Ish Presidenti Bujar Nishani: Procesin e integrimit sekti i Rilindjes e ka hedhur në erë, tani ka për qëllim shkatërrimin e shtetit

218
Sigal

 

Ish-presidenti Bujar Nishani, reagoi pas miratimit të Kodit Zgjedhor pa consensus se ky parlament nuk përfaqëson sovranin. “Gjysma e atyre që kanë votuar pro, nuk përfaqësojnë vullnetin e shqiptarëve. Që këtu bie ligjshmëria e këtij votimi,” tha Nishani, i cili shtoi se edhe në momentet më të vështira, gjithmonë në Shqipëri rregullat e lojës për zgjedhjet dhe ndryshimet kushtetuese janë bërë në mënyrë konsensuale. “Këto rregulla për herë të parë ndryshohen nga një njeri, ligji u shkrua nga një njeri,” tha Nishani. “Procesin e integrimit, Rilindja e ka hedhur në erë prej kohësh. Ata që e shikojnë këtë çështje thjesht si një truk elektoral, i shohin gjërat vetëm në sipërfaqe. Ky i sotmi është vetëm një element i një kushti që i është ngritur Shqipërisë dhe shqiptarëve,” tha Nishani. Sipas ish-presidentit, Shqipëria është në një moment historik. “Ne jemi në një moment historik, sepse nuk është vetëm pjesa elektorale, por kemi me një politikë djallëzore për të bërë që Shqipëria dhe shqiptarët të mos jenë të zotët të ngrenë kokën. Pra është instaluar një sekt, që është ushqyer, rritur dhe mbahet në terapi intensive me qëllim shkatërrimin e shtetit shqiptar.