Ndërsa duhen edhe gati 2 javë të tjera, brenda këtij muaji tetor 2023, Agjencia e Mbikqyrjes Policore thënë ndryshe AMP pritet të japë vendimet e para të Vetingut për 34 drejtues të uniformave blu. Vendimet vijnë në një moment kur ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka deklaruar se në radhët e policisë ka nisur procesi i vetëpastrimit nga të inkriminuarit. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka gati vendimet e para për drejtuesit e kupolës së policisë së shtetit lidhur me vlerësimin kalimtar të tyre për pastërtinë e figurës, pasurinë dhe aftësitë profesionale. Në të katërta komisionet e Vetingut me nga tre anëtarë secili që janë ngritur pranë agjencisë pas shkrirjes së komisionit të jashtëm të vlerësimit, pritet të jepen vendimet e para të hetimit administrativ disa mujor që kanë kryer që prej hedhjes së shortit. Vendimet pritet të merren për drejtuesit e lartë të departamenteve të policisë kriminale, sigurisë publike, kufirit e migracionit si dhe për gradat drejtues i parë, drejtues e kryekomisar. Ndërkohë që Agjencia e Mbikqyrjes Policore vijon hetimin administrativ dhe korrespondencën me 36 subjektet e dyta të shortuara, të cilët po ashtu janë grada e larta në policinë e shtetit dhe gardën e Republikës. Vendimet e para të Vetingut të rinisur në polici vijnë në një moment kur ministri i Brendshëm, Taulant Ballad he kryepolici Muhamet Rrumbullaku kanë lajmëruar të ashtuquajturën fushatë e “vetëpastrimit”. Pak ditë më parë shefi i komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj u arrestua me urdhër të SPAK, si pjesë aktive e grupit kriminal të baronit të drogës, Gëzim Çela. Nën veting për drejtuesit e nivelit të lartë janë: Neritan Nallbati, Rebani Jaupi, Saimir Boshnjaku, Zenel Hyka. Ndërsa në nivelin e drejtuesve të parë nën veting janë emrat e Altin Qato, Arjan Muça, Edmond Rizaj, Edmond Sulaj, Fatmir Lleshi, Gend Merepeza, Hamdi Fjora, Kastriot Skënderi,Vasil Dode, Lorenc Panganika, Nevila Xoxa, Ervin Hodaj, Vehbi Bushati dhe Theodhori Gravani. Nën Veting janë edhe emra të tjerë drejtues si Shpresa Latifi, Gentian Ndoi, Vilma Ibrahimi, Ilir Proda, Dhimitraq Ziu, Ermal Muçaj, Altin Merizaj, Arben Joca, Fatmir Hoxha, Luan Arifaj, Ndue Doçi, Alban Dautaj, Altin Curri, Elidon Çela, Eljona Preçi, Shkëlqim Zuriqi dhe Liman Hoxha.