Ish-ministrja Arta Dade: Rama duhet të largohet se dështoi. Jo zgjedhje të parakohshme, por PS të formojë një qeveri tjetër

448
Sigal

Arta Dade: Rama duhet të largohet, jo zgjedhje të parakohshme, por PS të formojë një qeveri tjetër

Ish-deputetja socialiste, Arta Dade, ka rezerva lidhur me ndryshimet në qeveri ku u tjetërsua rreth 90% e kabinetit. Dade tha se ministrat e rinj nuk kanë lidhje me PS, por janë ftuar në qeveri si të afërm të kryeministrit. Sipas saj, qeveria aktuale nuk është e PS-së, por e njerëzve pranë Ramës. Gjithashtu, ajo akuzon kryeministrin se ka thelluar kulturën e pandëshkueshmërisë njësoj si në qeverinë e Berishës, ndërsa shton se ekzekutivi aktual është përfshirë në disa skandale dhe askush, sipas saj, nuk ka mbajtur përgjegjësi. Ajo i kërkon Ramës të largohet nga drejtimi i qeverisë. Dade sqaron ndërkohë se është kundër zgjedhjeve të parakohshme, por shton se PS-ja është në gjendje të formojë një tjetër qeveri pa Ramën kryeministër. Arta Dade: “Nëse do ketë një votim të fshehtë në Kuvend. Një mocion dhe votimi të jetë i fshehtë, Rama nuk e fiton grupin parlamentar. Kam marrë shumë mesazhe dhe mendojnë shumë si puna ime, por nuk kanë kurajë. Opozita e tanishme nuk besoj se e dëmton vërtetë Ramën, por e kanë forcuar sepse kanë qenë inekzistentë”, Me modelin e qeverisë Rama është zhbërë një standard i vendosur. Ata që u ftuan të qeverisin vendin, e në mënyrë të veçantë ndryshimet e fundit, nuk kanë asnjë lidhje me PS-në. Në 2013-n kishim kolegë deputetë që u munduam të realizonim pjesë të programit tonë. Rama tentoi të krijojë një model të vetin që, për mendimin tim, rezultoi i dështuar. Mjaft pjesë të programit janë të papërmbushura. Ka fituar zgjedhjet duke premtuar se do heqim dorë nga kultura e pandëshkueshmërisë. Dhe pandëshkueshmëria vijon si në kohën e Berishës. Skandalet që kanë ndodhur janë më të mëdha se në të kaluarën.