë janë operatorët: FUSHA shpk; G. P. G COMPANY SHPK; SALILLARI SHPK; ALKO-IMPEX GENERAL Construction shpk; Vëllezërit Hysa shpk, Victoria Invest shpk etj. Renditja kryesohet nga Fusha sh.p.k, një shoqëri, e cila, në tenderët ku ka konkurruar si e vetme dhe jo në bashkim operatorësh me një shoqëri tjetër, shënon 36 raste (kontrata fillestare dhe shtesa) ku është njoftuar fituese. Vlera totale e ofertave të saj, si oferta të shpallura fituese, është 3 miliardë e 782 milionë lekë. Kontratat e saj kjo shoqëri biznesi i ka fituar në tenderime në tri Bashki të ndryshme. Konkretisht, me bashkinë Vorë janë gjashtë kontrata; me Bashkinë Tiranë janë njëzet e tetë kontrata dhe Bashkinë Roskovec dy kontrata. Fusha sh.p.k shfaqet e suksesshme edhe në rastet kur ka konkurruar si bashkim operatorësh me subjekte të tjera. Ajo ka bashkëpunuar dhe fituar tenderë në bashkëpunim me të paktën dhjetë shoqëri të tjera biznesi. Subjekte biznesi që kanë funksionuar si operatorë (ofertues) në bashkëpunim me shoqërinë Fusha shpk janë: Alba Konstruction shpk; Gjoka Konstruction; ED Konstruksion; Hastoci Shpk; Besta shpk; Everest Shpk; Colombo shpk; Totila; ArkonStudion; Green Farm. Vendi i dytë pasohet në renditje nga shoqëria G.P.G Company shpk. Kjo shoqëri ka 22 kontrata ku është njoftuar fituese (pa bashkim operatorësh apo bashkëpunim me shoqëri të tjera) me një vlerë kontrate (oferte) pa TVSH prej 1 miliard e 769 milionë lekë. Numri i bashkive ku G.P.G Company ka fituar kontrata është 14: Kukës; Mirditë; Tiranë; Kavajë; Peqin; Korçë; Tepelenë; Libohovë; Delvinë; Finiq dhe Konispol. Shoqëria ka fituar edhe kontrata të tjera si pjesë e bashkimit të operatorëve. Salillari është numri tre në renditjen “Big” sipas vlerave të kontratave të fituara tenderime me Bashki. Kjo shoqëri ka fituar si subjekt pa bashkëpunime me subjekte ekonomike të tjera një numër prej 19 kontratash, të cilat kanë vlerë pa TVSH prej 1 miliard e 570 milionë lekë. Subjekti ka kontrata të fituara me tetë bashki: Bashkia Vorë katër kontrata; Bashkia Tiranë gjashtë kontrata; Bashkia Rrogozhinë një kontratë; Bashkia Maliq një kontratë; Bashkia Fier një; Bashkia Kuçovë një kontratë dhe Bashkia Himarë dy kontrata. Shoqëria Salillari ka fituar kontrata edhe në bashkëpunim me subjekte të tjera ekonomike duke konkurruar me një ofertë te vetme si një operator i caktuar. Shoqëria që mban vendin e katërt është ALKO-IMPEX General Construction me një vlerë kontratash pa TVSH prej 1 miliard e 458 milionë lekë. Kjo shoqëri ka 25 kontrata me shtatë bashki të ndryshme. Në vendin e pestë renditet shoqëria Vëllezërit Hysa me një vlerë kontratash pa TVSH prej 1 miliard e 340 milionë lekë. Këto kontrata janë lidhur me tetë njësi të ndryshme të qeverisjes vendore. Operatorët Ekonomikë sipas vlerave të kontratave të fituara në Tenderë e Bashki, korrik 2015 – korrik 2018